Shtator 22, 2020 06:14 Europe/Tirane
  • Rrymat ekstremiste të djathta dhe përhapja e anti-islamizmit në Evropë

Veprimet e fundit anti-islamike në vendet evropiane, veçanërisht djegia e Kuranit Famëlartë në Suedi dhe veprimi i revistës satirike franceze Charlie Hebdo në ribotimin e karikaturave fyese për Profetin e Islamit (savs) tregojnë se rrymat anti-islamike po kërkojnë t'i kundërvihen Islamit me më shumë forcë dhe gjithashtu të paraqesin një imazh të pahijshëm të profetit të madh të kësaj feje qiellore.

Kjo rrymë anti-islamike drejtohet nga e djathta ekstreme, e cila vitet e fundit, për shkak të dy fenomeneve, përkatësisht krizës ekonomike në Evropë që nga viti 2008 dhe recesionit aktual ekonomik i paparë të shkaktuar nga pandemia e virusit Korona dhe sëmundja Covid-19, si dhe pushtimi azilkërkuesve shumica dërrmuese e të cilëve janë myslimanë, ka qenë në gjendje të përmirësojnë gradualisht pozicionin e vet duke tërhequr opinionin publik në Evropë dhe në përputhje me këtë, të zgjerojnë praktikat e veta anti-islamike.

Individët, lëvizjet dhe partitë ekstremiste të djathta kanë qortuar myslimanët dhe përmes veprimeve anti-islamike, duke përfshirë fyerjen e Profetit të Shenjtë (savs), fyerjen e Kuranit Famëlartë dhe portretizimin e myslimanëve si terroristë, kanë krijuar kushte të atilla që e kanë bërë shumë më të vështirë jetën e myslimanëve në shoqëritë evropiane. Sidoqoftë, roli i qeverive dhe udhëheqësve evropianë në promovimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të islamofobisë dhe nxitjen e mediave evropiane në këtë fenomen dhe paraqitjen e një imazhi të shtrembëruar të Islamit nuk duhet të neglizhohet. Në fakt, e djathta ekstreme po ecën mbi një valë të krijuar nga vetë qeveritë evropiane.

Në Shtator 2019, shfaqja e ekstremit të djathtë në Evropë ka çuar në një rritje dramatike të rasteve të Islamofobisë dhe një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin Evropian, sipas Fondacionit STA për kërkime politike, ekonomike dhe sociale. Sipas ekspertit politik Nusratullah Taxhik: "Prirja është bërë e tillë që komunitetet myslimane, nëse dikur ndiheshin të sigurt në Perëndim, tani ta nuk ndihen në atë mënyrë sepse janë nën presionin e Islamofobisë".

Rritja e fuqisë së partive të ekstremit të djathtë anti-emigrant në disa vende evropiane, duke përfshirë Francën, Greqinë, Britaninë, Suedinë, Holandën dhe Danimarkën, si dhe formimi i lëvizjeve anti-islamike dhe anti-emigracion të tilla si Pegida në Gjermani, janë shfaqje të qarta të ngritjes së islamofobisë në Perëndim dhe rrjedhës anti-myslimanizëm. Kjo prirje, nga njëra anë, ka hapur rrugën që të rinjtë e këtyre vendeve t’u drejtohen grupeve ekstremiste dhe të kryejnë sjellje ekstremiste me akte dhune dhe nga ana tjetër, ka ndihmuar në trajtimin e çështjes së azilkërkuesve myslimanë nga aspekti i sigurisë. Myslimanët janë viktimat e para të ngritjes së fuqisë së ekstremit të djathtë në Evropë.

Në fakt, ndryshimi i natyrës së fenomenit të emigracionit nga një fenomen social në një politik, dhe veçanërisht trajtimi i tij për nga  siguria gjatë viteve të fundit, ka ndryshuar mënyrën e trajtimit të azilkërkuesve dhe emigrantëve nga qeveritë evropiane. Kjo ka çuar në orientimin dhe rritjen e qëndrimeve të bazuara në identitet kundër emigrantëve myslimanë.

Përveç kësaj, gama e gjerë e propagandës islamofobe në mediat evropiane rreth pasojave negative të emigrimit të përhapur të myslimanëve në Evropë dhe sulmet terroriste nga grupi terrorist takfirist ISIS në vende të ndryshme evropiane, veçanërisht Francë, Gjermani dhe Britani, së bashku me propagandën perëndimore dhe fushatën psikologjike kundër Islamit dhe kundër myslimanëve, gradualisht kanë çuar në krijimin e besimit dhe bindjes tek shoqëritë evropiane se rreziku i dominimit mysliman në vendet evropiane është serioz dhe se përhapja e Islamit si dhe prania dhe ndikimi në rritje i myslimanëve duhet të kundërshtohen. Sipas Shejh Rejhan Reza Al-Az’hari, një ekspert i studimeve islamike, mediat perëndimore duke botuar materiale të rreme dhe duke promovuar Islamofobinë, po shkaktojnë ekstremizëm tek të rinjtë perëndimorë. Kjo ka çuar në një trend rritës të veprimeve anti-islamike në Evropë deri në vitin 2020.

Një nga veprimet më të fundit të ekstremit të djathtë ndodhi në Evropën Veriore, pikërisht në Suedi. Të Premten më 28 Gusht, tre anëtarë të këtyre grupeve ekstremiste i vunë flakën një vëllimi të Kuranit të Shenjtë në qytetin jugor suedez, Malom. Publikimi i imazheve të këtij akti fyes të Premten në mbrëmje shkaktoi protesta të gjera me pjesëmarrjen e të paktën 300 myslimanëve. Akti anti-islamik i ekstremit të djathtë erdhi pasi Rasmus Paludan, udhëheqësi i partisë së ekstremit të djathtë danez Hard Line, nuk u lejua të mbante një tubim në Malom dhe u ndalua në kufirin me Suedinë.

Ekstremisti danez më parë u kishte bërë thirrje mbështetësve të tij që të digjnin Kuranin. Paludan kishte planifikuar të udhëtonte në Suedinë jugore të Premten më 28 Gusht për të protestuar kundër myslimanëve. Ai gjithashtu bëri thirrje për djegien e Kuranit. Kjo figurë anti-islamike më parë kishte djegur Kuranin dhe kishte postuar fotografi të tij në faqen e tij personale në mediat sociale. Policia suedeze thuhet se e ka ndaluar Paludan të hyjë në vend për dy vjet. Grupi ekstremist suedez anti-emigracion “Straum Kurz” pas kësaj të Enjten më 10 Shtator, i vuri zjarrin një kopje të Kuranit në një lagje myslimanësh në kryeqytetin Stokholm.

Në një lëvizje tjetër anti-islamike, botimi satirik francez Charlie Hebdo, pas vitit 2015 edhe një herë publikoi karikaturat fyese për Profetin e Islamit (savs). Charlie Hebdo e bëri këtë në editorialin e saj elektronik të martën më 1 shtator dhe e publikoi atë të nesërmen në revistën e shtypur.

Veprimi i kësaj reviste u krye një ditë para se 13 burra dhe gra të gjykoheshin në një gjykatë franceze pasi ata përballeshin me akuzat e sulmit ndaj zyrës së revistës në janar 2015. "Këto imazhe i përkasin historisë dhe historia nuk mund të rishkruhet ose fshihet," shkroi revista në editorialin ofendues të së Martës duke vendosur karikaturën e saj ofenduese ndaj profetit. Në fakt, ky akt fyes është një shenjë e vazhdimit të një qasje armiqësore ndaj Islamit dhe që synon shkatërrimin e imazhit hyjnor të Profetit qiellor dhe të lartë të Islamit (savs). Dymbëdhjetë karikatura fyese kundër Profetit të Islamit (savs) u botuan për herë të parë nga një gazetë daneze në vitin 2005 dhe Charlie Hebdo për herë të parë i ribotoi ato në vitin 2006.

Veprimi u prit me protesta të gjera nga myslimanët në të gjithë botën dhe zyra e revistës u sulmua në vitin 2015, për shkak të neglizhencës dhe madje edhe përqeshjes së stafit të saj dhe këmbënguljes për këtë qëndrim anti-islamik. Pas sulmit në vitin 2015 në zyrën e Charlie Hebdo, partitë e ekstremit të djathtë si Fronti Kombëtar, i udhëhequr nga Marine Le Pen, e panë atë si një mundësi të artë për të kundërshtuar Islamin dhe që të fitonin votat franceze.

Tani, 5 vjet pas sulmit të vitit 2015, personat përgjegjës për këtë revistë e kanë përsëritur edhe një herë këtë akt fyes me një veprim që synon vetëm nxitjen e myslimanëve dhe në një farë mënyre të tregojë urrejtjen dhe neveritjen e tyre ndaj Islamit dhe Profetit të Shenjtë (savs). Por reagimi i myslimanëve ndaj këtij akti anti-islamik edhe një herë u shfaq në formën e demonstratave në vende të ndryshme dhe dënimit të tij nga asambletë dhe personalitetet islamike.

Ajetollah Khamenei, lideri suprem i revolucionit islamik në një mesazh tha se, mëkati i madh dhe i pafalshëm i një gazete franceze në ofendimin e figurës së ndritur dhe të shenjtë të hazretit Muhamed (savs), edhe një herë tregoi mërinë dhe irritimin dashakeq të aparatit politik dhe kulturor të botës perëndimore kundër islamit dhe shoqërisë islame. Ajetollah Khamenei shtoi: preteksti i lirisë së shprehjes i cili është përdorur nga politikanët francezë për të mos dënuar këtë veprim kriminal të madh është krejtësisht i papranueshëm, i gabuar dhe mashtrues. Lideri suprem i revolucionit islamik ndër të tjera tha se politikat e thella anti-islame të sionistëve dhe qeverive arrogante janë shkaktarë të të tilla lëvizjeve armiqësore, të cilat shfaqen herë pas here. Kjo lëvizje në një kohë si kjo, mund të ketë për qëllim të devijojë vëmendjen e popujve dhe të qeverive në Azinë Perëndimore nga planet e turpshme dhe kurthet e Amerikës dhe regjimit sionist në rajon. Ajetollah Khamenei theksoi se popujt myslimanët sidomos në vendet e Azisë perëndimore, përveçse duhet të ruajnë inteligjencën dhe vigjilencën në çështjet e rajonit, nuk duhet të harrojnë kurrë armiqësitë e politikanëve dhe krerëve perëndimorë ndaj islamit dhe myslimanëve.  Lideri suprem i Revolucionit Islamik iu referua fjalëve të presidentit të Francës, Emanuel Macron, i cili, pas përhapjes së protestave në botën Islame kundër aktit fyes të Charlie Hebdo, në një deklaratë të pacipë e konsideroi ofendimin si një pjesë e lirisë së shprehjes. "Unë jam këtu për të mbrojtur këto liri," pretendoi ai.

Presidenti francez i ka quajtur fyerjet ndaj feve dhe shenjtërove si një akt i lirisë së shprehjes, ndërkohë që vendi i tij është vetëm një nga disa vende perëndimore që mohimin e Holokaustit e konsiderojnë akt kriminal. Macron i është drejtuar çështjes së "lirisë së shprehjes" për të justifikuar veprimin e Charlie Hebdo, ndërkohë që në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe përkufizimin e lirisë së shprehjes dhe kufizimet e tij, në asnjë mënyrë nuk është e lejueshme ofendimi i besimeve fetare apo i etnive të tjera.

Ekspertët gjithashtu flasin mbi  kontradiktën midis mbrojtjes së Macron ndaj ofendimit të bërë nga Charlie Hebdo dhe lidhjes me lirinë e shprehjes dhe theksojnë se mbrojtja e gjuhës së urrejtjes është kundër ligjit francez. Macron pretendon se së bashku me "lirinë e fjalës, ekziston edhe detyra e parandalimit të gjuhës së urrejtjes". Sidoqoftë, ekziston pyetja se lejimi i qeverisë franceze për të botuar karikatura fyese kundër Profetit të Islamit (savs) nga Charlie Hebdo dhe mbrojtja e Macron për këtë çështje, a ka ndonjë funksion tjetër përveç rritjes së urrejtjes së popujve të Evropës dhe dyshimit të tyre ndaj Islamit dhe myslimanëve dhe paraqitjes së një imazhi joreal të Profetit të Islamit (savs)?  

Është e qartë se nëse kjo rrjedhë vazhdon, jo vetëm që Charlie Hebdo do të vazhdojë të tilla akte të egra, por edhe ekstremistët e djathtë të cilët kohët e fundit i vunë zjarrin Kur'anit të Shenjtë në Suedi dhe bënë të njëjtën gjë në Danimarkë vitin e kaluar, do të gjejnë më shumë hapësirë dhe guxim për të zgjeruar veprimet e tyre.

Në këtë mënyrë, myslimanët që jetojnë në vendet evropiane, veçanërisht ata që jetojnë ne vendet ku lëvizjet e ekstremit të djathtë janë aktivë, do t'i nënshtrohen më shumë ngacmimeve dhe diskriminimeve. Sipas Abdul Latif Nazari, një politikan afgan dhe ekspert i çështjeve ndërkombëtare: Kjo lëvizje e neveritshme jo vetëm që brengosi zemrat e myslimanëve, por gjithashtu kontribuoi në rritjen e ekstremizmit dhe terrorizmit. Myslimanët presin që qeveria franceze që të mos lejojë që liria e shprehjes të përdoret për të ofenduar simbolet e shenjta të miliona myslimanëve.

Ndërkohë, personalitete dhe rryma që kundërshtojnë rrjedhat anti-islame dhe ato rryma që paraqesin një imazh të neveritshëm të Islamit në Evropë, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në kundërshtimin e rrymave të ekstremit të djathtë dhe veprimet e tyre anti-islamike. Midis tyre është kryepeshkopi suedez Ante Jakile, së bashku me zyrtarë të lartë të kishës, të cilët të Dielën më 13 Shtator, dolën me një deklaratë ku dënuan përdhosjen e Kuranit në këtë vend nga një grup i ekstremit të djathtë. Ata theksuan se akti i përdhosjes së Kuranit ishte një veprim barbar. Deklarata tha se veprime të tilla rrisin polarizimin mes popullit në një kohë kur Suedia ka nevojë për unitet.

Në përgjithësi, në kontinentin evropian, veçanërisht në Britani, Francë dhe Gjermani dhe disa vende të tjera evropiane, anti-islamizmi dhe përdorimi i dhunës verbale dhe fizike dhe diskriminimi ndaj myslimanëve vitet e fundit janë rritur shumë. Sulmet ndaj xhamive dhe djegia e vendeve të faljes së myslimanëve, sulmet fizike dhe verbale ndaj myslimanëve dhe madje edhe jo-myslimanëve që duken se vijnë nga rajoni i Azisë Perëndimore dhe diskriminimi ndaj ndjekësve të Islamit në fusha të ndryshme të arsimimit dhe profesionalizmit, janë vetëm disa shembuj të Islamofobisë në shoqëritë perëndimore. Sipas Ahmed Sweidi, një profesor në Universitetin e Nehzatul (lëvizja) Ulema në Indonezi: Fenomeni i Islamofobisë në vendet perëndimore nuk është i kufizuar vetëm në diskriminimin profesional, por përfshin dhunën dhe terrorizmin.

Në raportin e saj të vitit 2018, Organizata e Dokumentimit për Islamofobinë dhe Racizmin kundër myslimanëve në Austri raportoi një rritje prej 74% të sulmeve raciste kundër myslimanëve. Shoqëria Anti-Islamofobike e Francës (CCIF) ka regjistruar një rritje prej 52% të sulmeve raciste kundër myslimanëve në Francë. Agjencitë qeveritare britanike raportojnë një rritje prej 40% të incidenteve të diskriminimit fetar në vitet 2017-2018 krahasuar me vitet 2015-2016. Gjatë së njëjtës periudhë, u regjistrua një rritje prej 50 përqind e sulmeve ndaj vendeve të faljes së myslimanëve. Propaganda anti-islamike dhe promovimi i islamofobisë nga liderët perëndimorë siç është presidenti i SHBA Donald Trump, si dhe mbrojtja irracionale e presidentit francez Emanuel Macron ndaj veprimeve ofenduese kundër Profetit të Islamit (savs), tregojnë shkallën e ndikimit të gjerë të fjalëve dhe veprimeve të udhëheqësve perëndimorë në inkurajimin e rrymës së djathtë ekstreme për të përhapur anti-islamizëm dhe për të kryer akte diskriminimi dhe dhune ndaj myslimanëve.

Ekspertët nga Komiteti i Këshillit të Evropës kundër Diskriminimit, në një raport të fundit, vunë në dukje rritjen e anti-islamizmit dhe ksenofobisë, duke thënë se fjalët e politikanëve evropianë kishin ndihmuar për të krijuar këtë situatë dhe një ndarje shoqërore. Në fakt, vitet e fundit qeveritë evropiane të cilat janë përballur me çështjen e azilkërkuesve kanë luajtur direkt ose indirekt një rol të efektshëm në nxitjen e anti-islamizmit në mënyrë që të kundërshtojnë praninë në rritje të myslimanëve në Evropë duke heshtur ose duke mbrojtur praktikat anti-islamike.

 

 

Tags