Perspektiva e krizës në Siri
https://parstoday.ir/sq/radio/west_asia-i62197-perspektiva_e_krizës_në_siri
Ushtria siriane dhe aleatët e saj kanë arritur fitore të mëdha ndaj grupeve terroriste dhe opozitës së armatosur.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Nëntor 06, 2017 10:55 Europe/Tirane

Ushtria siriane dhe aleatët e saj kanë arritur fitore të mëdha ndaj grupeve terroriste dhe opozitës së armatosur.

Duke pasur parasysh këto fitore, është e rëndësishme të analizohet gjendja e fundit e krizës siriane, perspektiva e saj dhe pozicionet e aktorëve rajonalë dhe jashtërajonalë, për të cilat folëm në emisionin e parë. Gjatë emisionit të dytë dhe të fundit do të analizojmë strategjitë e aktorëve rajonalë dhe jashtërajonalë mbi të ardhmen e kësaj krize.

Që nga ditët e para, konflikti në Siri nuk që ka qenë i kufizuar vetëm në aktorët e brendshëm ose në luftën e grupeve terroriste me qeverinë siriane, por gjithashtu aktorët rajonalë dhe jashtërajonalë kanë qenë aktivë si mbështetës ose kundërshtarë të regjimit sirian dhe ende vazhdojnë të jenë aktivë në këtë krizë. Ndërsa mbështetësit e qeverisë siriane, duke përfshirë Republikën Islamike të Iranit dhe Federatën Ruse, ndoqën një politikë për të luftuar terrorizmin në Siri, vendet kundërshtare të Sirisë miratuan një strategji për të mbështetur në forma të ndryshme grupet terroriste. Rreth shtatë vjet pas fillimit të krizës, jo vetëm që qeveria siriane nuk është rrëzuar, por është përshpejtuar disfata e grupeve terroriste dhe procesi i ruajtjes së integritetit territorial të Sirisë. Në një situatë të tillë, janë rishikuar gjithashtu edhe pozicionet e aktorëve kundërshtarë të qeverisë siriane. Në përgjithësi, është e mundur të përvijohen pozicionet e rishikuara të aktorëve të huaj në Siri në dy drejtime të kundërta: Krijimi i një sistemi federal / formimi i një qeverie të dobët dhe joefikase në Siri dhe forcimi i ndikimit të fuqive të huaja në këtë vend / formimi i një qeverie të fortë në Damask.

 

  1. Krijimi i një sistemi federal

 

Në situatën e re siriane, krijimi i një sistemi federal që gjithashtu dobëson pozitën e qeverisë qendrore të Sirisë është strategjia më e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite, regjimit sionist dhe disa vendeve evropiane. Duket se opozita e udhëhequr nga amerikanët është duke u ndjekur objektivin për krijimin e së paku dy rajoneve autonome në Siri. Rajoni i parë dhe më i mundshëm autonom, është formimi i një rajoni kurd në Sirinë veriore që do të përbëhet nga tre kantone. Këto tri kantone, që secila përmbajnë disa zona të ndryshme, janë: Kantoni Xhazira (Haseke dhe Raka), kantoni i Kobanit (në veri të Alepos) dhe kantoni Afrin (në veriperëndim të Alepos dhe në veri të Idlibit). Përveç kësaj, kurdët konkurrojnë me qeverinë siriane mbi sundimin e rezervave të naftës në Deir al-Zur. Në këtë kuadër ishte edhe çlirimi i Rakas nga Aleanca Demokratike Siriane e mbështetur nga SHBA. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë 10 baza ushtarake, operacionale dhe të inteligjencës në rajonin kurd të Sirisë. Forcat e Partisë së Aleancës Demokratike të Sirisë njoftuan më 20 tetor, vetëm katër ditë pas çlirimit të Rakas nga okupimi i terroristëve të ISIS-it, se banorët e provincës Raka do ta përcaktojnë të ardhmen e kësaj krahine në kuadrin e një Sirie demokratike dhe federale. Përpjekjet amerikane për të mbështetur kurdët sirianë në krijimin e një rajoni autonom u përballën me reagime të ndryshme. Rrjeti informativ Sham Times duke krahasuar kushtet e kurdëve në Irak dhe Siri, shkroi: “Çështja e kurdëve të Irakut është bërë një çështje politike që nga vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, por ky nuk është rasti i kurdëve në Siri. Qeveria amerikane po këmbëngul për realizimin e planit të saj për kurdët në Siri dhe Irak, por duhet të marrë parasysh gabimet e bëra në nivelin strategjik të politikës që do të çojë në izolimin dhe rrethimin e kurdëve në zonat e tyre”. Edhe Arabia Saudite duket se po e mbështet këtë strategji amerikane në zonat kurde të Sirisë. Në këtë kuadër, Samer al-Sobhan, këshilltar i mbretit të Arabisë Saudite në departamentin e çështjeve të Gjirit Persik, njëkohësisht me vizitën e  Brett McGort, i dërguar special i Donald Trump në rajon dhe koordinator i koalicionit ndërkombëtar anti-ISIS, shkoi në Raka të Sirisë dhe u takua me disa nga udhëheqësit fisnorë. Rajoni i dytë më i mundshëm autonom në Siri përfshin disa nga provincat e saj jugore. Shtetet e Bashkuara po përpiqen të autonomizojnë tre provincat Suejda, Dara dhe Kunejtra, dhe kjo politikë mbështetet nga Izraeli dhe Arabia Saudite. Arsyeja kryesore për krijimin e një rajoni autonom në këto tri provinca është se Shtetet e Bashkuara, disa vende evropiane, Arabia Saudite dhe regjimi sionist po përpiqen të parandalojnë krijimin e lidhjeve mes qendrave të rezistencës në Siri, Irak dhe Liban. Procesi i krijimit të rajoneve autonome në Siri jo vetëm që do të dëmtojë qeverinë qendrore të Damaskut, por po ashtu do të realizojë qëllimin rajonal që ndiqet brenda kësaj strategjie që synon të minojë dhe dobësojë boshtin e rezistencës në rajon. Në fakt, kjo strategji është një formë e dobësuar e strategjisë së shpërbërjes së Sirisë.

 

  1. Formimi i një qeverie të dobët dhe joefikase në Siri

 

Formimi i një qeverie të dobët dhe joefikase në Siri është strategjia e disa aktorëve rajonalë, veçanërisht Turqisë, të cilët gjatë shtatë viteve të fundit, kanë vepruar kundër qeverisë siriane. Turqia është kundërshtarja më e fortë ndaj formimit të një rajoni autonom kurd në Siri. Prandaj, Turqia ka pushtuar një zonë prej 100 kilometrash katror midis kantoneve Kubani dhe Afrin me qëllim që deri në një farë mase të parandalojë formimin e një rajoni kurd në Sirinë veriore, sepse formimi i këtij rajoni shkakton lidhjen e kurdëve të Sirisë me kurdët e Turqisë dhe daljen e kurdëve në Detin Mesdhe. Kurdët e Sirisë nuk janë shumë të afërt me  Masud Barzanin dhe kurdët irakianë, por ata janë më të lidhur me kurdët turq dhe PKK, e cila konsiderohet si një kërcënim serioz ndaj Turqisë. Megjithatë, Turqia po ndjek një strategji të formimit të një qeverie të dobët dhe joefektive në Siri, sepse Turqia i ka humbur shpresat për përmbysjen e qeverisë së Asadit në Siri dhe, në rrethana të tilla, preferon të rrisë ndikimin e saj në këtë vend, ndërkohë që ndërhyn në punët e brendshme të Sirisë. Është e mundur që këto synime të realizohen vetëm në dritën e formimit të një shteti të dobët në Siri.

 

3-Rritja e ndikimit të fuqive të huaja në Siri

 

Rusia është një nga aktorët më të rëndësishëm dhe më me ndikim jashtërajonal në krizën siriane, e cila, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, i ka dhënë përparësi luftës serioze kundër grupeve terroriste dhe ka pasur një prani të drejtpërdrejtë ushtarake në Siri që nga viti 2015. Përkrahja ushtarake dhe sigurisht, mbështetja diplomatike nga Rusia është një nga arsyet kryesore për ndryshimin e balancës së forcave brenda Sirisë në favor të qeverisë siriane dhe të përshpejtimit të procesit të shkatërrimit të grupeve terroriste. Në situatën aktuale, Rusia po ndjek të njëjtin objektiv si në të kaluarën, që është "forcimi i ndikimit" në Siri. Davud Kiani, një ekspert i vjetër i çështjeve ruse, beson se baza detare e Tartusit mund të përshkruhet si faktori ushtarak i  bashkëpunimit midis dy vendeve. Baza, e vendosur në Detin Mesdhe, është ruajtur nga Rusia për shkak të rëndësisë së saj strategjike. Eksperti i çështjeve të Lindjes së Mesme, Hadi Mohamadi, gjithashtu beson se "Siria është baza më e rëndësishme dhe e vetme e Rusisë në Azinë Perëndimore, dhe eliminimi i saj është e barabartë me dëbimin e Rusisë nga Lindja e Mesme". Në të njëjtën kohë, Rusia shfaqet në çdo cep të botës ku  Perëndimi përballet me humbje dhe skandale, për të treguar autoritetin e saj në botë.

 

4-Formimi i një qeverie të fortë në Siri / Forcimi i boshtit të rezistencës

 

Republika Islamike e Iranit është një nga aktorët më të rëndësishëm që qëndroi përkrah qeverisë dhe popullit sirian menjëherë pas shpërthimit të luftës kundër grupeve terroriste në Siri dhe i dha përparësi luftës serioze dhe praktike kundër terrorizmit. Një tjetër arsye kryesore për suksesin e ushtrisë siriane në rimarrjen e territoreve të okupuara nga grupet terroriste lidhet me rolin e Republikës Islamike të Iranit dhe mbështetjen e saj gjithëpërfshirëse për qeverinë siriane. Në situatën aktuale, strategjia më e rëndësishme e Republikës Islamike të Iranit mbi Sirinë është të ruajë integritetin territorial të vendit dhe të kundërshtojë çdo përpjekje dhe politikë, rezultati i të cilës synon të dobësojë qeverinë e Damaskut. Republika Islamike e Iranit po ndjek strategjinë e formimit të një qeverie të fortë qendrore në Siri, pasi e konsideron atë një faktor të rëndësishëm në forcimin e boshtit të rezistencës në rajon. Në lidhje me këtë, gjenerali Muhamed Bakeri, shefi i shtabit të  përgjithshëm të forcave të armatosura të Iranit, gjatë një vizite në Siri në mes të tetorit, në një konferencë të përbashkët për shtyp me gjeneralin Ali Ajub, shefin e Shtabit të Ushtrisë dhe Forcat e Armatosura të Sirisë, tha: “"Republika Islamike e Iranit thekson se respektimi i integritetit territorial të vendeve të rajonit është një parim i pandryshueshëm. Ne besojmë se sa herë që një vend duhet të kërkojë të kryejë operacione ushtarake brenda një vendi tjetër, duhet ta bëjë këtë duke respektuar integritetin territorial të vendit dhe me ftesën e tij. Sovraniteti kombëtar dhe integriteti territorial i vendeve të rajonit kërkojnë që secili grup dhe pakicë, nëse ka ndonjë kërkesë, ta realizojë atë me anë të ligjit dhe dialogut me qeveritë e veta. Shpresojmë se nuk do të shohim më gabime si ai i Masud Barzanit, kryetar i rajonit të Kurdistanit të Irakut. "