Populli i Jemenit, viktimë e dhunës dhe agresionit
(last modified Sun, 09 Jul 2017 08:47:01 GMT )
Korrik 09, 2017 10:47 Europe/Tirane

Fëmijët konsiderohen viktima të pambrojtura të luftës dhe sot po vërejmë vrasjen masive të tyre në konfliktet e armatosura të brendshme dhe ndërkombëtare në nivel të gjerë. Siria, Jemeni dhe Palestina aktualisht janë shndërruar në vendvrasje për fëmijët.

Gjysma e fëmijëve të botës, do të thotë mbi një miliardë fëmijë janë viktimë e dhunës, keqtrajtimit dhe abuzimit fizik. Gjendja e fëmijëve të përfshirë në konfliktet e armatosura ose vrasja e tyre në luftëra, sidomos në luftëra agresore të rajonit, është shumë e keqe dhe ne që nga fillimi i mijëvjeçarit të tretë, kemi vërejtur vrasjen e dhjetëra mijëra fëmijëve të pafajshëm dhe të pambrojtur në rajone të ndryshme të botës dhe për fat të keq me heshtjen vdekjeprurëse të qarqeve ndërkombëtare, përnjëherë janë shembur të gjitha normat dhe ligjet e të drejtave të njeriut dhe ligjeve humanitare ndërkombëtare. Në këtë kuadër, vrasja e fëmijëve, shfrytëzimi i tyre në konfliktet e armatosura, shpërngulja, të mbeturit me të meta fizike, uria dhe krizat e tjera të imponuara ndaj tyre, janë disa prej krimeve të kryera ndaj fëmijëve.

Fëmijët, viktima kryesore e luftërave të sotme

Fëmijët konsiderohen viktima të pambrojtura të luftës dhe sot po vërejmë vrasjen masive të tyre në konfliktet e armatosura të brendshme dhe ndërkombëtare në nivel të gjerë. Siria, Jemeni dhe Palestina aktualisht janë shndërruar në vendvrasje për fëmijët. Ajo që duhet pasur parasysh, është zotimi i shteteve, roli i traktateve ndërkombëtare dhe i organizatave humanitare në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ky është një rol i cili për fat të keq për shkak të një grusht parave, po anashkalohet nga qarqet ndërkombëtare. Aktualisht për fat të keq jemi dëshmitarë të këtij realiteti të hidhur se përndjekja ligjore e autorëve të agresionit dhe krimeve nuk po bëhet në mënyrë të drejtë për shkak të interesave politike të qeverive dhe të fuqive të mëdha. Si pasojë, qeveritë po anashkalojnë zotimet e tyre në fushën e mbrojtjes së të drejtave të civilëve, sidomos të grave dhe të fëmijëve gjatë luftërave. Një prej rasteve të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave humanitare ndërkombëtare, është respektimi i të drejtave të fëmijëve gjatë konflikteve të armatosura dhe mbrojtja e tyre nga rreziqet që shkaktohen si pasojë e luftërave. Një parim ky që vërtetohet nga opinioni publik dhe jepen garanci për zbatimin e këtij parimi. Zotimet e shteteve për ndalimin e vrasjes së fëmijëve në luftëra dhe për ndalimin e shfrytëzimit të fëmijëve si ushtarë, janë theksuar në traktatet ndërkombëtare dhe që nga disa dekada më parë shkelja e të drejtave të fëmijëve gjatë konflikteve të armatosura, konsiderohet krim ndërkombëtar. Megjithëkëtë, fëmijët sot përbëjnë numrin më të madh të viktimave në luftëra. Zotimet e qeverive për mbrojtjen e fëmijëve gjatë konflikteve të armatosura, është një prej çështjeve shumë të rëndësishme e cila ka mbetur anash plotësisht. Bashkësia Ndërkombëtare e ka pranuar këtë realitet se fëmijët se fëmijët si shtresa që dëmtohet më së shumti në shoqëri, po përballet me rrezikun e dëmtimit fizik dhe shpirtëror, prandaj për tu përballur me këtë rrezik, deri më tani ka miratuar dokumente speciale.

Fëmijët e Jemenit, viktimë e agresionit të padrejtë ushtarak të Arabisë Saudite

Regjimi Al Saud ka më shumë se dy vjet që përveç sulmeve të egra dhe barbare kundër popullit të pambrojtur të Jemenit dhe vrasjeve të civilëve në mesin e tyre gra dhe fëmijë dhe shpërnguljen e familjeve, ka vendosur edhe një bllokadë të hekurt dhe të gjithanshme kundër popullit të Jemenit dhe nuk po lejon popullin jemenas të ketë qasje në lëndë ushqimore dhe në pajisje mjekësore dhe as në medikamente. Në bazë të raportit të OKB, mbi 82% e popullit të Jemenit ka nevojë për ndihma humanitare dhe me mijëra fëmijë po përballen me kequshqyerje. UNICEF në një deklaratë ka theksuar se të paktën në çdo 10 minuta vdes një fëmijë në Jemen. Në vazhdim të kësaj deklarate në lidhje me vdekjen e këtyre fëmijëve jemenas, thuhet se shkaku i vdekjes së tyre janë sëmundjet e ndryshme epidemike si kolera dhe infektimi i aparatit të frymëmarrjes. Gjithashtu, Programi Botëror për Ushqim ka theksuar se është ndërprerë zhvillimi i mbi gjysmës së fëmijëve jemenas dhe ata kanë shtat më të shkurt në krahasim me moshatarët e tyre në vendet e tjera dhe kjo çështje tregon kequshqyerjes së vazhdueshme. Gjithashtu rreth 7 milionë jemenas kanë nevojë urgjente për ushqim dhe ky problem rritet për çdo ditë e më tepër si pasojë e vazhdimit të luftës.

Fëmijët jemenas të përfshirë nga kriza, shembull tjetër i krimeve të Arabisë Saudite

UNICEF në fund të muajit mars të këtij viti ka publikuar një raport në bazë të të cilit në dy vitet e kaluara, si pasojë e sulmeve ajrore të Arabisë Saudite në Jemen, të paktën janë vrarë 1546 fëmijë jemenas dhe 2450 fëmijë të tjerë kanë mbetur me të meta fizike. Gjithashtu, Lin Maluf, drejtor i hetimeve në zyrën rajonale të Organizatës Amnisty International në Bejrut, ka lëshuar një deklaratë në fillim të këtij viti dhe ka deklaruar se lufta në Jemen i ka detyruar 3 milionë njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre dhe ka rrezikuar në mënyrë serioze jetën e mijëra civilëve të tjerë. Deri në atë masë saqë 18 milionë jemenas kanë nevojë urgjente për ndihma humanitare.

Julia Harens, përfaqësuese e OKB në Jemen, në vitin e kaluar në një deklaratë të saj, ka theksuar se ekziston mundësia që numri i vërtetë i vrasjes së fëmijëve në Jemen, të jetë shumë i madh se sa këto statistika zyrtare. Kjo funksionare e OKB gjatë fjalimit të saj nga tribuna e OKB-së, ka deklaruar për të gjithë botën se fëmijët e Jemenit po paguajnë një çmim shumë të lartë si pasojë e bombardimeve të Arabisë Saudite.

Si pasojë e agresionit ushtarak të Arabisë Saudite kundër Jemenit i cili ka filluar nga marsi i vitit 2015, janë vrarë me mijëra civilë dhe me miliona qytetarë jemenas janë shpërngulur. Ky agresion ka shkatërruar edhe infrastrukturën e Jemenit duke përfshirë qendrat shëndetësore dhe spitalore. Statistikat tregojnë këtë se deri më tani me mijëra fëmijë jemenas janë vrarë nga sulmet dhe bllokada e regjimit Al Saud ndaj këtij vendi. Mirëpo qarqet ndërkombëtare vazhdojnë të jenë të heshtura dhe pasive ndaj krimeve të regjimit Al Sauid. Arabia Saudite me dritën jeshile të Amerikës, që nga marsi i vitit 2015, ka filluar agresionin ushtarak kundër Jemenit dhe gjatë këtyre sulmeve përveç shkatërrimit të infrastrukturës, janë vrarë mbi 10 mijë njerëz në mesin e tyre gra dhe fëmijë jemenas.

Drita e gjelbër e Amerikës për Arabinë Saudite dhe vrasja e fëmijëve të pafajshëm në Jemen

Ajo që është bërë shkak për vazhdimin e agresionit ushtarak të regjimit Al Saud kundër Jemenit dhe vazhdimin e vrasjes së popullit të pambrojtur të këtij vendi, sidomos fëmijëve gjatë viteve të kaluara, është neglizhenca e autoriteteve të OKB përball Arabisë Saudite. Me mijëra fëmijë jemenas gjatë dy viteve të kaluara në Jemen janë vrarë me bombat e Arabisë Saudite, mirëpo katastrofa më e madhe është kjo që me një grusht dollarë, pengohet dëgjimi i zërit të këtyre viktimave në qarqet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, veprimi i ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB për heqjen e emrit të Arabisë Saudite nga lista e shkelësve të të drejtave të fëmijëve, ka luajtur rolin kryesor në rritjen e guximit të regjimit Al Saud për vazhdimin e krimeve të tij kundër popullit jemenas.

Ndërkohë, zgjedhja e Arabisë Saudite si një prej 14 anëtarëve të Këshillit të OKB për të Drejtat e Njeriut në vjeshtën e vitit 2016 për një mandat 3 vjeçar, është bërë në kohën kur Observatori i të Drejtave të Njeriut të OKB dhe 80 organizata të tjera joqeveritare, duke publikuar një letër, kanë kërkuar nga vendet që duke marrë parasysh shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite, të mos e përkrahin anëtarësimin e këtij vendi në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Mirëpo në fund, anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme votuan  pro anëtarësimit të Riadit në këtë Këshill.

Ky veprim tregon kulmin e politizimit dhe devijimit të koncepteve dhe standardeve juridike në një prej institucioneve më të rëndësishme për të drejtat e njeriut në botë. Arabia Saudite që nga viti 2013, është e pranishme në këtë Këshill dhe është interesant fakti se vitin e kaluar pas publikimit të raporteve të ndryshme nga organizatat e tjera ndërkombëtare në lidhje me vrasjen e fëmijëve nga regjimi Al Saud në Jemen, përfaqësuesi i Riadit u zgjodh kryetar i komisionit të ekspertëve të pavarur të Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë që sipas nenit 8 të statusit të Këshillit për të Drejta të Njeriut të OKB, nëse secili nga anëtarët e këtij Këshilli kryen krime, anëtarësimi i tij pezullohet. Mirëpo edhe ky ligj për shkak të mbështetjes së shteteve perëndimore ndaj regjimit Al Saud, nuk u zbatua në lidhje me Arabinë Saudite.   

Heqja e emrit të Arabisë Saudite nga lista e shkelësve të të drejtave të fëmijëve nga ish-sekretari i përgjithshëm i OKB për një grusht para

Zgjedhja e Arabisë Saudite si një prej anëtarëve të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB ka treguar se OKB ka krijuar një hapësirë të sigurt për krimet e Arabisë Saudite dhe Riadi duke u bazuar në këto mbështetje, nuk ka kurrfarë frike nga qarqet ndërkombëtare dhe në qetësi të plotë, po vazhdon krimet e tij të tmerrshme. Qëndrimet e lëkundshme të OKB ndaj shkelësve kryesor të të drejtave të fëmijëve, do të thotë regjimit sionist dhe regjimit Al Saud, treguan se nuk ekziston kurrfarë garancie që Arabia Saudite mund të hyjë në këtë listë edhe gjatë mandatit të sekretarit të ri të OKB, por edhe nëse ndodhë një gjë e tillë, përsëri dollarët naftor do të bëjnë punën e tyre. Raportet për shtimin e krimeve të regjimit Al Saud në Jemen po publikohen në kohen kur Arabia Saudite për disa vite është anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB. Rianëtarësimi i këtij vendi kohë më parë në këtë organ të rëndësishëm të OKB, tregon politizimin në masë shumë të madhe të kësaj organizate.