Doktrina e re e politikës së jashtme të Rusisë
Qeveria e Rusisë për të parashtruar dimensionet e ndryshme të politikës së saj të jashtme projekton doktrina dhe strategji, nga të cilat mund të përmendim doktrinën e sigurisë informative, strategjinë e sigurisë kombëtare, doktrinën ushtarake dhe doktrinën detare të Rusisë.
Dokumenti më i ri kombëtar i Rusisë që u publikua pas një kohe të gjatë, është doktrina e politikës së jashtme të Rusisë. Ky dokument në fakt parashtron pikëpamjen e Rusisë për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare si dhe lajmëron perspektivën e politikave të reja të këtij vendi. Më 30 Nëntor 2016, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka miratuar një doktrinë të re të politikës së jashtme. Kjo doktrinë u miratua vetëm 3 vite pas doktrinës së mëparshme duke marrë parasysh rrethanat e reja në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. Ndryshe nga tradita e mëparshme, doktrina e politikës së jashtme të Rusisë u miratua para përfundimit të vitit.
Megjithëse shumë pikë të doktrinës së mëparshme kanë mbetur në fuqi edhe në doktrinën e re të politikës së jashtme të Rusisë, në këtë doktrinë disa çështje si lufta kundër ISIS kanë marrë rëndësi më të madhe.Doktrina e re përfshin një gamë të gjerë çështjesh si marrëdhëniet me SHBA dhe NATO-n, lufta kundër terrorizmit, situata në Siri, reduktimi i armëve, zgjerimi i marrëdhënieve me vendet e tjera, përkrahja për shtetasit rusë dhe forcimi i pozitës së gjuhës ruse në botë. Kjo doktrinë përmban 5 kapituj dhe 108 nene. Kapitulli i parë përfshin pikat e përgjithshme. Kapitulli i dytë trajton temën: Bota moderne dhe politika e jashtme e Rusisë. Kapitulli i tretë: Prioritetet e Federatës Ruse në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare . Kapitulli i katërt: Prioritetet rajonale të politikës së jashtme të Rusisë. Kapitullë i pestë: Ravijëzimi dhe realizimi i politikës së jashtme të Rusisë.
Këtë herë doktrina e politikës së jashtme të Rusisë akuzon hapur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj se minon “stabilitetin global” duke u munduar që ta “frenojë” Rusinë. Putin ka thënë se Moska ka të drejtë që të “reagojë ashpër” drejt lëvizjeve “armiqësore” të Uashingtonit. Doktrina, e publikuar nga qeveria ruse më 1 dhjetor, vazhdon në mënyrë të qëndrueshme të ashpërsojë retorikën ndaj Perëndimit në dokumente zyrtare të politikave në kohën kur marrëdhëniet e Moskës me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian kanë shënuar rënie. Pjesa më e madhe e gjuhës nëpër dokumente pasqyron doktrinën e mëparshme të politikës së jashtme të Putinit nga viti 2013 dhe atë të strategjisë së sigurisë kombëtare, që është publikuar në dhjetor të vitit 2015. Të dy doktrinat, ajo e mëparshmja dhe kjo e tashmja, nënvizojnë rëndësinë e lidhjeve të Rusisë me Gjermaninë, Francën dhe Italinë, por këtë herë në listë është shtuar edhe Spanja si partner i rëndësishëm evropian i Moskës. Holanda ishte përmendur në doktrinën e vitit 2013, por ky shtet evropian nuk përmendet në dokumentin e ri. Këtu ka ndikuar hetimi dokumentar i udhëhequr nga hetuesit holandezë thotë se një raketë ruse e gjuajtur nga territori ukrainas që kontrollohet nga separatistët pro rusë e ka rrëzuar aeroplanin e “Malaysia Airlines” në korrik të vitit 2014. Në këtë rast janë vrarë të gjithë 298 personat që kanë qenë në bord. Në muajin tetor, Rusia e ka thirrur ambasadorin holandez në Moskë për t'u ankuar rreth të gjeturave të këtij hetimi. Doktrina e mëparshme e Putinit për politikë të jashtme gjithashtu e kishte përmendur Britaninë e Madhe si një “kanal” potencial kyç për bashkëpunim në Evropë, por në dokumentin e ri nuk përmendet Britania. Njëjtë, si dokumenti paraardhës, doktrina e tashme e politikës së jashtme të Putinit bënë thirrje për eliminimin e regjimit të vizave në mes të Rusisë dhe BE-së, duke e përshkruar kufizimin si “një nga pengesat kryesore në zhvillimin e lidhjeve të gjëra në mes të dy palëve”.
Një vend i rëndësishëm në doktrinën e politikës së jashtme të Rusisë i kushtohet marrëdhënieve të Rusisë me SHBA dhe NATO-n. Doktrina e re ka ashpërsuar gjuhën kur është fjala për presionin ndaj Moskës nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, të cilat i kanë vendosur sanksione Rusisë pas aneksimit të gadishullit të Krimesë në vitin 2014, por edhe përkrahjes ushtarake që u jep separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore. Doktrina e re e politikës së jashtme të Rusisë thotë se rreziqet nga këto presione tejkalojnë kufijtë e Rusisë. “Politika e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj që ta frenojë Rusinë dhe të aplikojë presione politike, ekonomike, informative dhe presione të tjera, minon stabilitetin rajonal dhe atë global”, thuhet në këtë dokument. Rusia ka një kohë të gjatë që po proteston kundër lëvizjeve të Uashingtonit që kanë cak zyrtarët dhe qytetarët e Rusisë me sanksione dhe ekstradime për në shtete të treta. Moska gjithashtu e akuzon SHBA-në se ndërhyn në çështjet e brendshme të Rusisë. Doktrina e re ofron detaje rreth asaj se si Moska mund të përgjigjet, duke thënë se Rusia “nuk pranon përpjekjet për t’i bërë presion ushtarak, politik, ekonomik dhe presione të tjera dhe se e rezervon të drejtën për të reaguar ashpër ndaj veprimeve armiqësore, përfshirë forcimin e mbrojtjes dhe miratimin e masave asimetrike sy për sy”. Rusia edhe në këtë dokument e ka denoncuar përpjekjen e Uashingtonit dhe të NATO-s për krijimin e një sistemi anti-raketor global dhe ka theksuar se Rusia rezervon të drejtën për t’iu kundërpërgjigjur këti programit të rrezikshëm të perëndimit. Presidenti aktual amerikan, Barack Obama në vitin 2015 ka hartuar një strategji të re të sigurisë kombëtare, ku e portretizon Rusinë si një kërcënues rajonal dhe një kërcënim të stabilitetit global, që shfaqte një ndryshim drastik me tonin bashkëpunues që e karakterizonte dokumentin e mëparshëm të vitit 2010, që kërkonte “rifillim të lidhjeve me Moskën. Doktrina e re e politikës së jashtme ruse thotë se është e interesuar në ndërtimin e “marrëdhënieve me përfitim të përbashkët” me Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe në sferën shkencore dhe atë ekonomike. Por, aty thuhet se një bashkëpunim i tillë është i mundshëm vetëm në bazë të “barazisë, respektit të interesit të dyanshëm dhe mos ndërhyrjes në çështjet e brendshme të njëri tjetrit”. Doktrina e re e ndryshon qasjen ruse ndaj NATO-s shumë pak, duke thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me aleancën ushtarake perëndimore në bazë të një “partneriteti të barabartë”. Por, aty përsëritet zemërimi i Moskës me zgjerimin e hovshëm të NATO-s drejt kufijve rusë, që NATO rregullisht e ka thënë se nuk paraqet kërcënim për Rusinë. Dokumenti e akuzon NATO-n se ka krijuar “krizë serioze në lidhjet mes Rusisë dhe qeverive perëndimore”.
Në doktrinën e re të politikës së jashtme ruse, Moska thekson se lufta kundër terrorizmit është një nga detyrat primare të Rusisë dhe prioritet kryesor në sferën e sigurisë ndërkombëtare. Në këtë kuadër, Rusia e dënon terrorizmin në çdo lloj forme që paraqitet dhe kundërshton shfrytëzimin e terrorizmit për arritjen e qëllimeve politike, ideologjike etj. Në doktrinën e re të politikës së jashtme të Rusisë, përsa i përket luftës kundër terrorizmit në Siri, Moska kërkon krijimin e një koalicioni ndërkombëtar. Në këtë doktrinë, në nenin 97, Rusia e konsideron situatën e trazuar në Afganistan si kërcënim për sigurinë kombëtare të saj. Në këtë nen thuhet:” Vazhdimi i destabilitetit në Afganistan në kushtet kur pjesa më e madhe e trupave ushtarake ndërkombëtare janë larguar nga ky vend, konsiderohet kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Rusisë dhe të vendeve të tjera të rajonit.” Gjithashtu, ky dokument thekson se Moska kundërshton ndërhyrjet në punët e brendshme të vendeve të pavarura dhe rrëzimin e qeverive me forma e mënyra të paligjshme. Moska përkrah shfrytëzimin e teknologjive të reja për forcimin e pozitës së mediave ruse jashtë vendit si dhe për mbrojtjen e sigurisë informative të Rusisë.
Në doktrinën e re të politikës së jashtme të Rusisë theksohet se Rusia do të shtojë praninë e saj në Polin e Veriut. Moska thekson se në këtë kuadër do të përpiqet për përdorimin e mjeteve paqësore me qëllim ruajtjen e paqes dhe sigurisë në këtë rajon të kontestueshëm ndërkombëtarisht. Gjithashtu, në doktrinën e re të politikës së jashtme të Rusisë përveç zgjerimit të marrëdhënieve me BE i kushtohet rëndësi edhe forcimit të bashkëpunimit me vendet fqinje të Rusisë. Prioritet i Moskës do të jetë forcimi i bashkëpunimit dhe integrimit me Bashkësinë e Shteteve të Pavarura me Interesa të Përbashkëta si dhe zgjerimi i marrëdhënieve strategjike me Bjelorusinë. Zgjerimi i unionit ekonomik të Euroazisë do të jetë një tjetër prioritet i Moskës në sferën rajonale të politikës së saj të jashtme. Sipas doktrinës së re të politikës së jashtme të Rusisë, Moska do të ketë prioritet edhe ndihmën për konsolidimin e republikave të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë që janë shkëputur nga territori i Gjeorgjisë dhe janë shpallur të pavarura, por që janë njohur zyrtarisht vetëm nga Rusia. Gjithashtu, Moska shpreh dëshirën për zgjerimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Ukrainën në bazë të principit të respektit reciprok dhe interesit të përbashkët. Në doktrinën e re të politikës së jashtme të Rusisë, Kremlini shprehet i gatshëm për normalizimin e marrëdhënieve me Gjeorgjinë për çështjet mbi të cilat pajtohet edhe qeveria e Tbilisit. Në nenin 60 të doktrinës së re të politikës së jashtme të Rusisë, thuhet:” Qëndrimi i Rusisë përsa u përket marrëdhënieve me partnerët e saj në rajonin e Detit të Zi dhe në rajonin e Detit Kaspik bazohet në marrjen e vendimeve të përbashkëta në favor të interesave të të gjitha vendeve të këtyre rajoneve dhe në frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë.” Gjithashtu, në doktrinën e re të politikës së jashtme të Rusisë, Moska shpreson për marrëdhënie të mira e konstruktive me Kanadanë, e cila është një nga vendet që ka vendosur sanksione kundër Rusisë në lidhje me krizën në Ukrainë. Në këtë dokument, nuk janë cekur marrëdhëniet e Rusisë me Izraelin, por shprehet vetëm një qëndrim i përgjithshëm i Rusisë në lidhje me konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Moska shpreh përkrahjen e saj për zgjidhjen paqësore dhe afatgjatë të konfliktit izraelito-palestinez. Në nenin 93 të doktrinës së re të politikës së jashtme të Rusisë, Moska shpreh përkrahjen e saj për ruajtjen e tërësisë territoriale të Sirisë dhe në këtë nen theksohet: ”Rusia dëshiron zgjidhjen politike të krizës në Siri dhe përcaktimin e të ardhmes së këtij vendi nga vetë populli sirian në bazë të deklaratës së 30 korrikut 2012 në Gjenevë dhe në bazë të rezolutave të KS të OKB.” Në nenin 94 të këtij dokumenti theksohet:” Rusia do të ndjekë vijën e saj të pandryshuar për zgjerimin e gjithanshëm të bashkëpunimit me Republikën Islamike të Iranit dhe do të zbatojë plotësisht marrëveshjen bërthamore të konfirmuar edhe në rezolutën 2231 të KS të OKB.” Në nenin 85 të dokumentit Rusia shpreh dëshirën për zgjerimin e marrëdhënieve me botën islame. Pikat 84 dhe 88 të doktrinës së re të politikës së jashtme të Rusisë, i kushtohen marrëdhënieve me Kinën, të cilat Kremlini i cilëson konstruktive e strategjike dhe angazhohet për zgjerimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.