Marrëveshja e Soçit; dobësimi i imazhit amerikan në Siri
(last modified Sun, 03 Nov 2019 13:42:10 GMT )
Nëntor 03, 2019 14:42 Europe/Tirane
  • Marrëveshja e Soçit; dobësimi i imazhit amerikan në Siri

Operacionet e Turqisë në veri të Sirisë u ndalën me futjen e Putinit. Javën e kaluar, presidentët e Turqisë dhe Rusisë u takuan në Soçi. Takimi erdhi pas një sulmi të ushtrisë turke dhe grupeve të lidhura me të ndaj Eufratit lindor në Siri.

Takimi solli akordin që ka synim të parandalojë që ushtria turke të vazhdojë operacionet e saj në Eufratin lindor dhe të parandalojë një konfrontim midis ushtrisë turke dhe ushtrisë Siriane. Marrëveshja gjithashtu mund të zvogëlojë shqetësimin e palëve për situatën në veri të Sirisë. Megjithatë, pjesa më e vlefshme e marrëveshjes ka qenë dështimi i strategjisë së administratës amerikane në veri të Sirisë për të formuar një strukturë politike të brishtë dhe të fragmentuar.

Analizimi i marrëveshjes së Soçit

Kjo marrëveshje ka dhjetë klauzola, të cilat mund të shihen si vazhdim i marrëveshjeve të mëparshme midis palëve. Një prej tyre është akordi, i cili u mbajt në 16 shtator 2019, midis tre vendeve, Irani, Turqia dhe Rusia, që theksoi parime të tilla si ruajtja e integritetit territorial të Sirisë dhe parandalimi i formimit të grupeve të reja terroriste nën pretekstin e luftimit të ISIS. Ashtu si në deklaratën e takimit të mëparshëm, deklarata e fundit e Soçit theksoi nevojën për të ruajtur integritetin territorial të Sirisë. Duke pasur parasysh situatën në veri të Sirisë, si dhe përpjekjet e grupeve të armatosura kurde që kanë mbështetjen e SHBA për rajonin e kontrolluar prej tyre, gjithmonë ka pasur shqetësime se Siria veriore mund të jetë në rrezik të shpërbërjes. Një rrezik i tillë mund të çojë në një paqëndrueshmëri dhe krizë të re në Azinë Perëndimore. Përvoja e një strukture të ngjashme në veri të Irakut, ka treguar se formimi i të tilla strukturave të paqëndrueshme mund të jetë një mjedis i përshtatshëm për aktivizimin e grupeve terroriste. Sidoqoftë, pika kryesore në këtë marrëveshje është theksimi në ruajtjen e sigurisë kombëtare të Turqisë kundrejt unitetit politik dhe territorial të Sirisë. Kjo do të thotë se çdo kërcënim që i kanoset Turqisë, duhet të eliminohen. Shqetësimi i Turqisë në këtë drejtim janë aktivitetet e PKK, e cila pas krizës siriane dhe stabilizimit të zonave veriore në ombrellën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka zhvendosur pjesën më të madhe të aktiviteteve të saj në këtë rajon. Në këtë drejtim, marrëveshja konsiston në krijimin e një zone neutrale prej 32 km distancë midis grupeve kurde dhe kufirit turk. Nga ana tjetër, paragrafi i dytë i marrëveshjes gjithashtu thekson se krahas luftës kundër terrorizmit, forcat separatiste në Siri duhet të shtypen. Kjo klauzolë, nga njëra anë, shfuqizon pretekstin e Turqisë për përparimin në territorin sirian dhe shkeljen e sovranitetit të këtij vendi dhe nga ana tjetër, shmang përballjen e padëshiruar që mund të shkaktojë një konflikt në rajon. Kjo do të jetë e mundur me vendosjen e policisë ushtarake ruse dhe praninë e trupave siriane në këtë zonë. Kjo u përmend në klauzolën 5 të marrëveshjes në fjalë. Sipas paragrafit 5 të marrëveshjes më 23 tetor 2019, palët kanë rënë dakord t’i dorëzojnë policisë ruse dhe forcave kufitare siriane, kufirin siriano-turk. Gjithashtu sipas kësaj marrëveshjeje, forcat e YPG duhej të dorëzonin armët e tyre të rënda dhe të tërhiqeshin nga qytetet Manbij dhe Tel Rafat. Sipas kësaj marrëveshje, forcat e YPG humbasin aftësinë e tyre për të paraqitur një kërcënim serioz simetrik për aktorët e shtetit. Aftësia e këtyre forcave me heqjen e armëve të rënda zvogëlohet në aftësinë e luftës guerile. Nga ana tjetër, duke eliminuar këtë aftësi, zvogëlohet gjithashtu aftësia e tyre mbrojtëse kundër aktorëve të shtetit.

Një klauzolë tjetër e rëndësishme në marrëveshje është theksimi në kthimin e refugjatëve. Procesi pritet të kthejë refugjatët në zonën kufitare prej 32 kilometra. Qëllimi i zbatimit të kësaj pike është ndryshimi i strukturës demografike të rajonit. Turqia ka kohë që po ndjek një proces që mund të ndryshojë përbërjen e popullsisë në veri të Sirisë. Masa u zbatua me mbështetjen e grupeve të ndryshme në Eufratin perëndimor dhe vendosjen e tyre në këtë zonë, si dhe refuzimin për të pranuar refugjatë. Zhvendosja demografike krijon kushte që, për shkak të ndryshimit të përbërjes etnike në veri të Sirisë, planet që synonin një ndarje rajonale të hasin në pengesat e fiseve dhe etnive të tjera që kundërshtojnë ndarjen e rajonit. Sidoqoftë, ky proces mund të krijojë një rrezik diskriminimi në shpërndarjen e burimeve dhe fuqisë në veri të Sirisë. Gjithashtu, për shkak të ndasive etnike në rajon, ekziston një mundësi për rritjen e përplasjeve dhe tensioneve etnike në këtë rajon.

Rezultatet strategjike të marrëveshjes së Soçit

Rezultati kryesor i marrëveshjes së Soçit është ruajtja e integritetit territorial të Sirisë dhe rivendosja e sovranitetit të qeverisë siriane në Eufratin lindor. Sipas marrëveshjes, kërcënimi i grupeve divergjente ndaj tërësisë territoriale të Sirisë zvogëlohet, për shkak të uljes së aftësisë së tyre ushtarake. Këto grupe gjithashtu arritën në përfundimin se mbështetja tek lojtarët e huaj për shkak të interesave të tyre të ndërsjella, si dhe përdorimi i tyre si aktorë jo shtetërorë, do tu kushtonte shtrenjtë. Nga ana tjetër, kontrolli i qeverisë siriane mbi kufijtë e saj pas disa vitesh mungese aksesi në këto kufij, i mundëson qeverisë siriane të kontrollojë zonat e saj veriore dhe të parandalojë kërcënime të ndryshme kundër vetes dhe fqinjëve të saj.

Rezultati i dytë i kësaj marrëveshje është dobësimi i imazhit të Amerikës në mesin e grupeve dhe qeverive në rajon. Aktorë të ndryshëm kanë arritur në përfundimin se bashkëpunimi strategjik me SHBA është tepër e vështirë të realizohet. Sidomos për faktin se ky vend nëse interesat e veta nuk arrihen, ai braktis aktorët e tij aleatë. Marrëveshja e Soçit dhe rezultati i saj gjithashtu ka bërë të mundur që SHBA të zvogëlojë praninë e vet në Siri dhe kështu të mundësohet tërheqja e plotë e SHBA nga Siria. Marrëveshja e Soçit gjithashtu mund të ndihmojë në rivendosjen e stabilitetit në rajon. .Stabiliteti që kishte humbur për shkak të shfaqjes së terrorizmit dhe rrezikut të shpërbërjes së aktorëve rajonalë, duke i bërë të pasigurta proceset ekzistuese mbi të ardhmen e rajonit. Me vendosjen e këtij stabiliteti, zvogëlohet mundësia e shpërbërjes dhe ndarjes së zonave kurde, për shkak të asnjanësimit të faktorëve të jashtëm dhe nëpërmjet humbjes së pjesës më të madhe të aftësive ushtarake të grupeve të lidhura, si dhe presioneve të brendshme dhe rajonale.

Pikat e paqarta në zonat kurde

Sidoqoftë, zona e diskutueshme vuan nga disa pika të errëta dhe të ndjeshme. Së pari, për sa kohë Turqia synon të qëndrojë në veri të Sirisë? Cili do të jetë fati i grupeve të lidhura me Turqinë? A do të jetë Turqia e gatshme t'i lëshojë këto forca përpara ushtrisë siriane, pasi të jetë zvogëluar rreziku i grupeve të armatosura kurde? Gjithashtu, grupet e armatosura kurde, a paraqesin një kërcënim serioz për rajonin? Përveç kësaj ekziston shqetësimi i transferimit të armëve specifike, përfshirë armët kundër automjete të blinduara, për aleatët e tjerë në rajon, veçanërisht në Kurdistanin e Irakut. Ky rrezik mund të rrisë besimin e këtyre forcave për të kërcënuar aktorët e shtetit, por megjithatë nuk mund të hap rrugën për ndryshimin reciprok të qëndrimit midis tyre dhe aktorëve shtetërorë. Kjo sepse grupet e armatosura kurde mund të transferojnë shumë nga aftësitë e tyre ushtarake tek aleatët e tjerë pasi të kenë perceptuar rrezikun e zvogëlimit të kapacitetit të vet ushtarak.

 

Tags