Siria dhe lufta mediatike e Perëndimit
Gjatë 3 mijë viteve të historisë së tij, Alepo është përballur me shumë luftëra e ngjarje historike, por 4 vitet e pranisë së grupeve terroriste në këtë qytet e shkatërruan atë. Kjo luftë u pasqyrua ndryshe nga korniza propagandistike e mediave perëndimore.
Njëkohësisht me çlirimin e Alepos, aparatet mediatike e propagandistike të varura nga përkrahësit e terroristëve, shfrytëzuan ekipe të specializuara për publikimin e raporteve dhe pamjeve mashtruese për të krijuar bindjen se ushtria siriane dhe aleatët e saj kanë kryer masakra dhe krime çnjerëzore në Alepo. Sipas disa mediave siriane, ekzistojnë informacione që tregojnë se disa vende arabe të Gjirit Persik kanë nisur një luftë të gjerë e tepër të kushtueshme propagandistike kundër qeverisë së Sirisë. Mbi këtë bazë, mjetet propagandistike të varura nga regjimet arabe, u ofruan mediave perëndimore raporte dhe pamje filmike në lidhje me krimet e luftës të kryera në Alepo. Ato duke shfaqur pamje të grave dhe fëmijëve të vrarë dhe me pretekste humanitare i nxitën njerëzit për një luftë sektare. Edhe disa media perëndimore që luajnë rolin e përkrahësve të terroristëve, pas çlirimit të Alepos, filluan propagandën mediatike duke pretenduar për shkeljen e të drejtave të njeriut në Alepo dhe duke u përpjekur të dëmtojnë imazhin e qeverisë siriane dhe të aleatëve të saj.
Por të distancohemi nga aktiviteti aktual i këtyre mediave dhe le t’i kthehemi së kaluarës. Askush s’e ka harruar se me fillimin e protestave në Damask dhe në qytetet kufitare me Turqinë, Irakun dhe Jordaninë që u shndërruan në konflikt të armatosur, filloi edhe lufta mediatike e Al Xhaziras dhe e mediave të tjera që janë në shërbim të Perëndimit. Këto media, duke ndryshuar krejtësisht dhe duke manipuluar zhvillimet në Siri si dhe duke shfrytëzuar studion speciale të montazhit në Doha, vazhdimisht pasqyruan protestat anti-qeveritare në Siri. Media të tjera si Al Arabia, Al Hadith, BBC arabian, BBC persian dhe media të tjera të varura nga sistemi sundues si dhe mediat e ndryshme sociale filluan të përhapnin imazhe që pasqyronin masakrat e qëllimshme të forcave qeveritare siriane dhe të aleatëve të Sirisë. Këto media të vendeve përkrahëse të terrorizmit në Lindjen e Mesme, u përpoqën të krijojnë një atmosferë të tendosur psikologjike dhe të dobësojnë fuqinë e ushtrisë dhe të forcave popullore siriane përballë terroristëve. Ndërhyrja politike dhe ushtarake e Perëndimit dhe e aleatëve të tij me qëllim ndryshimin e formës së protestave popullore në konflikt të armatosur, u bë e mundur nëpërmjet aktivitetit të gjerë të mediave.
Në këtë kuadër, u krye ndarja e detyrave në mesin e mediave përkrahëse të terrorizmit. Al Xhazira, si media më e fuqishme arabe duhej të formonte opinionin e arabëve, ndërsa BBC, Zëri i Amerikës, Reuters, Associated Press dhe media të tjera perëndimore morën përsipër përgatitjen e ushqimit mediatik për opinionin publik joarab. Përparësia që iu dha Al Xhaziras për luajtjen e këtij roli në të gjithë botën arabe, kishte të bënte me të kaluarën e kësaj medie. Kjo për faktin se që prej krijimit të saj në vitin 1996, Al Xhazira duke pasqyruar plotësisht dhe në mënyrë profesionale zhvillimet rajonale e ndërkombëtare, kishte fituar besimit e popujve arabë. Mahmud Mohtadi, ish drejtor i zyrës përfaqësuese të Iranit në Egjipt dhe ekspert i politikave mediatike, në lidhje me këtë thotë: ” Kanë kaluar mbi 20 vite nga themelimi i kësaj medie dhe gjatë kësaj periudhe Al Xhazira ka kaluar dy faza krejtësisht të ndryshme. Në fazën e parë, Al Xhazira veproi në mënyrë shumë profesionale, por me fillimin e valës së zgjimit islamik, kjo media e ndryshoi krejtësisht profilin e saj. Misioni i ri i Al Xhazirës u bë shfrytëzimi i besimit të publikut për të kontrolluar rrymat politike brenda botës arabe. Madje disa arritën të besonin se rrëzimi i regjimit të Ben Aliut në Tunizi ishte pasojë e ndikimit të Al Xhaziras.” Më tej, ky analist thekson mbi rolin e sionistëve në formulimin e lajmeve të Al Xhaziras dhe shton:” Investimi i Katarit në krijimin një medie ndikuese në botën arabe u krye në kushtet kur nuk ekzistonte asnjë media profesioniste përveç atyre amerikane dhe europiane. Ndikimi i fshehtë i sionistëve në këtë media u duk qartë në kritikat e ashpra të Al Xhaziras ndaj politikave të Xhorxh Bushit në luftërat në Afganistan dhe Irak dhe në heshtjen e plotë të Shtëpisë së Bardhë përballë këtyre kritikave. Kjo heshtje ishte pasojë e përkrahjes së lobit sionist për Al Xhaziran.”
Një vështrim mbi aktivitetin e Al Xhaziras pas vitit 2010 tregon qartë karakterin e vërtetë të saj. Që në fillim të shekullit të ri, Al Xhazira u përpoq të krijonte imazhin e një medie popullore dhe drejtësidashëse duke e rritur kredibilitetin e saj dhe më pas, duke shfrytëzuar këtë kredibilitet dhe besimin e popujve, u fut në rrjedhën e zhvillimeve të zgjimit islamik. Popujt e vendeve arabe kërkonin ndryshimin e gjendjes së tyre dhe krerët e vendeve të rajonit e dinin se këta popuj, për të arritur qëllimet e tyre, merrnin si shembull frymëzimi revolucionin islamik të Iranit, sepse nuk kishin asnjë opsion tjetër për ndryshimin e gjendjes së tyre. Nga ana tjetër, sukseset e Iranit në Irak pas rrëzimit të regjimit të Sadam Huseinit, e shtonin mundësinë që lëvizjet popullore të merrnin si shembull Iranin. Në këto kushte, Al Xhazira hyri në veprim dhe para ndërhyrjes direkte të vendeve që kundërshtonin pushtetin e Asadit, nisi një luftë mediatike kundër Damaskut. Rëndësia e madhe e Sirisë në strategjitë e SHBA dhe regjimit të Izraelit u bë shkak që BBC të shtojë transmetimin e programeve direkte në gjuhë të ndryshme duke u vënë në shërbim të Perëndimit dhe aleatëve të tij. Për këtë arsye u ekzagjeruan shumë protestat e kundërshtarëve të Asadit dhe ngjarja më e vogël në Siri kthehej shpejt në titullin kryesor të lajmeve në mediat perëndimore dhe arabe. Në këtë kuadër, edhe media të tjera si Zëri i Amerikës, Reuters, Sky News dhe Al Arabia përdorën taktika mediatike që të bindnin publikun e tyre se e gjithë Siria është ngritur kundër pushtetit të Bashar Asadit. Gjatë këtyre 6 viteve, këto media duke publikuar lajme të rreme e tendencioze si rënia e qyteteve Damask dhe Alepo, vrasja e Asadit apo largimi i familjes Asad nga Siria, u përpoqën të manipulojnë opinionin publik.
Ky proces manipulimi u intensifikua edhe më shumë me futjen e Rusisë në fushëbetejën e Sirisë dhe me forcimin e ushtrisë siriane. BBC persian duke publikuar raporte mbi vrasjen e civilëve në sulmet ajrore të Rusisë dhe në bombardimet e ushtrisë siriane, reagonte ndaj disfatave të terroristëve dhe tërheqjes së tyre. Kjo qendër e spekulimeve e varur nga politikat e Britanisë, duke ekzagjeruar dhe duke mashtruar mbi rolin e Iranit dhe të forcave popullore e të Hezbollahut në Siri, u përpoq të vinte në dyshim efikasitetin e ushtrisë siriane. Në lidhje me këtë, sajti i BBC persian, akuzon Iranin për dërgimin e trupave ushtarake në Siri, ndërsa as nuk përmend eksportimin e terroristëve nga Arabia Saudite dhe vendet e tjera arabe drejt Sirisë. Mediat përkrahëse të terrorizmit, as që kanë përmendur vrasjen e civilëve sirianë dhe irakianë nga armët kimike të terroristëve, as ndihmat ushtarake për terroristët që kalonin nga kufiri turk, por vazhdimisht kanë raportuar lajme të sajuara mbi vrasjen e civilëve nga qeveria e Asadit dhe nga aleatët e tij. Qëllimi i këtij veprimi ishte nxitja dhe provokimi i opinionit publik në vendet arabe dhe perëndimore.
E vërteta është se mediat e vendeve përkrahëse të terrorizmit, duke pasqyruar intensivisht lajmet nga Siria kanë mundur disi të ndryshojnë në njëfarë mase drejtimin e luftës. Por rezistenca e forcave popullore nuk lejoi suksesin e këtyre përpjekjeve dashakeqe. Në lidhje me këtë, një analist i çështjeve mediatike thekson:” Që nga viti 2011, mediat perëndimore dhe ndërkombëtare, në një veprim të koordinuar hollësisht sikur të kishin një dhomë mendimi të përbashkët, zhvilluan një luftë të ashpër rajonale e ndërkombëtare kundër qeverisë siriane. Për herë të parë në botë u formua një bashkëpunim mediatik arabo-perëndimor-hebraik me një menaxhim të përbashkët.”
Rëndësia e realizimit të qëllimeve të mediave anti-popullore në Lindjen e Mesme arriti deri atje, saqë Fejsal Kasem, gazetar i Al Xhaziras, haptazi shprehu shqetësimin për sulmet e ushtrisë siriane kundër grupeve terroriste në Alepo dhe u bëri thirrje terroristëve në Dara dhe në rrethinat e Damaskut që të shkojnë dhe të shpëtojnë terroristët e rrethuar në lindje të Alepos. Përvec kësaj, Tony Hall, drejtor i përgjithshëm i BBC, megjithë kërkesën e ish kryeministrit britanik David Cameron dhe të 150 deputetëve anglezë për të mos përdorur termin “Shteti islamik” kur është fjala për ISIS-in, e kundërshtoi këtë kërkesë me pretekstin e mbrojtjes së neutralitetit të BBC!!
Të gjitha këto fakte dëshmojnë se në një kohë që Arabia Saudite, Turqia dhe Katari furnizojnë me para dhe me armatimet më moderne grupet terroriste në Siri, mediat e tyre realizojnë operacionin e gjerë psikologjik kundër ushtrisë siriane dhe forcave popullore të Sirisë.