Uniteti në botën islame
https://parstoday.ir/sq/radio/world-i23716-uniteti_në_botën_islame
Në këtë emision do të flasim mbi pikëpamjet e dy dijetarëve të mëdhenj shiitë dhe sunitë në lidhje me afërsinë e shkollave të mendimit islam (Ajetollah Boruxherdi dhe Shejh Shaltut).
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 03, 2016 05:37 Europe/Tirane

Në këtë emision do të flasim mbi pikëpamjet e dy dijetarëve të mëdhenj shiitë dhe sunitë në lidhje me afërsinë e shkollave të mendimit islam (Ajetollah Boruxherdi dhe Shejh Shaltut).

Përshëndetje për ju të dashur dëgjues, jemi përsëri së bashku me emisionin tonë me temë Uniteti në botën islame. Në emisionin e kaluar folëm mbi pozitën e unitetit islam në bazë të mendimeve të Ajetollah Khameneit dhe propozimet konkrete të tij për realizimin e unitetit islamik, pra mbi krijimin e një asambleje për afrimin e shkollave islame. Ajetollah Khamenei përçarjen e cilësoi një mjet në duart e armiqve të islamit dhe tha se atë ditë kur në literaturën  e armiqve u shfaqën fjalët shii dhe suni, shumë dijetarë të mëdhenj të botës islame u shprehën të shqetësuar dhe e kuptuan se kjo përbën një komplot të ri. Ai tha se perëndimorët janë mjeshtëra në krijimin e përçarjeve mes shiitëve dhe sunitëve dhe në këtë fushë kanë eksperiencë të gjatë, mirëpo roli që ata luajnë sot në këtë aspekt është më i rrezikshëm. Kurse në këtë emision do të flasim mbi pikëpamjet e dy dijetërave të mëdhenj të botës shiite dhe sunite në lidhje me afërsinë e shkollave të mendimit islam Ajetollah Boruxherdi dhe Shejh Shaltut.

 

Termi afërsia e shkollave islame për herë të parë u përdor 70 vite më parë nga Instituti "Dar-ul takrib bejn-ul medhheb Al Aslamie" në Kajro të Egjiptit. Ky institut në vitin 1327 hixhri shamsi tuboi dijetarë të shquar të botës sunite dhe shiite, ku Alame Shejh Mohamed Naki Komi i cili me vite ka qëndruar në Liban dhe Egjipt u zgjodh sekretar i përgjithshëm dhe në atë kohë bota islame zgjoi interesim të madh. Anëtarë të këtij Instituti ishin profesorët e Al Az'harit si Shejh Abdul Maxhid Salim, Shejh Mohamed Shaltut, Shejh Abu Zahra, Hasan Al Bena dhe dijetarë të tjerë si Zejdie Jemen, dijetarë shiitë si i ndjeri Shejh Mohamed Husein Kashef Al Gatae në Naxhaf, i ndjeri Sejed Sharaf ul Din dhe i ndjeri Shejh Mohamed Xhevad Magnie në Liban. Kuptimi i afrimit të shkollave islame përmban afrimin e katër shkollave sunite siç është ajo hanefite e Imam Abu Hanifes, Maleki e Imam Malik ibn Enes al Maliki, shafi'ite e Imam Shafi'isë dhe Hanbelite e Imam Ahmed Ibn Hanbeli dhe dy shkolla shiite imamite dhe zedjie. Medhhebi ismaili është degë e shkollës imamite dhe medhhebi Ibadi është degë e Ehli sunetit. Secila prej këtyre shkollave praktikon Islamin, por që nuk pajtohen për disa çështje siç është p.sh ixhtihadi.

 

"Dar-ul takrib" pas studimeve të shumta ka ardhur në përfundim se mospajtimet në lidhje me Kelamin siç është çështja e Hilafetit dhe Imamatit nuk mund të zgjidhen dhe nuk mund të ketë afrim, mirëpo do të jetë një burim i një mosmarrëveshje të re dhe për këtë arsye përpjekjet u përqendruan në fetvanë e lëshuar nga Shejh Mohamed Shaltut nga Al Az'har që si duket do të jepte rezultat. Ai në këtë fetva deklaronte se ndjekësit e katër medhhebeve të Ehli sunetit mund të kthehen në medhhebe tjera siç është ai Imamie, pra të ndjekin jurispudencën e këtij medhhebi, sepse që të gjithë përdorin Librin dhe sunetin. Një nga veprimet më të rëndësishme të Shejh Shaltut kur ishte udhëheqës i universitet Al Az'har, ishte dhënia e lejes për studimin e jurisprudencës shiite bashkë me mësimet e jurisprudencës së medhhebeve të Ehli sunetit, që ishte një horizont i ri për profesorët dhe studentët e Al Az'harit. Sipas jurisprudencës bashkëkohore, një studiues duhet t'i studiojë pikëpamjet e të gjitha shkollave juridike islame dhe mund të zbatojë atë që tek ai krijon arsyen më të fortë. Ai në krahasimin e argumenteve të dijetarëve të shkollave të ndryshme juridike islame pranoi një parim dhe ai ishte që çdo arsye e cila është më e forta, është e pranueshme, qoftë ajo nga medhhebi i tij, ose nga ndonjë medhheb tjetër dhe ka deklaruar se jurisprudencat islame të myslimanëve duhet të ndikojnë në forcimin e themeleve të Islamit siç janë mirëqenia e familjes, komunitetit dhe pranimi i njëri-tjetrit.

 

Ajetollah El Ozma Boruxherdi, ishte gjithashtu një personalitet dhe dijetar i madh që gjithmonë është angazhuar për unitetin e myslimanëve dhe afrimin e shkollave juridike islame. Boruxherdi konsiderohet si referencë e myslimanëve shiitë, i cili ka punuar në fushën e hadithit të shiitëve dhe të Ehli sunetit. Ajetollah El Ozma Boruxherdi ka bërë shumë përpjekje për unitetin e myslimanëve dhe eliminimin e mosmarrëveshjeve që ekzistojnë mes tyre, i cili çdo herë ka bërë thirrje për afrimin e medhhebeve islame, duke pasur parasysh dominimin e jobesimtarëve në vendet islame dhe sipas tij vetëm përmes kapërcimit të armiqësive dhe mosmarrëveshjeve mes myslimanëve, mund të arrihet uniteti i myslimanëve. Ai ka studiuar dhe analizuar ngjashmëritë dhe dallimet midis medhhebeve. Ajetollah Boruxherdi ka dhënë shumë si në aspektin ideologjik po ashtu edhe material në afrimin e medhhebeve islame dhe në krijimin e një uniteti të mirëfilltë të botës islame. Mund të thuhet se pas Imam Khomeinit (ra), në mesin e autoriteteve shiite, Ajetollah El Ozma Boruxherdi mund të konsiderohet personi i dytë që ka punuar më së shumti në rrugën e afrimit të medhhebeve islame.

 

Ajetollah Boruxherdi në çështjet e jurispdencës bashkëkohore i kushtonte rëndësi çështjeve të debatueshme, pra, ai besonte se çështjet juridike duhet të  diskutohen jo vetëm në nivelin e shkollave imamite, por edhe në nivel të të gjitha shkollave juridike islame dhe jepte sqarime për çdo mosmarrëveshje që ekzistonte në mesin e shkollave juridike islame. Për këtë arsye ai botoi librin me titull "Çështjet e debatueshme" të Shejh Tusi dhe më vonë këtë libër e ligjëronte gjithmonë në ligjëratat e tij, sepse dëshironte që studiuesit e rinj të mësojnë me metodën dhe fjalimet e Shejh Tusi. Kjo iniciativë u ndoq edhe nga dijetarë tjerë shiitë të cilët përveç librave shiite, studionin edhe libra të medhhebeve tjera islame dhe pikërisht ky libër ndikoi që të afrohen mendimet e dijetarëve të shkollave fetare islame. Ajetollah Boruxherdi besonte se referimi i fetvave të Ehli sunetit në periudhën e Imamatit të Ehli Bejtit (as), më mirë do të mund të ndikojë në kuptimin e traditave dhe thënieve të imamëve, sepse diskursi i tyre është në përputhje me fetvatë e lëshuara. Studentët e tij thoshin se Ajetollah Borxherdi shpesh deklaronte se: "Jurisprudenca shiite është në margjinat e jurisprudencës së Ehli sunetit". Sepse të gjitha fetvatë që nxirreshin nga myslimanët ishin në përputhje me thëniet e imamëve shiitë.

 

Qasja e afrimit të shkollave juridike islame që ndiqte Ajetollah Boruxerdi kishte ndikim të madh në fetvatë e Shejh Shaltut. Sipas Shejh Mohamed Shaltut, çështja që më së shumti i ka ndihmuar atij për krijimin e unitetit të myslimanëve, ka qenë qasja në pikat e përbashkëta për të cilat të gjitha fetë ishin pajtuar. Ai shpesh përsëriste ajetet e Kur'anit të cilët porosisin për unitetin e myslimanëve dhe të gjithë myslimanët të kapen për litarin e Zotit. Kjo çështje përmendet në shumë ajete të Kur'anit Fisnik. Zoti në suren kur'anore  Ali Imran e ka ndaluar në mënyrë absolute ndarjen për shkak të paragjykimeve. Në një haidth thuhet: "Në Islam nuk duhet të ekzistojë asnjë paragjykim". Shejh Shaltut ka thënë se paragjykimet, armiqësitë dhe urrejtja nuk duhet të zënë vend në zemrat e myslimanëve, por në  qoftë se ekziston ndonjë dallim, atëherë me hulumtim dhe studim duhet të eliminohet ai dallim dhe padyshim se duhet dëgjuar të gjitha palët në mendimin e tyre.

Të nderuar dëgjues, këtu është edhe fundi i emisionit të sotëm. Ne do të vazhdojmë përsëri në emisionin e radhës të flasim në lidhje me pikëpamjet e dy dijetarëve të mëdhenj të botës shiite dhe sunite Ajetollah Boruxherdi dhe Shejh Shaltut. Deri në emisionin e radhës ju lëmë nën mëshirën e Zotit të Plotfuqishëm.