Shtator 22, 2020 06:09 Europe/Tirane
  • Valë e re e Islamofobisë në Evropë (1)

Në këtë program të flasim rreth çështjes së djegies së Kur’anit të shenjtë në Suedi dhe ripublikimit të karikaturave ofenduese ndaj personalitetit të Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s..

Njëkohësisht me përhapjen e gjerë të pandemisë Korona, ka filluar edhe një valë e re e Islamofobisë në Evropë. Revista ofenduese “Charlie Hebdo” ka ripublikuar edhe njëherë karikaturat ofenduese kundër personalitetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Revista e pandershme “Charlie Hebdo” që botohet në Paris, një ditë para procesit të gjykimit të dosjes së 13 personave të akuzuar se ishin të lidhur me sulmin me armë zjarri ndaj zyrës së kësaj reviste në vitin 2015, ka ripublikuar karikaturat ofenduese ndaj personalitetit të Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Autori i editorialit të kësaj reviste në numrin e kësaj jave duke ripublikuar karikaturat ofenduese ndaj personalitetit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., ka shkruar: “Këto pamje i përkasin historisë dhe historia as nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund të shlyhet”. Ripublikimi i karikaturave ofenduese ndaj personalitetit të Hazretit Muhamed s.a.v.s. është një javë pasi në Suedi në mënyrë publike janë djegur disa ekzemplarë të Kur’anit të shenjtë. Një grup i ekstremistëve të krahut të djathtë në qytetin Malmo të Suedisë, me një veprim ofendues ndaj simboleve të shenjta të myslimanëve, kanë djegur disa ekzemplarë të Kur’anit të shenjtë. Ky veprim ka ngjallur reagime të gjera.

Trazira në Suedi për shkak të djegies së Kur’anit të shenjtë

Ahmed Al-Tajjib, shejkhul-islam i Universitetit të Az’harit, në faqen e tij në Facebook, ka shkruar: “Ata të cilët kanë bërë paturpësi dhe kanë kryer krim duke djegur disa ekzemplarë të Kur’anit të shenjtë, le ta dinë se këto krime janë veprime terroriste dhe barbare”. Ai ka shtuar se ky veprim i atyre jo vetëm që është një veprim racist dhe larg çfarëdo lloj civilizimi njerëzor, por është edhe hedhje dru në zjarrin e terrorizmit nga i cili po vuajnë Lindja dhe Perëndimi. Shejkhul-Az’har gjithashtu ka shkruar: “Nuk ka dyshim se ky krim do të bëhet shkak për krijimin e ndjenjës së urrejtjes dhe dobëson sigurinë e shoqërive si dhe zhduk shpresën për dialog mes feve dhe qytetërimeve”. Shirin Mazari, ministrja për të drejtat e njeriut të Pakistanit, në faqen e saj në Twitter, në reagim ndaj këtyre veprimeve islamofobiste, ka shkruar: “Veprimet e dënuar në djegien e Kur’anit të shenjtë në Malmo të Suedisë dhe në Oslo të Norvegjisë janë bërë vetëm për të provokuar qytetarët myslimanë të këtij vendi. Këto veprime kanë vazhduar me ripublikimin e karikaturave me natyrë të mosbesimit nga ana e revistës franceze. Siç duket Islamofobia në Evropë është duke u shtuar dhe përhapur pa kurrfarë kontrolli”. Kjo çështje bërë jehonë dhe ka ngjallur reagim të gjera edhe në Republikën Islamike të Iranit. Shoqëria e Profesorëve të Shkollës Fetare në Kum ka lëshuar një deklaratë ku ka dënuar këtë veprim ofendues të revistës franceze “Charlie Hebdo” dhe ka deklaruar: “Umeti Islam dhe gjithashtu çdo njeri liridashës dhe mendimtar e dënon këtë veprim dhe e kundërshton atë në mënyrë të mençur dhe të thellë”. Ofenduesit ndaj Islamit në Perëndim sjelljet dhe veprimet e veta ofenduese ndaj simboleve të shenjta të Islamit po i arsyetojnë në kuadër të lirisë së shprehjes. Ndërkohë, ata reagimin e myslimanëve ndaj ofendimit të simboleve të shenjte të gati dy miliardë myslimanëve në botë e përshkruajnë si veprim ekstremist. Për fat të keq, qeveritarët perëndimor gjithashtu po mbështesin ofendimin ndaj simboleve të shenjta të Islamit. Presidenti francez Emmanul Macron gjatë vizitës së tij në Liban duke u munduar të arsyetojë këtë veprim ofendues të revistës franceze “Charlie Hebdo”, pretendoi se Franca është një vend me lirinë e shprehjes dhe ai nuk është në një pozitë që të gjykojë në lidhje me këtë veprim të revistës “Charlie Hebdo”.

Grupi i vëzhguesve për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve myslimane në reagim ndaj ngjarjeve të fundit në Evropë, ka shkruar: “Çështje me rëndësi në lidhje me ofendimin ndaj simboleve të shenjta të myslimanëve është kjo që të gjitha këto ngjarje po ndodhin përpara syve të forcave të policisë në Perëndim”. Kjo qendër për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve myslimane ka shtuar: “Ne këtë çështje e kemi vërejtur shumë qartë në Holandë, në Francë, Danimarkë dhe në vendet e tjera evropiane. Personat ofendues veprimet e tyre ofenduese i bëjnë vetëm përpara syve forcave policore dhe në asnjë vend tjetër. Në Suedi dhe në Norvegji ka ndodhur saktësisht kjo ngjarje. Në realitet personat ofendues po strehohen te policia në mënyrë që të jenë të sigurt”. Reagimi i qendrës së vëzhguesve për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve myslimane në Evropë është theksim i këtij realiteti se Islamofobia në Perëndim është një fenomen plotësisht i programuar dhe që mbështetet nga ana e qeverive dhe strukturave shtetërore perëndimore.

Përkundër pretendimeve të qeverive perëndimore, ofendimi ndaj simboleve të shenjta islame është në kundërshtim me parimet e të drejtave të brendshme dhe të të drejtave ndërkombëtare. Qeveritë perëndimore po shfrytëzojnë lirinë e shprehjes në mënyrë plotësisht si një mjet dhe instrument për qëllimet e tyre. Qeveritarët perëndimor po pretendojnë se liria e shprehjes është prej shtyllave të liberaldemokracisë dhe nuk mund ta kufizojnë lirinë e shprehjes dhe të parandalojnë kryerjen e veprimeve të tilla ofenduese ndaj Islamit. Mirëpo ekzistojnë shumë shembuj dhe raste të cilat tregojnë se Perëndimi në lidhje me këtë çështjeje ka qëndrim plotësisht të dyanshëm dhe hipokrizi. Më 27 janar të vitit 2009, Moris, karikaturisti i revistës “Charlie Hebdo”, për shkak të publikimit të një materiali dhe citimit të një satire në lidhje me djalin e Nikola Sarkozi, presidentit të Francës në atë kohë, është larguar nga puna. Krimi i Moris u deklaruar nxitje të urrejtjes ndaj hebrenjve. Të qenit e paligjshme dhe e ndaluara e kritikës ndaj homoseksualëve, dhënia e deklaratave dhe mendimeve, paraqitja e pyetjeve dhe hulumtimi ose vënia në dyshim të Holokaustit në disa vende perëndimore; janë prej shembujve të tjerë të trajtimit të dyanshëm të lirisë së shprehjes dhe të të drejtave të njeriut në botën perëndimore. Kritika ndaj Holokaustit në Francë dënohet deri me një vit burg dhe gjobë deri në një shumë të madhe parash. Ofendimi ndaj feve të ndryshme është veprim i pamoralshëm dhe në kundërshtim me ligjet dhe normat ndërkombëtare, si me paragrafin 3 të nenit 19 dhe 20 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Në paragrafin 3 të nenit 19, thuhet se liria e shprehjes nuk është e pakufizuar dhe duhet marrë parasysh të drejtat dhe dinjitetin e të tjerëve si dhe ruajtjen e rendit publik. Në nenin 20 të po kësaj konvente ndalohet çfarëdo lloj predikimi i luftës dhe nxitja e urrejtjes kombëtare, fetare dhe racore. Përveç këtij neni, edhe në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara e miratuar në vitin 1948, në deklaratën e Komisionit për të Drejta të Njeriut pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1996, në Deklaratën e Samitit të Krerëve të OKB e miratuar më 12 dhjetor të vitit 2003, si dhe në deklaratën e miratuar në Samitin e Durbanit në vitin 2003, gjithashtu ekzistojnë paragrafë që dënojnë ofendimin e feve dhe personaliteteve fetare. Ofendimi ndaj simboleve të shenjta fetare të gati dy miliardë myslimanëve në botë është sjellje raciste dhe diskriminuese e cila nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë dhe veprime të tilla kryhen vetëm në bazë të urrejtjes dhe armiqësisë së shteteve e qeverive perëndimore me mësimet drejtësidashëse dhe paqedashëse të Islamit si fe që e lufton padrejtësinë.

Liria e shprehjes në Perëndim

Ofendimi ndaj simboleve të shenjta të myslimanëve dhe islamofobia nuk është ndonjë fenomen i ri dhe Perëndimi pas shkatërrimit të ish-Bashkimit Sovjetik dhe shtimit të prirjeve ndaj Islamit në shumë vende perëndimore, Islamofobinë dhe urrejtjen ndaj Islamit e ka vendosur në programin e vet të punës duke e përhapur në përmasa të gjera. Ky fenomen ka filluar para më shumë se tre dekadave me publikimin e librit “Ajetet Djallëzore” të autorit Selman Rushdi, britanikut me origjinë pakistaneze, ndërsa me kalimin e kohës, ky fenomen është përhapur në forma të ndryshme në nivel të gjerë në vendet perëndimore. Publikimi i karikaturave ofenduese në revistat e ndryshme daneze, prodhimi dhe publikimi i filmave të ndryshme si “Fitna” dhe “Pafajësia e Myslimanëve” dhe e karikaturave ofenduese ndaj personalitetit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. në revistën franceze “Closer” dhe publikimi i përsëritshëm i karikaturave ofenduese ndaj Hazretit Muhamed s.a.v.s., profetit të mëshirës dhe dashurisë, në revistën “Charlie Hebdo”, janë vetëm disa nga shembujt e tillë të Islamofobisë në Perëndim. Qeveritë perëndimore po e përhapin Islamofobinë duke ndjekur dy qëllime themelore. Njëri prej këtyre qëllimeve është mosdëgjimi i zërit të Islamit të vërtetë dhe burimor nga njerëzit e etur për spiritualitetin hyjnor dhe drejtësidashës të fesë Islame dhe qëllimi tjetër është prishja dhe njollosja e imazhit të Islamit të vërtetë dhe burimor. Pikërisht për këtë arsye dhe në kuadër të prishjes së imazhit të mësimeve të Islamit burimor, në mediat perëndimore veprimet dhe krimet e grupeve takfiriste dhe terroriste si Al Kaida, ISIS dhe Taleban i janë veshur të gjithë myslimanëve. Në mediat perëndimore, Islami është i barabartë me mendimin e ngurtë, dhunën, prapambetjen dhe fanatizmin verbal. Pikërisht në këtë kuadër, reagimi i myslimanëve kundër ofendimeve ndaj simboleve të shenjta të Islamit, propagandohet si qëndrim i ngurtë dhe fantizëm verbal. Kjo është në kohën kur simbolet e shenjta të çdo feje dhe shkolle fetare janë të respektueshme dhe të shenjta për ndjekësit e asaj feje dhe kjo çështjeje nuk është e kufizuar vetëm me Islamin. Pretenduesit e liridashjes dhe drejtësidashjes në Perëndim mendojnë se duke ofenduar simbolet e shenjta të fesë Islame në kuadër të njollosjes dhe prishjes së imazhit të Islamit të vërtetë, ata mund të realizojnë qëllimet e veta për të penguar dhe ndaluar depërtimin e mësimeve drejtësidashëse dhe paqedashëse të Islamit në Perëndim. Kjo është në kohën kur politika anti-islame e qeverive dhe mediave perëndimore për prishjen e imazhit të Islamit ka rezultuar me një reagim të kundërt dhe ofendimi i simboleve të shenjta të Islamit vetë është shndërruar në një predikim dhe motiv në shoqëritë perëndimore për të lexuar dhe studiuar më shumë Kur’anin e shenjtë dhe mësimet e Islamit. Hulumtimet tregojnë se pavarësisht të gjitha predikimet kundër Islamit në shoqërinë perëndimore, statistikat dhe numri i prirjes së njerëzve drejt Islamit sidomos në mesin e grave, është duke u rritur në masë shumë të madhe. Edhe atë në rrethanat kur mediat perëndimore po bëjnë përpjekje jashtëzakonisht të mëdha për ta prezantuar fenë Islame si një fe kundër femrës.

Tags