Të drejtat islame të njeriut
https://parstoday.ir/sq/radio/world-i18697-të_drejtat_islame_të_njeriut
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut".
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Qershor 21, 2016 21:53 Europe/Tirane
  • Të drejtat islame të njeriut

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut".

Në këtë edicion do të flasim rreth pozitës së të drejtave spirituale në të drejtat islame të njeriut. Në edicionin e kaluar thamë se e drejta për të jetuar është e drejta më themelore dhe më e natyrshme e njeriut dhe nga pikëpamja e Islamit, jeta e njeriut ndahet në dy pjesë në jetën materiale dhe në jetën spirituale. Jeta materiale është jeta fizike e trupit në botë. Mirëpo jeta spirituale ka lidhje të ngushtë me shpirtin e njeriut dhe ky shpirt ka natyrë hyjnore. Njeriu është qenie e amshueshme dhe jeta shpirtërore e tij vazhdon edhe pas vdekjes. Nga pikëpamja e Kur'anit të shenjtë, ky parim i përbashkët do të thotë natyra qenësore ka tre specifika. E para është që ajo kërkon vetëm Zotin. E dyta, ajo është vendosur në të gjithë njerëzit; dhe e treta, ajo është e mbrojtur nga çfarëdo lloj dëmtimi. Për këtë arsye Zoti i madhëruar në ajetin 30 të sures Rum thotë: "Kjo është natyra qenësore me të cilën Zoti ka krijuar njerëzit. Nuk ka ndryshim në krijimin hyjnor..." Prandaj njeriu ka një natyrë e cila është e varur prej dheu dhe ka një natyrë qenësore e cila ka mbështetje në shpirtin hyjnor. Të gjitha virtytet e larta të njeriut burojnë nga natyra qenësore dhe të gjitha shtrembërimet e tij burojnë nga natyra fizike. Mes këtyre dy natyrave gjithnjë ekziston një betejë e qëndrueshme e cila quhet "Xhihadi Akbar" që do të thotë lufta e madhe. Atëherë kur në këtë betejë ngadhënjen natyra qenësore, të gjithë engjëjt përulen pranë njeriut, ndërsa atëherë kur natyra fizike ngadhënjen në këtë betejë, njeriu bëhet një qenie më e ulët se sa kafshët. Kur'ani i shenjtë gjithashtu ka folur rreth dy lloje të jetës materiale dhe shpirtërore. Në pikëpamjen e Kur'anit të shenjtë, nëse njeriu detyrohet që të zgjedhë njërën prej këtyre dy pjesëve, atëherë ai duhet të sakrifikojë jetën materiale dhe të zgjedhë jetën shpirtërore. Zoti i madhëruar në ajetin 74 të sures Nisa të Kur'anit të shenjtë thotë: "Ata të cilët e kanë shitur jetën e kësaj bote për botën tjetër, duhet të luftojnë në rrugën e Zotit!" Prandaj ata të cilët kanë sakrifikuar jetën materiale për jetën shpirtërore, duhet të luftojnë në rrugën e Zotit dhe ata të cilët nuk e bëjnë një zgjedhje të tillë, patjetër se do të pendohen në ditën e kiametit dhe thonë: "Ah sikur të kishim dërguar më parë diçka për këtë jetë (shpirtërore)!" (Surja Faxhr, ajeti 24). Një çështje për të cilën na udhëzon Kur'ani i shenjtë është kjo që jeta shpirtërore është shumë më e frytshme se sa jeta materiale. Për këtë arsye, rreziku i atyre që kërcënojnë jetën shpirtërore është shumë më i madh se sa rreziku i atyre që kërcënojnë jetën materiale. Në edicionin e kaluar thamë se privimi nga jeta materiale bëhet me vrasje dhe privimi nga jeta shpirtërore bëhet me anë të shtrembërimit. Ai i cili shtrembëron të tjerët nga rruga e drejtë, në realitet zhduk jetën e tyre shpirtërore. Për këtë arsye Kur'ani i shenjtë në suren Bekare ajetet 191 dhe 217, thekson: "Përçarja (intriga) është më e keqe se vrasja". Intriga është privimi nga jeta shpirtërore dhe shtrembërimi nga bindjet fetare. Një prej shembujve më të dalluar të intrigës është përhapja e ideve të devijuara dhe propagandimi i dukurive të këqija dhe degjenerimi moral. Prandaj lufta kundër intrigës është shumë më e vështirë dhe shumë e dobishme se sa lufta kundër krimeve me në krye vrasjen.

Tani shtrohet pyetja se ndarja e jetës në dy pjesë në atë materiale dhe shpirtërore, çfarë dobie mund të ketë në sferën e të drejtave të njeriut? Në përgjigje të kësaj pyetje duhet thënë se karakteristika më e dukshme e njeriut është trupi i tij fizik i cili merr gjendje të ndryshme në situata të ndryshme. Për shembull, ndryshimi i klimës në rajonet e ndryshme, dallimi i racave dhe dallimi i situatës gjeografike bëhen shkak që popujt dhe kombet e ndryshme të kenë gjendje të veçantë fizike. Lloji i ndikimit të bimëve në një rajon gjithashtu ndryshon sipas gjendjes gjeografike. Nganjëherë vërehet se një bimë e zhvilluar në një rajon të ngrohtë në atë rajon gjeografik ka specifika farmaceutike, ndërsa në një rajon të ftohtë nuk posedon specifika të tilla. Si pasojë, asnjë farmaceolog i vetëdijshëm në mënyrë të sigurt dhe të bindur qind për qind, nuk mund të vendosë se një medikament i caktuar ka dobi të njëjtë për të gjithë njerëzit e botës. Çështje e rëndësishme është kjo që njeriu nuk përkufizohet vetëm në trupin fizik, për arsye se njeriu përveç trupit material, ka edhe shpirt. Të gjithë njerëzit kanë një aspekt të përbashkët dhe të qëndrueshëm. Pikërisht ky aspekt mund të garantojë lumturinë e njeriut si dhe të sigurojë mirëqenien e vërtetë për njeriun. Kur'ani i shenjtë këtë aspekt të përbashkët e quan "ruh" që do të thotë "shpirt" dhe thotë se ky shpirt ka natyrë hyjnore. Shpirti i njeriut kurrë nuk qëndron në pranga të dallimeve klimatike. Ky shpirt ashtu siç ekziston në lindje, pa kurrfarë dallimi ekziston edhe në perëndim. Shpirti në zonën ekuatoriale ka të njëjtën karakteristikë që ka shpirti i njeriut në pole. Shpirti i njeriut nuk qëndron i prangosur as në tokë as në qiell dhe njëkohësisht qëndron edhe në tokë edhe në qiell. Me fjalë të tjera, shpirti përkundër trupit, është një dhe i qëndrueshëm dhe nuk është i shumtë dhe as i ndryshueshëm. Shpirti i njeriut mund ta kërkojë dhe gjejë Zotin në det, tokë, qiell dhe në çdo vend. Pikërisht për këtë fakt se shpirti nuk ka kufij, Zoti i madhëruar në ajetin 115 të sures Bekare të Kur'anit të shenjtë thotë: "Nga çdo anë që të ktheheni, atje do ta gjeni Zotin". Edhe më parë kemi thënë se burim i përbashkët që mund të konsiderohet pikë e përbashkët për të gjithë njerëzit, është natyra hyjnore. Prandaj meriton që përsëri të theksojmë në këtë çështje se natyra hyjnore nëse nuk merret si burim i të drejtave të dëshiruara, atëherë as hartimi i të drejtave të njeriut nuk sjell rezultat as komentimi dhe as zbatimi i tyre. Sekreti i kësaj të vërtete është fakti se asgjë sikur natyra hyjnore nuk pengon materialistët që të realizojnë përfitimet e tyre materiale. Me të vërtetë çfarë faktori mund ta inkurajojë njeriun që në vend se të synojë përfitimet e tij materiale, të marrë parasysh interesat e përbashkëta të të gjithë njerëzve? Në këtë mënyrë bëhet e qartë se në caktimin dhe njohjen e burimeve të të drejtave të njeriut nuk mund të besohet në asgjë tjetër, përveç në këtë parim të përbashkët dhe asnjëherë nuk të mbështetemi në faktorët e ekzistencës së njeriut që janë të lidhura me natyrën fizike të njeriut. Rezultati i këtij diskutimi mund të vërehet në çështjet juridike. Rregulloret e të drejtave të njeriut janë vendosur në bazë të karakteristikave të trupit fizik dhe nga ata të cilët janë të robëruar në burgun e trupit. Prandaj, këto rregullore ndjekin mosmarrëveshjet e trupave dhe dallimet e rajoneve të ndryshme dhe nuk mund të jenë universale. Mirëpo feja e cila është në nivelin e shpirtit të njeriut dhe është shpallur nga Ai i cili nuk është i prangosur në asnjë prej karakteristikave të materies dhe shpirtit, parimisht është universale dhe nuk kufizohet në kohë dhe vend të caktuar. Prandaj të gjitha dispozitat fetare duke përfshirë edhe ato të jurisprudencës fetare, posedojnë këtë karakteristikë. Për këtë arsye, profetët e Zotit me vendosmëri dhe me bindje të pandryshueshme, kanë kumtuar mesazhin e unitetit të fesë së pastër monoteiste. Në njohurit jo hyjnore ose në shkencat ekzakte dhe materiale asnjëherë nuk mund të arrihet një vendim i sigurt dhe i prerë sepse për çdo ditë paraqitet një hipotezë e re në botë e cila është ndërtuar mbi gërmadhat e një hipoteze të vjetër dhe vet ajo hipotezë një ditë do të shkatërrohet. Mirëpo përballë saj, konceptet themelore të fesë, kurrë nuk vjetrohen dhe gjithnjë përputhen me ndryshimet kohore dhe vendore, ndërsa vet ato nuk pësojnë kurrfarë ndryshimi.

Në nenin e tretë të Deklaratës Botërore për të Drejtat e Njeriut thuhet: "Çdo njeri gëzon të drejtën për të jetuar, për të qenë i lirë dhe sigurinë personale". Në këtë kuadër, në mësimet islame gjithashtu është njohur zyrtarisht e drejta për të jetuar, e drejta për liri dhe e drejta për të pasur siguri, mirëpo ajo që duket e rëndësishme është fakti se me të drejtën për të jetuar, çfarë e drejte synohet të realizohet? E drejta e jetës materiale apo e të drejtës spirituale? Qëllimi i jetës në këtë nen është pikërisht ajo jetë materiale dhe ruajtja e jetës së njeriut e cila është marrë parasysh në këtë Deklaratë për arsye ekzistencës së të menduarit materialist dhe perëndimor dhe nuk është marrë parasysh aspekti shpirtëror dhe as natyra hyjnore e përbashkët e njerëzve. Tani nëse sipas të menduarit perëndimor, do të supozojmë se fenomeni i jetës së njeriut është vetëm një fenomen natyror, atëherë rëndësia dhe vlera e kësaj të vërtete kurrë nuk do të ngrehet më lartë se sa niveli natyror dhe material i saj. Prandaj të drejtat dhe ligjet që vendosen në lidhje me këtë çështje i përkasin njeriut i cili është i gjykuar me materien dhe me natyrën dhe kryesisht lidhen me jetën e tij në këtë botë materiale. Prandaj, shumica e të drejtave që vendosen kryesisht kufizohen me jetën materiale të njeriut dhe përfundojnë me vdekjen e njeriut. Në kohën kur sundon një pikëpamje e tillë dhe jeta e njeriut të jetë vetëm kjo jetë fizike e tij në këtë botë dhe të mos marrim parasysh shpirtin e lartë njeriut dhe ndërgjegjen e tij, atëherë me çfarë argumente mund ta vërtetojmë vlerën e lartë njerëzore për njeriun? Këtu bëhet i qartë dallimi mes të menduarit materialist dhe të menduarit hyjnor. Sipas të menduarit hyjnor, Zoti i madhëruar e ka vendosur shpirtin në brendësinë e njeriut dhe njeriu nëpërmjet shpirtit u bë i pavdekshëm dhe fitoi vlerën e lartë njerëzore. Prandaj, të drejtat e njerëzve gjithashtu janë rezultat i kësaj vlere qenësore të njeriut. Në këtë mënyrë mund ta konsiderojmë njeriun të obliguar për zbatimin e atyre të drejtave. Faktor për zbatimin e këtyre të drejtave duhet ta konsiderojmë ndërgjegjen dhe natyrën hyjnore dhe duhet të vërtetojmë për njerëzit se ata duhet të respektojnë të drejtën e jetës, dinjitetin dhe lirinë e njerëzve, pavarësisht se faktorët e ambientit gjeografik dhe shoqëror dhe përfitimet materiale kundërshtojnë këto të drejta.