Arbaini, përkryerja e Ashurasë
(last modified Thu, 09 Nov 2017 08:36:28 GMT )
Nëntor 09, 2017 09:36 Europe/Tirane

Arbaini është dita e arritjes në përkryerje. Përkryerja e Ashurasë, është Arbaini; kjo është përkryerja e të gjitha rrugëtimeve, përkryerja e të gjitha përpjekjeve. Qerbelaja në Arbain është pasqyrim i arritjes në maje, ku njerëzit kalojnë 40 shkallët e rrugës njëzëri dhe së bashku dhe gjatë kësaj rruge nuk njohin lodhje dhe kthim mbrapa.

 

Arbaini është kthimi i një karvani në Qerbela, i cili kishte kaluar 40 ditë të vështira, me shumë vuajtje dhe dhimbje. Ky ishte një karvan i cili duhej të dukej në kulmin e thyerjes, mirëpo tani kthehet krenar dhe kokëlartë dhe ngadhënjimtar, pasi kishte hedhur helmin e disfatës në gojën e familjes së dinastisë emevite. Ky karvan kishte kritikuar në mënyrën më të ashpër pushtetin uzurpues dhe të dhunshëm duke zbuluar të gjitha gënjeshtrat, intrigat dhe komplotet e tij për t'i treguar të vërtetën të gjithë njerëzve. Arbaini është personifikim dhe simbol i zbulimit të skandaleve dhe dhunës e padrejtësisë, duke manifestuar të fitoren e të vërtetës.

Në perëndim të ditës së Ashurasë pas djegies së tendave të shokëve besnikë të Imam Husejnit (a.s.), fëmijët mbetën të pastrehë në shkretëtirë dhe bridhnin andej e këndej, pas disa çasteve u ngrit zhurma dhe gëzimi i fitores së vrasësve dhe kriminelëve në Qerbela. Ushtarët e armikut qeshnin me zë të lartë, kërcenin dhe festonin. Kur ra nata, të gjithë ishin fjetur në tendat e tyre. Në anën tjetër, disa gra dhe fëmijë qëndronin pranë tendave të djegura dhe aty e kaluan natën. Të nesërmen e Ashurasë lajmi i fitores arriti në Kufe dhe Kufa u përgatit për festim. Kalorësit bërtitnin me zë të lartë se "ne u kthyem ngadhënjimtar nga lufta, fituam na jepni neve dhuratat e merituara!"

Ma mbuloni atin tim me flori e argjend sepse unë po kthehem nga vrasje e një personalitetit të madh

Robërit ose më mirë të themi Ehli Bejti i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. hyri në qytetin e Kufës në gjendjen më të keqe të mundshme. Rrobat e tyre ishin grisur dhe femrat nuk kishin mbulesë të mjaftueshme mbi trupin e tyre. Ata gjithashtu ishin vendosur mbi deve dhe kafshë transportuese të papërshtatshme. Robërit me shumë vështirësi dhe vuajtje kishin kaluar rrugën 70-80 km nga Qerbelaja në Kufe. Ata i goditnin me kamxhik dhe i keqtrajtonin në mënyrën më të egër. Kokat e martirëve të Qerbelasë i kishin shpërndarë mbi shtiza në mesin e robërve, për të shkaktuar më shumë vuajtje për ata. Kjo ishte një vuajtje e shoqëruar me torturë dhe kamxhik.

Çdo gjë ishte përgatitur për organizimin e festës së fitores kur papritur me ligjëratën e Hazretit Zejneb (s.a.), u thye e gjithë madhështia e pushtetit emevit në Kufe. Ishte vendosur që askush të mos e lejojë Hazretin Zejneb (s.a.) të flasë në publik, mirëpo ajo mbajti ligjëratë atje. Ligjërata e saj ishte me një oratori aq të guximshme saqë askush nuk kishte guxim ta ndërpresë fjalën e saj. Ajo qëndronte me një madhështi aq të madhe saqë njerëzve iu ndal edhe frymëmarrja. Festa në Kufe mbeti përgjysmë dhe shumë shpejtë karvanin e robërve e nisën drejt Shamit.

Gjendja e hyrjes së karvanit në Sham dhe atmosfera atje, ishte plotësisht e ndryshme nga ajo në Kufe. Nëse në Kufe një ditë kishte qeverisur Imam Aliu (a.s.), në Sham për shumë vite kishte sunduar Muavije bin Sufjan dhe populli i këtij rajoni nuk ishte i njohur me Ehli Bejtin (a.s.). Në Sham për shumë vite zhvillohej propagandë kundër alevitëve dhe ishin shtrembëruar tërësisht të vërtetat dhe hadithet e Profetit s.a.v.s.. Banorët e Shamit e quanin Muavije bin Sufjanin me epitetin "daja i besimtarëve". Kur dëshiruan të fusnin karvanin e robërve të Qerbelasë në qytetin e Damaskut, pavarësisht kërkesës së Hazretit Zejneb (a.s.) dhe të Imam Saxhad (a.s.) për t'i futur ata nga një portë në të cilën nuk do të kishte shumë njerëz, pushtetarët vepruan në të kundërtën dhe karvanin e robërve e futën nga porta me qarkullim më të madh të njerëzve. Ata kokat e martirëve të Qerbelasë i kishin vendosur mbi shtiza dhe në mesin robërve me qëllim që vëmendja e njerëzve të përqendrohet më shumë tek robërit.

Jezid bin Muavije në periferi të qytetit kishte një pallat të veçantë për dëfrime dhe zbavitje, ai nga ky pallat shikonte kokat e martirëve të Qerbelasë. Ai pasi i pa nga larg kokat mbi shtiza, filloi të këndojë këto dy vargje poezie:

Posa u duken këto koka të vendosura mbi shtiza

Dhe posa u shfaqen këta diej nga mbrapa kodrës Xhejrun

Papritur filloi të këndojë korbi! Unë i thash korbit, këndo apo mos këndo

Unë e mora gjakun e a tyre që ishte dashur ta marrë

Për një kohë shumë të shkurtë, ndryshoi situata. Jezidi i fryrë nga arroganca dhe krenaria, me shkop godiste mbi dhëmbët e kokës së Imam Husejnit (a.s.) dhe me përqeshje i thoshte Hazretit Zejneb (s.a.): "Vëllai yt sa dhëmballa të bardha kishte!" Papritur filloi ligjërata e Hazretit Zejneb (s.a.) dhe prishi të gjitha llogaritë e Jezidit. Pas kësaj ligjërate, filluan protestat. Një person i krishterë u ngrit në kuvend dhe me habitje tha: "Ju po festoni vrasjen e fëmijës së Profetit tuaj?! Në tokën time në një ishull të largët mes detit, ndodhet një kishë dhe populli ynë të paktën një herë në vit shkon për ta vizituar atë kishë. Atje ndodhet një enë prej floriri e cila është e varur nga tavani i mihrabit të asaj kishe dhe në këtë enë ndodhet një thua. Njerëzit besojnë se ky thua është pjesë e thundrës së gomarit me të cilin ka udhëtuar Hazreti Isa a.s.. Prandaj njerëzit nga respekti që kanë për Hazretin Isa a.s., shkojnë dhe e vizitojnë këtë vend. Ndërsa ju menjëherë pas vdekjes së Profetit tuaj, po vrisni fëmijën e tij?"

 

Kjo protestë ishte shumë e rëndë për Jezid bin Muavije. Prandaj, ai menjëherë urdhëroi arrestimin dhe vrasjen e këtij të krishteri. Një burrë tjetër i moshuar i cili gjithashtu ishte përfaqësues i Perandorisë Romake aty, u ngrit në këmbë dhe me një ton të ashpër e të zemëruar, protestoi kundër Jezidit. Menjëherë u dha urdhri për arrestimin dhe vrasjen e tij nga Jezidi.

Në këtë mënyrë u ndryshua tërësisht atmosfera e Shamit. Jezidi kur e pa që nuk ka forcë për tu përballur me këtë situatë, për ta thyer këtë atmosferë, urdhëroi të shpërndajnë Kur'anin në pjesë-pjesë për njerëzit dhe të lexojnë atë në mënyrë që njerëzit të preokupohen me diçka tjetër dhe të mos flasin rreth Husejnit (a.s.). Pastaj për ta zbutur atmosferën dhe për të paraqitur një imazh të mëshirshëm nga vetja, vendosi një shtëpi në dispozicion të Ehli Bejtit (a.s.) për të mbajtur zi dhe për të vajtuar aty. Njerëzit grupe-grupe shkonin aty dhe dëgjonin fjalimet e Hazretit Zejneb (s.a.). Në fund këto lloj tubime dhe ligjërata rezultuan në dëm të Jezidit dhe të dinastisë emevite. Prandaj, Jezid bin Muavije u mundua që ta shfajësojë veten nga vrasje e Imam Husejnit (a.s.) dhe tha: "Unë nuk kam dhënë pëlqimin për vrasjen e Husejnit. Ne nuk kishim mosmarrëveshje mes vete".

Në këtë rast duhet patur parasysh kjo çështje se dinastia emevite, që nga fillimi ka bërë përpjekje të shumta që ta ndryshojë atmosferën në interes të saj dhe në dëm të Ehli Bejtit (a.s.) duke u munduar t'i paraqesë të arsyeshme veprimet e veta kundër Ehli Bejtit (a.s.). Kjo propagandë është bërë në përmasa aq të mëdha saqë në vitin 61 hixhri kameri kur u mblodhën ushtarët në Qerbela për ta vrarë Imam Husejnin (a.s.), mendonin se me vrasjen e Husejnit (a.s.), ata do të shkojnë në parajsë. Autori i veprës "Tarikh Ja'kubi" shkruan se nga dita e shtatë e muajit Muharram, për çdo ditë rreth 20000 persona pastronin trupin në lumin Eufrat që për hire të afrimit me Zotin, të vrasin Husejnin (a.s.). Nga koha e Profetit Muhamed s.a.v.s. e deri në martirizimin e Imam Husejnit (a.s.), familje Emevite kishte punuar për 51 vite me radhë për ta thyer Aliun (a.s.) dhe Ehli Bejtin e Profetit s.a.v.s. dhe në këtë kuadër kishte falsifikuar shumë hadithe profetike në favor të vetë. Në kuadër të haditheve të tilla mund të vërehet edhe një si ky: "Xhibrili kur zbriste pranë Profetit, i thoshte atij dërgoje përshëndetjen e Zotit për Muavijen". Është interesant ta dimë se emevitët në po atë masë sa kanë falsifikuar hadithe për të ngritur pozitën dhe rëndësinë e vetë, në po atë masë kanë falsifikuar hadithe për ta ulur pozitën dhe rëndësinë e Ehli Bejtit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Kjo propagandë është zhvilluar deri në atë masë saqë kur Imam Aliu (a.s.) i cili sipas ajetit 61 të sures Ale Imran të Kur’anit të shenjtë konsiderohet sikur shpirti i Profetit s.a.v.s., u martirizua në xhaminë e Kufës, shumë njerëz janë çuditur dhe kanë thënë se “çfarë bënte Aliu në xhami?” Mirëpo Ashura dhe martirizimi i Husejn bin Ali (a.s.) theu tërësisht këtë atmosferë politike, ndërsa në të dyzetat e tragjedisë së Qerbelasë karvani i robërve të Qerbelasë u kthye krenar dhe kokëlartë kurse familje sunduese e dinastisë emevite ndodhej në disfatën dhe poshtërimin e plotë.

Tani Karvani pas dyzetë ditëve larg dhe pas shumë vuajtjeve dhe torturave e ofendimeve, u kthye në Qerbela. Karvani krenar i cili nuk kishte kurrfarë ngjashmërie me atë kohë kur ishte nisur nga Qerbelaja. Karvani i cili kishte thyer komplotet gjysmëshekullore të dinastisë emevite dhe kthehej ngadhënjimtar në Qerbela për ta ripërtërirë besëlidhjen e vetë që kishte bërë me gjakun e martirëve të Qerbelasë dhe për të dërguar një mesazh të madh për të gjithë botën dhe ai është ky: “Kushti i besëlidhjes dhe shoqërimit, është kalimi i rrugës deri në fund”.

Këtu Arbaini gjen konceptin e plotë dhe të përkryerjes së vetë. Arbaini edhe në Kur’an e ka kuptimin e përkryerjes. Zoti i madhëruar moshën dyzetë vjeçare e konsideron kulmin e përkryerjes njerëzore dhe të pjekurisë racionale, prandaj në ajetin 15 të sures Ahkaf thotë: “Dhe në kohën kur njeriu arriti në fazën e zhvillimit dhe të lulëzimit të plotë dhe t’i ketë kaluar 40 vjet, thotë: “Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mi, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti”. Gjithashtu ajeti 142 i sures A’raf vë në dukje premtimin e Zotit për  Hazretin Musa a.s. dhe thotë: “Dhe Ne i caktuam Musait tridhjetë net (afatin për shpallje), e ato i plotësuam edhe me dhjetë të tjera dhe kështu u mbush afati për takim Zotin e tij në dyzetë net”. Prandaj, në këtë mënyrë bëhet e qartë se Arbaini është dita e arritjes në përkryerje. Përkryerja e Ashurasë është Arbaini,  kjo është përkryerja e të gjitha rrugëtimeve, përkryerja e të gjitha përpjekjeve. Qerbelaja në Arbain është pasqyrim i arritjes në maje, ku njerëzit kalojnë 40 shkallët e rrugës njëzëri dhe së bashku dhe gjatë kësaj rruge nuk njohin lodhje dhe kthim mbrapa. Arbaini është fundi i ndarjes dhe fillimi i bashkimit.

 

Në Ashura, Zoti i madhëruar i dhuroi Husejnit (a.s.) të gjithë trashëgimin e profetëve. Në ditën e Arbainit kjo trashëgimi iu dhurua historisë. Ashura manifeston të gjithë atë që Zoti i dhuroi Imam Husejnit (a.s.) ndërsa Arbaini manifeston të gjithë atë që Imam Husejni (a.s.) i dhuroi njerëzimit dhe historisë.

Prandaj në lutjen e Arbainit lexojmë: “O Zot, unë dëshmoj se Husejni (a.s.) e dhuroi gjakun e zemrës së vet në mënyrë që robërit e tu të shpëtojnë nga injoranca dhe padituria dhe të shpëtojnë nga rruga e humbur”.

Tags