Pasojat e kalifatit të vetëquajtur Shteti Islamik në Mosul
(last modified Tue, 01 Aug 2017 07:41:13 GMT )
Gusht 01, 2017 09:41 Europe/Tirane

Krimet kundër njerëzimit të kryera nga grupi terrorist takfirist ISIS në Irak gjatë tre viteve të pranisë së tij në këtë vend.

Khalifati i vetëquajtur ISIS në Irak përfundoi me marrjen nën kontroll të qytetit Mosul nga qeveria e Irakut. Ky khalifat i vetëquajtur ka shkaktuar shumë pasoja dhe katastrofa për popullin e Irakut dhe sidomos për banorët e Mosulit. Një prej pasojave më të rëndësishme të pranisë tre vjeçare të terroristëve të ISIS në Irak, është kryerja e krimeve kundër njerëzimit në rajonet e ndryshme të këtij vendi. Në edicionin e parë të programit “Pasojat e khalifatit të vetëquajtur Shteti Islamik në Mosul”, do të flasim më gjerësisht rreth kësaj çështje.

Termi “krim kundër njerëzimit” është përdorur për herë të parë nga qeveritë e Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë në vitin 1915, në dënimin e vrasjes së armenëve nga qeveria e asaj kohe e Turqisë. Megjithëkëtë, për herë të parë krimi kundër njerëzimit është hetuar në mënyrë ligjore nga Gjykata e Nurembergut në vitin 1945. Në Kartën e Gjykatës së Nurembergut thuhet: vrasja, shkatërrimi, skllavërimi, shpërngulja dhe sjelljet e tjera jo njerëzore para ose gjatë luftës si dhe përndjekja e grupeve fetare, politike ose raciste, konsiderohen krim kundër njerëzimit. Gjykata e Tokios në vitin 1946, gjithashtu në mënyrë të ngjashme këto veprime i ka përkufizuar me termin “krim kundër njerëzimit”. Në nenin 5 të statusit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë është përkufizuar termi krim kundër njerëzimit dhe përveç veprimeve të lartpërmendura në Gjykatën Ndërkombëtare të Nurembergut, në këtë përkufizim është futur edhe burgosja, tortura dhe përdhunimi. Megjithëkëtë, baza më e rëndësishme teorike e shembujve dhe përkufizimit të krimit kundër njerëzimit janë theksuar në nenin 7 të statusit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Në këtë nen thuhet: “Me termin “krime kundër njerëzimit” në këtë status është për qëllim çdo veprim i përmendur më poshtë që kryhet në kuadër të një agresioni të gjerë kundër një shoqërie civile dhe që kryhet duke e ditur këtë fakt:

Vrasja,

Shfarosja, e cila është imponim me qëllim i një gjendje të veçantë të jetës si privimi nga qasja në ushqim dhe medikamente që programohet me qëllim të zhdukjes së një pjese të një shoqërie.

Skllavërimi,

Dëbimi ose transferimi me forcë i një shoqërie, do të thotë zhvendosja e detyrueshme e personave të caktuar nëpërmjet dëbimit ose nëpërmjet veprimeve të tjera të dhunshme nga një rajon në të cilin ata banojnë në mënyrë të ligjshme dhe që ky veprim të jetë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Burgosja ose privimi i madh nga liria fizike që bëhet në kundërshtim me rregullat themelore të ligjeve ndërkombëtare.

Torturimi,

Përdhunimi seksual, skllavërimi seksual, prostitucioni i detyrueshëm, shtatzënia e detyrueshme, sterilizimi i detyruar ose çfarëdo lloj forme tjetër e dhunës seksuale e barabartë me këto,

Përndjekja dhe keqtrajtimi i vazhdueshëm i çfarëdo grupi ose organizate të caktuar për shkaqe politike, raciste, kombëtare, etnike, kulturore, fetare, gjinore ose për shkaqe të tjera;

Zhdukja e detyrueshme,

Krimi i Aparteidit,

Sulmi i gjerë ose i organizuar kundër çfarëdo shoqërie civile;

Dhe veprime jonjerëzore të tjera të cilat kryesisht kryhen me qëllim të krijimit të vuajtjeve të mëdha ose për të krijuar dëmtime të mëdha në trup ose në shëndetin psikologjik dhe fizik”.

Veprimet e lartpërmendura  në nenin 7 të statusit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare mund të përdoren në mënyrë të hapur rreth krimeve të kryera kundër popullit të Irakut dhe sidomos kundër banorëve të Mosulit gjatë pranisë tre vjeçare të ISIS në këtë vend. Kriteri më i rëndësishëm i ISIS, është kryerja e krimeve të tmerrshme në forma të ndryshme të cilat kanë ndodhur shumë shpesh në Irak. Në realitet, ISIS në Irak ka sulmuar dinjitetin njerëzor. Vrasja e cila është paragrafi i parë i nenit 7 të statusit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, është kryer në mënyrë të përditshme nga ISIS kundër qytetarëve të rajoneve nën pushtimin e ISIS, mirëpo vrasjet janë kryer në atë formë saqë popujt e botës bashkëkohore ndoshta për herë të parë i kanë parë ato. Vrasjet kolektive dhe rreshtimi i njerëzve dhe goditja e tyre me disa plumba në kokat e tyre, janë format më të tmerrshme të vrasjeve të njerëzve të kryera nga ISIS në Irak dhe Mosul. Djegia e njerëzve përsëgjalli brenda në kafaz, vrasja e njerëzve duke i prerë ata me sharrë elektrike, prerja e kokës dha varrosja e njerëzve përsëgjalli, ishin forma të tjera të tmerrshme të vrasjeve të njerëzve që janë kryer nga ISIS kundër qytetarëve irakianë. Në realitet në formën e vrasjeve të qytetarëve irakianë nga ISIS ekzistojnë edhe paragrafët e tjera të nenit 7 të Gjykatës Penale Ndërkombëtare si tortura, aparteidi, sulmi i gjerë ose i organizuar dhe veprimet jonjerëzore të ngjashme të kryera me qëllim të krijimit të vuajtjeve të mëdha ose dëmtimin e madh të trupit ose shëndetit psikologjik dhe fizik.

Kryerja e krimeve kundër njerëzimit nga ISIS në Irak

Përveç kësaj, qytetarët irakiane janë torturuar fizikisht dhe psiçikisht në forma të ndryshme që disa prej formave mund të përmenden prerja e gjuhës, prerja e duarve dhe këmbëve ose verbërimi i qytetarëve irakianë, si forma më të dhunshme dhe më të tmerrshme. Terroristët e grupit takfirist ISIS gjatë periudhës së pranisë së tyre në Irak, në prani të familjes kanë përdhunuar grat dhe vajzat irakiane në mënyrë individuale dhe kolektive në mënyra më të dhunshme duke shkatërruar kështu dinjitetin dhe fisnikërinë njerëzore. Lindja e fëmijëve të ISIS, aktualisht është një prej shqetësimeve më të mëdha të Irakut. Këta fëmijë i njohin nënat e tyre, por nënat nuk dinë se çfarë të thonë për baballarët e këtyre fëmijëve! Përdhunimi seksual, shtatzënia e detyrueshme, skllavëria seksuale dhe sterilizimi i njerëzve, janë shembujt më të rëndësishëm të krimeve kundër njerëzimit të cilat janë theksuar në nenin 7 të statusit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Shpërngulja dhe zhvendosja e detyruar, është gjithashtu një prej krimeve të rëndësishme të kryera nga terroristët e ISIS gjatë pranisë së tyre në Irak që më së shumit është zbatuar kundër pjesëtarëve të komunitetit Izedi. Në realitet, një prej krimeve më të hidhura që janë kryer në Irak nga terroristët e ISIS, janë ato që kanë ndodhur me sulmin e ISIS në qytetin Sanxhar të Irakut në gusht të vitit 2014. Terroristët e ISIS vranë meshkujt Izedi ndërsa grat dhe vajzat e tyre i kapën rob dhe jashtë këtij qyteti krijuan stacione për shitjen e skllevërve. Pjesëtarët e komunitetit Izedi që arritën të  arratisën, u strehuan në bjeshkët e rajonit Sanxhar dhe qëndruan me javë të tëra në kushte shumë të vështira pa ujë dhe pa ushqim. Një numër i madh i tyre vdiqën për shkak të urisë dhe etjes. Publikimi i pamjeve të grave dhe fëmijëve të etura dhe të uritur të komunitetit Izedi që ishin strehuar në bjeshkët e rajonit Sanxhar, lëndon zemrën e çdo personi që i shikon. Mirëpo për terroristët e grupit takfirist ISIS këto skena ishin të këndshme sepse ato krijonin frikë dhe tmerr të cilin e dëshironte në përgjithësi ky grup terrorist.

Shpërngulja e mijëra kurdëve izedi në bjeshkët e rajonit Sanxhar

Një tjetër shembull i krimit kundër njerëzimit që kanë kryer terroristët e ISIS, është shfrytëzimi i civilëve si mburojë njerëzore. Në realitet, terroristët e ISIS në çdo vend kur përballeshin me presionin e ushtrisë dhe të forcave irakiane, për të dalë nga ky presion dhe për t’i detyruar forcat irakiane që të heqin rrethimin, përdornin qytetarët dhe civilët si mburojë njerëzore dhe kjo u bë shkak që numri i civilëve të vrarë në Irak të shtohet vazhdimisht. Terroristët e ISIS në disa rajone, për të ikur nga forcat irakiane, kanë detyruar banorët e atyre rajoneve që të shpërngulen së bashku me terroristët në mënyrë që ata të bëhen mburojë njerëzore përball ushtrisë dhe forcave irakiane.

Terroristët e ISIS për të krijuar frikë dhe tmerr, kanë kryer shpërthime dhe operacione kamikazë në vendet me qarkullim të dendur të qytetarëve si në tregje dhe në qendrat shëndetësore. Zgjedhja e këtyre vendeve është bërë shkak që numri i personave të vrarë dhe të plagosur të rritet më shumë dhe të krijohet një frikë dhe tmerr më i madh në rajonet e ndryshme të Irakut.

Krimet e ISIS në Mosul

Nuk ekzistojnë akoma statistika të sakta rreth numrit të personave të vrarë, të plagosur dhe të shpërngulur gjatë tre viteve të khalifatit të vetëquajtur Shteti Islamik në Irak, mirëpo sipas një raportit të UNICEF të publikuar në korrik të vitit 2017, gjatë pranisë tre vjeçare të ISIS në Irak janë vrarë 1075 fëmijë që 152 prej tyre janë vrarë në gjysmën e parë të vitit 2017. Përveç kësaj, 1130 fëmijë kanë mbetur me të meta fizika, të plagosur ose me gjymtyrë të këputura. Deri në fund të vitit 2016, 40 milionë e 300 mijë persona në botë janë shpërngulur për shkak të konflikteve të armatosura dhe luftërave në vendet e tyre ndërsa 3 milionë prej tyre ishin irakianë që shumica e tyre u shpërngulën në tre vitet e kaluara për shkak të krimeve të grupit terrorist takfirist ISIS. Vetëm  në vitin 2016, në Irak 660 mijë persona kanë mbetur pa strehë.

Në fund mund të thuhet se prania trevjeçare e ISIS në Irak ishte “vdekje e njerëzimit-humanizmit” në rajonet e pushtuara nga kriminelët e këtij grupi terrorist dhe ndoshta gjenerata aktuale dhe ndoshta edhe shumë gjenerata të tjera të botës, nuk do të shikojnë krime të tmerrshme sikur ato që kanë kryer terroristët e ISIS. Ah sikur të arrijë bota në një nivel të drejtësisë saqë do të ishte e mundur që krijuesit dhe mbështetësit e këtyre kriminelëve do të nxirreshin para drejtësisë për tu gjykuar dhe do të pyeteshin se çfarë kishin për qëllim me krijimin dhe mbështetjen e ISIS dhe uljen e çmendur të pozitës së njerëzit deri në këtë masë?

Tags