Të drejtat islame të njeriut
Në këtë edicion do të njihemi me lirinë nga pikëpamja islame.
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut". Në edicionin e kaluar kemi folur në lidhje me lirinë dhe dallimet e saj me lirinë në bazë të mendimeve të mendimtarëve perëndimorë. Ashtu siç u theksua në edicionin e kaluara, themeli dhe esenca e lirisë në Islam është vizioni monoteist. Kjo do të thotë se në konceptin e lirisë islame fshihet në besimi në Zotin Një dhe adhurimi i Tij. Në Islam, përveç pengesave të jashtme si për shembull fuqive kolonialiste, pushtetet despotike dhe ata të cilët kufizojnë lirinë e njeriut, ekzistojnë edhe disa faktorë të brendshëm të cilat gjithashtu kufizojnë lirinë e njeriut, siç janë disa karakteristika njerëzore si morali i degjeneruar, dëshirat epsharake dhe egoja që çojnë njeriun në dobësi, poshtërim dhe pasivitet. Nga pikëpamja e Islamit, një person i cili për shkak të dobësisë, frikës, lakmisë dhe dëshirave të egos, detyrohet të pranojë imponime dhe kufizime të caktuara, ai person në realitet nuk është i lirë. Kjo është për arsye se Islami i jep njeriut personalitet dhe vlerë qenësore dhe nuk lejon që të njolloset dinjiteti i tij me veprime të degjeneruara. Esenca e lirisë në Islam, është lirimi nga prangat e egos dhe nga robëria e njerëzve të tjerë. Prandaj Islami, e konsideron njeriun të lirë dhe kjo liri manifestohet edhe në aspektin juridik edhe në aspektin moral.
Liria në Islam është një dhuratë hyjnore që njeriu nëpërmjet saj e zgjedh rrugën e lumturisë së tij. Islami i ka lënë njerëzit të lirë në rrugën e zgjedhjes së lumturisë dhe përkryerjes së tyre duke mënjanuar pengesat dhe duke krijuar kushtet e përshtatshme. Prandaj njeriu është një qenie e lirë. Mirëpo në Islam, lira ka edhe një anë tjetër të quajtur detyrë. Parimisht, njerëzit janë të lirë, sepse mbajnë përgjegjësi ndaj veprimeve të tyre dhe gjithmonë veten e shikojnë përpara procesit të marrjes në pyetje. Për këtë arsye, një mysliman bënë përpjekje të shfrytëzojë në mënyrë të arsyeshme kushtet ekzistuese duke përfshirë edhe lirinë. Me fjalë të tjera, njeriu njëkohësisht me lirinë, pranon edhe kufizimet e natyrës qenësore dhe të Sheriatit, në mënyrë që të ecë në rrugën e lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër, si dhe të mos bëhet shkak për mohimin e lirisë dhe të drejtave të vetes së tij dhe të njerëzve të tjerë. Ndërkohë që liria në të menduarin liberalist perëndimor është në kundërshtim me detyrën. Kjo është për arsye se në të menduarin perëndimor, burim i lirisë konsiderohen dëshirat njerëzore. Liria në kuptimin perëndimor do të thotë liri nga detyrat dhe përgjegjësitë. Nga pikëpamja e filozofëve të perëndimit, njeriu është një qenie që ka një varg kërkesa dhe dëshira dhe dëshiron të jetojë në këtë mënyrë, prandaj burim i lirisë do të jetë veprimi i tij. Ajo çfarë kufizon lirinë e individit, është liria e dëshirave të të tjerëve. Kurrfarë standardi dhe kornize tjetër nuk mund ta kufizojë lirinë e njeriut dhe të kufizojë dëshirat e tij. Mirëpo duhet ta dimë se liria në këtë kuptim, në realitet është një lloj jete e një kafshe të liruar. Në këtë mënyrë nuk ekziston dallim mes lirisë së njeriut dhe lirisë së kafshëve.
Njeriu në përbërjen e tij është krijuar në dy pole dhe sipas Kur'anit, është i përbërë nga mendje dhe egoja ose shpirti dhe trupi. Prandaj, është e pamundur që njeriu në të dy pjesët e ekzistencës së tij të gëzojë lirinë absolute. Njeriu në secilin prej këtyre aspekteve të jetë i lirë, kufizon lirinë në aspektin tjetër. Prandaj, njeriu nëse dëshiron të jetë i lirë në aspektin material dhe të trupit të tij, atëherë në aspektin shpirtëror nuk mund të arrijë në lirinë e përkryer dhe anasjelltas. Nga ana tjetër, ka një varg talente të ngritura dhe të larta të cilat janë kriter i të qenurit të tij njeri. Të menduarit logjik të njeriut, prirjet e tij të larta si prirja për të kërkuar të vërtetën, prirja ndaj të mirës morale, prirja drejtë të bukurës dhe bukurisë, prirja për adhurimin e Zotit etj., këto janë kriteret dhe karakteristikat e të qenurit njeri. Nga pikëpamja islame, përkryerja e njeriut është në të qenurit njeri, në emocionet dhe në ndjenjat e larta. Prandaj Islami dëshiron që të realizohet liria e vërtetë duke vendos në pranga dëshirat kafsharake dhe duke liruar njeriun prej tyre, si dhe me lirinë e shpirtit të njeriut. Shpirti i njeriut lirohet vetëm atëherë kur njeriu me liri të plotë dhe me kompetencë, do të mund të arrijë në përkryerje dhe në shkallët e larta të të qenurit njeri dhe të kalojë rrugën e lumturisë. Prandaj nga pikëpamja e Islamit, liria është e drejtë e njeriut, mirëpo kjo e drejtë është rezultat i talenteve dhe aftësive njerëzore të njeriut dhe jo e drejtë që rrjedh nga dëshirat e individëve. Njeriu në bazë të talenteve arbitrare nga aspekti mendor, fizik dhe shpirtëror, posedon talente të cilat duhet t'i shfaqë dhe njerëzit e tjerë gjithashtu nuk duhet të bëhen pengesë për shfaqjen e atyre talenteve. Prandaj liria do të thotë lirimi nga prangat dhe pengesat të cilat pengojnë shfaqjen dhe zhvillimin e talenteve të njeriut. Si përfundim, liria për njeriun është mjet për të arritur në përkryerje. Kështu që qëllimi i njeriut nuk është të jetë i lirë, mirëpo njeriu duhet të jetë i lirë në mënyrë që të arrijë në shkallët e përkryerjes së tij. Do të thotë se liria është zgjedhje dhe njeriu është e vetmja qenie në mesin e të gjitha krijesave të tjera që vet ai duhet ta zgjedhë rrugën e tij.
Liria sipas këtij përkufizimi që paraqitëm më lartë, në pikëpamjen e Kur'anit është një vlerë shumë e lartë. Kjo vlerë është deri në atë masë saqë Kur'ani i shenjtë i fton njerëzit që të falin namazin duke u kthyer drejt simbolit të lirisë do të thotë Qabes dhe shumë veprime të tjera t'i fillojnë duke u kthyer drejt saj. Një prej emrave të Qabes është edhe "Bejt Atik". Sipas disa transmetimeve të imamëve ma'sum (a.s.), arsye për emërimin e Qabes me këtë emër është kjo që Qabja në asnjë periudhë historike nuk ka qenë pronë e askujt dhe asnjë pushtues nuk ka arritur ta pushtojë atë. Me fjalë të tjera, kjo "Shtëpi" gjithmonë ka qenë e lirë dhe për këtë arsye atë e kanë quajtur "Atik" që vjen nga fjala "ataka" në kuptimin "e lirë" dhe në këtë mënyrë Qabja mund të konsiderohet simboli i lirisë. Tani ta shikojmë se çfarë vlere i ka dhënë Kur'ani i shenjtë në ajetin 29 të sures Haxh këtij simboli të lirisë saqë inkurajon njerëzit që të drejtohen drejt saj. Nga ana tjetër, Kur'ani i shenjtë i fton njerëzit që të sillen rreth saj dhe ta shenjtërojnë atë ku thotë: "Pra, duhet të silleni rreth kësaj Shtëpie të Lirë". Nga ana tjetër Kur'ani i shenjtë ka urdhëruar njerëzit që gjatë jetës së tyre të kenë vëmendjen drejt një xhamie në të cilën ndodhet "Bejt Atik". Zoti i madhëruar në suren Bekare, ajeti 144 në Kur'anin e shenjtë thotë: "Ku do që të jeni, drejtohuni drejt Qabes". Jo vetëm rituali i tavafit, por edhe shumë veprime të tjera të njeriut janë të lidhura me këtë simbol të lirisë. Disa prej veprimeve shumë të vlefshme si falja e namazit, duhet të kryhet duke u kthyer drejt "Bejt Atik". Përveç kësaj edhe kur të lexojmë Kur'anin e shenjtë, më mirë është që të kthehemi drejt këtij simboli të lirisë, ndërsa në të kundërtën kur të kryejmë disa veprime të papëlqyeshme nuk është mirë që të drejtohemi drejt Qabesë. Të gjithë njerëzit gjatë gjithë jetës së tyre në një farë mënyre kanë lidhje të ngushtë me këtë shtëpi të lirë. Njerëzit edhe në çastet e fundit të jetës do të thotë para se të vdesin, është mirë që të drejtohen me fytyrë drejt Qabes. Ky përkushtim i vazhdueshëm ndaj Qabesë gjatë gjithë jetës, ka këtë kuptim se besimtari mysliman gjithmonë duhet ta mbrojë jetën e tij të lirë dhe kurrë të mos e sakrifikojë lirinë e tij qiellore për shkak të lirisë së kësaj bote dhe epsheve të tij kafsharake. Nganjëherë mendimet e padrejta të njeriut manifestohen në kuadër të strukturave të ligjeve, mësimeve të shkollave morale, filozofike, juridike dhe politike dhe mund të ushtrojnë ndikim mbi një grup të njerëzve dhe të pengojnë zhvillimin dhe lulëzimin e talenteve njerëzore dhe udhëzimin e drejtë të tyre.
Nga pikëpamja e Kur'anit të shenjtë, liria është hyrje në jetë. Të gjitha liritë e njeriut janë për atë që njeriu të krijojë jetë të vërtetë dhe të vlefshme për vete. Njeriu për ta ndërtuar një jetë të vlefshme materiale dhe shpirtërore, duhet të jetë i lirë dhe për të arritur në këtë liri, duhet ta lirojë veten nga prangat e egos. Të gjithë njerëzit janë peng të sjelljeve të tyre dhe vetëm ata mund të lirohen nga këto pranga që sipas Kur'anit të shenjtë janë në grupin e atyre që quhen "As'habe Jemin" dhe që janë të pastër me besim. Zoti i madhëruar në ajetin 38 dhe 39 të sures Mudethir në Kur'anin e shenjtë thotë: "Çdo njeri është peng i veprimit të tij, përveç atyre që janë në grupin "As'habe Jemin". Tani duhet të shikojmë se njerëzit e grupit "As'habe Jemin" si kanë arritur të lirohen nga prangat e robërimit dhe të arrijnë në liri. Përgjigja e kësaj pyetje mund të gjendet në fjalën e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. drejtuar njerëzve në të premten e fundit të muajit sha'ban. Profeti s.a.v.s. ka thënë: "O njerëz! Shpirtrat e juaj janë në pranga të veprimeve tuaja, prandaj lironi shpirtrat tuaj duke kërkuar falje pranë Zotit të madhëruar!". Kështu që liria e vërtetë e njeriut varët nga kjo që ai duke kërkuar falje, ta lirojë veten nga prangat e mëkateve të tij dhe me besim dhe vepra të mira të vendoset në grupin e njerëzve "As'habe Jemin". Liria është faktori i cili mund të përgatit jetën e vërtetë dhe të ngritur për njeriun.