Perspektiva e krizës në Siri
(last modified Mon, 06 Nov 2017 09:56:12 GMT )
Nëntor 06, 2017 10:56 Europe/Tirane

Ushtria siriane dhe aleatët e saj në gjysmën e dytë të vitit 2017  shënuan fitore të mëdha kundër grupeve terroriste dhe rebelëve të armatosur të opozitës.

Duke pasur parasysh këto fitore, është e rëndësishme të përshkruhet situata më e fundit në krizën siriane, perspektiva e saj dhe pozicionet e aktorëve rajonalë dhe jashtërajonalë, të cilat do t’i shqyrtojnë gjatë emisioneve mbi gjendjen e fundit të krizës siriane.

1-Zhvillimet në terren

Lufta në Siri po progreson shpejtë në favor të qeverisë së vendit dhe aleatëve të tij. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, deri në tetor 2017, më shumë se 92 për qind e territorit të Sirisë është çliruar nga pushtimi i terroristëve të ISIS. Në fitoren më të fundit, qyteti Raka, qendra e Kalifatit të vetëshpallur të ISIS në Sirinë veriore, u çlirua nga forcat demokratike siriane, shumica prej të cilëve ishin kurdë. Zëdhënësi i Koalicionin Ndërkombëtar për luftën kundër ISIS-it, koloneli Ryan Dillon, tha më 17 tetor se sipas të dhënave të tyre, ISIS tani ka vetëm 6,500 luftëtarë në Irak dhe Siri, ndërsa grupi terrorist kishte më shumë se 30,000 trupa në kulmin e pushtetit të tij. Në provincën Deir al-Zur, çlirimi i zonës strategjike dhe të rëndësishme të Abu Kamalit, si dhe çlirimi i fushave të naftës,  u bë prioritet i forcave siriane pas çlirimit të qytetit strategjik të Mejadinit, i konsideruar si bazë e ISIS në Sirinë lindore. Rëndësia e zonës së Abu Kamalit është se përmes kalimit kufitar Abu Kamal, ekziston mundësia që forcat e Hashd al-Sha'abit të  Irakut të futen në Siri dhe kështu arrihet të sigurohet shtrëngimi i unazës së rrethimit ndaj terroristëve, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të parandalojnë futjen e ushtrisë siriane në rajonin Abu Kamal. Ndërkohë, ushtria siriane dhe aleatët e saj po ndjekin çlirimin e fushave të naftës në provincën Deir al-Zur. Këto forca janë në prag të çlirimit të fushës së naftës al-Amar, fushës më të madhe të naftës në Siri. Një nga operacionet më të rëndësishme që po preokupon ushtrinë siriane dhe aleatët e saj është çlirimi i rajonit Al-Tanef në provincën Homs. Megjithatë, çlirimi i zonës është shumë më i vështirë se cilirimi i zonave të tjera, sepse në zonën Al-Tanef, e cila është pika e përbashkët kufitare midis tre shteteve Sirisë, Irakut dhe Jordanisë, ndodhen "terroristët jokonvencionalë" ose e ashtuquajtura “ushtri e re siriane” që Shtetet e Bashkuara dhe evropianët, i quajnë ata të moderuar dhe i mbështesin. "Magavir al-Thaura", ose ushtria e re siriane, përfshin mbi 5000 njerëz të trajnuar nga amerikanët dhe britanikët në Jordani. Nga njëra anë, këto forca mbrojnë Jordaninë kundër terroristëve të ISIS dhe, nga ana tjetër, parandalojnë ushtrinë siriane të përparojë në kufijtë e përbashkët me Irakun dhe Jordaninë. Terroristët e Frontit al-Nusra, të cilët janë grupi më i integruar terrorist në Siri dhe shumica e forcave të tij janë gjithashtu ekstremistë të huaj, kanë më shumë prezencë në krahinën e Idlibit, por al-Nusra, ashtu si ISIS, kohët e fundit është përballur me mungesën e forcave njerëzore, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar përdorimin e armëve kimike nga Fronti al-Nusra në Siri. Gjithashtu, Ushtria e Lirë Siriane është dislokuar në zonat në kufirin turk dhe mbështetet nga shërbimi informativ ushtarak i Turqisë MIT dhe CIA amerikane, por aktualisht Ushtria e Lirë nuk është e fortë. Në përgjithësi, mund të thuhet se procesi i çlirimit të Sirisë nga okupimi i terroristëve është përshpejtuar dhe pothuajse finalizuar, por vendi po përballet me një kërcënim të ri. Ky kërcënim është për shkak të një ndryshimi në strategjinë e aktorëve rajonalë dhe jashtërajonalë në Siri që kanë ndryshuar nga "shpërbërja", në "krijimin e një klime autonomie" në Siri. Në këtë strategji të re, të cilën Shtetet e Bashkuara po ndjekin më shumë se vendet e tjera, synohet dobësimi i qeverisë qendrore të Sirisë, pavarësia më e madhe e etnive dhe siguria e regjimit sionist.

 

2-Zhvillimet politike

Në arenën politike, çështja më e rëndësishme është përparimi në samitin e dialogut  mes qeverisë siriane dhe grupeve opozitare siriane në Astana dhe Gjenevë. Takimi i shtatë i qeverisë siriane dhe grupeve opozitare është planifikuar për 30 dhe 31 tetor në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana. Gjatë këtij raundi bisedimesh, do të shqyrtohet zgjerimi gradual i armëpushimit dhe çështje të tilla si zgjerimi i zonave të reduktimit të tensioneve në Siri. Në raundin e gjashtë të bisedimeve të mbajtura më 14 dhe 15 shtator në Astana, tre vendet, Irani, Rusia dhe Turqia, të cilët janë garantues të armëpushimit, ranë dakord të formojnë katër zona të reduktimit të tensioneve në pjesë të krahinës së Idlibit, disa pjesë në krahinat e Latakias, Alepos dhe Hamah, zonat në rahonet Daraa dhe Kuneitra dhe pjesë të provincave Homs, Damask dhe Guta lindore. Gjithashtu, Irani, Rusia dhe Turqia ranë dakord të vendosin trupa për të monitoruar armëpushimet në këto zona.

 

3-Rindërtimi i Sirisë

Dimensioni i tretë i zhvillimeve në Siri është i lidhur me çështjen e rëndësishme të rindërtimit të zonave të çliruara nga pushtimi i terroristëve të ISIS. Në lidhje me këtë, gazeta El-Arabi al-Javid, më 20 tetor 2017, publikoi një artikull të shkruar nga  Samir Sajafan, ku thuhet: “Rreth një milion shtëpi të shkatërruara dhe një milion shtëpi të tjera kanë nevojë për rindërtim. Përveç kësaj, gjithashtu janë dëmtuar rëndë shkollat, klinikat, spitalet dhe agjencitë qeveritare, fabrikat, kompanitë private dhe publike, rrugët, rrjetet e energjisë elektrike, uji dhe sektorët e tjerë. Përveç shkatërrimit të ndërtesave, shumë pajisje të institucioneve shtetërore dhe private dhe ndërmarrjeve janë humbur ose janë vjedhur gjatë luftës. Çarmatosja e qindra mijëra qytetarë që ishin në luftë gjatë këtyre viteve, si dhe kostoja e strehimit të 6 milionë refugjatëve sirianë jashtë vendit dhe 6 milion refugjatëve sirianë brenda vendit është e pallogaritshme. Duke pasur parasysh këto kushte, duket se kostoja e rindërtimit të Sirisë nuk është e kufizuar në disa miliarda dollarë apo edhe në disa dhjetëra miliarda dollarë, por kostoja e rindërtimit të Sirisë vlerësohet me qindra miliarda dollarë”. Ndërkohë, Banka Botërore në vitin 2016 e përllogariti koston e rindërtimit të Sirisë në rreth 200 miliardë dollarë, shumë e cila është tepër e vështirë të realizohet. Është interesant fakti që ndërsa vendet si Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane kanë ofruar të gjitha llojet e mbështetjes për grupet terroriste gjatë shtatë viteve të luftës në Siri, tashmë që Siria është në prag të përfundimit të luftës, kanë deklaruar gatishmërinë për të ndihmuar në rindërtimin e Sirisë dhe kjo është një satirë e hidhur për botën e politikës.

Në programin e ardhshëm, do të shqyrtohen strategjitë  e reja të aktorëve rajonalë dhe jashtërajonalë në Siri.

 

Tags