Doktrina e re e politikës së jashtme të Rusisë (2)
(last modified Sat, 14 Jan 2017 01:08:00 GMT )
Janar 14, 2017 02:08 Europe/Tirane

Analizimi i doktrinës së re të politikës së jashtme të Rusisë është i rëndësishem po të kemi parasysh ndryshimet që kanë ndodhur në të në krahasim me doktrinën e mëparshme.

Ndryshimet më të rëndësishme në doktrinën e re janë shpallja e hapur e SHBA dhe NATO-s si kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Rusisë dhe hyrja e vendeve të reja në sferën e interesit të Rusisë si dhe dalja e disa vendeve nga sfera e prioritetit të këtij vendi. Në doktrinën e shpallur nga presidenti Vladimir Putin në fillim të Dhjetorit 2016 duket qartë ndryshimi i politikës së jashtme ruse sa i përket marrëdhënieve me perëndimin, marrëdhënie që janë ndikuar shumë nga krizë në Ukrainë dhe nga ekspansioni i NATO-s drejt kufijve rusë. Por duket qartë se në doktrinën e re të politikës së jashtme ruse kanë ndryshuar edhe prioritetet e Moskës përsa i përket rajonit të Lindjes së Mesme. Në doktrinën e shpallur në vitin 2013, qëndrimi i Rusisë ndaj Lindjes së Mesme përkufizohej me zgjidhjen multidimensionale të konfliktit izraelito-palestinez, ndërsa në doktrinën e re flitet më shumë për “zgjerimin e terrorizmit ndërkombëtar” dhe “imponimin e ideologjive të huaja”. Në këtë kuadër, Vladimir Putin propozoi krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit.

Dalja në skenë e doktrinës së re të politikës së jashtme të Rusisë mbi vizionin e ri të parimeve bazë, drejtimeve prioritare, objektivave dhe misionit të politikës së jashtme të saj, ka përcaktuar si prioritete “garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit si dhe krijimin e kushteve të nevojshme për rritjen dhe konkurrencës së ekonomisë së saj, forcimit të pozicionit të Rusisë si një vend predominues në një botë moderne dhe rikuperimin e ndikimit të saj në qëndrueshmërinë dhe sigurinë e sistemit demokratik global. Këto përcaktime nuk e ndaluan atë të jetë e pranishme në konfliktin në Lindjen e Mesme, të demostrojë ushtarakisht rrotull Europës Perëndimore dhe të afrojë forcën ushtarake detare pranë bazës së saj në Siri, pa lënë pas dore ndikimin e saj në rajonë të ndryshme të botës. Interesant është fakti se pas publikimit të doktrinës së re të politikës së jashtme të Rusisë, kryeministri rus Dmitri Medvedev deklaroi ndryshimin e orientimit të politikës së jashtme ruse nga Evropa dhe SHBA, drejt Azisë Lindore, Afrikës dhe Amerikës Latine. Kjo patjetër është ndikuar nga tensionimi i madh i raporteve SHBA-Rusi dhe nga sanksionet e vendosura nga BE kundër Rusisë. Doktrina e re e Rusisë, parasheh në perspektivë rritjen e synimeve gjeostrategjike dhe gjeopolitike të Rusisë në planin rajonal dhe atë global dhe po aq sa ajo përcakton qëndrimin ndaj SHBA-ve, duke shfaqur hapur rolin dhe ndikimin në shkallë globale duke “e konsideruar të patolerueshëm çdo lloj presioni të SHBA-ve dhe të reagojë me forcë ndaj çdo veprimi armiqësor të saj”, në të njëjtën kohë që parasheh “ndërtimin e marrëdhënieve me përfitim të ndërsjellët me SHBA-të”. Nga ana tjetër politika ruse nuk mund të veprojë ushtarakisht në Ukrainë apo vende të tjera kufitare, për sa kohë ajo do të jetë në pritje të reagimit dhe qëndrimit amerikan për shumë çështje të tilla, pas zgjedhjes së Donald Tramp në SHBA. Rusia edhe në praktikë ka treguar muskujt përballë SHBA dhe BE. Afrimi i 55 mijë trupave ruse në kufijtë e Ukrainës dhe prania ushtarake në Krime, pa llogaritur afro 10 mijtë trupa logjistike në rajonet ruse të saj, janë një shantazh i drejtëpërdrejtë ndaj BE-së, vendeve të tjera me ndikim rus dhe NATO-s. Lëvizja ruse nuk ka vlerat e saj ushtarake më shumë sesa ato në planin gjeopolitik, pasi Rusia nuk ka arësye të sulmojë në mënyrë të hapur Ukrainën, kur në 10 rajonët proruse në lindje të Ukrainës aktualisht janë të organizuara dhe të armatosura mirë forcat rebele, të mbështëtura nga më shumë se 100 mijë vullnetarë, të cilët janë të gatshëm të futen në veprim në rast të zhvillimit të situatës. Qëndrimi rus mbetet konstant në përjashtimin e Krimesë nga axhenda politike ukrainase, duke e dëshiruar Ukrainën një federatë me kufij politik të pandryshuar. Ky qëndrim pasqyron interesin e Rusinë në zhvillimin e marrëdhënieve politike dhe në sektorë të tjerë me Ukrainën, duke i dhënë asaj rolin e një ure lidhëse midis NATO-s dhe Rusisë.

 

Doktrina e re ruse në politikën e jashtme i ka dhënë mundësinë Putinit të zhvillojë më tej filozofinë e tij për një Rusi me ndikim të fortë global. Me kursin gjeopolitik me ose pa dashje ai e ka pozicionuar Rusinë në kritere sulmi në planin global dhe jo në pozita pritëse, duke iu kundërvënë me masa konkrete konceptit perëndimor “të të qënit të saj një fuqi rajonale”. Duke e vënë rolin e Rusisë në qendër të opinionit botëror me veprimet politike dhe ushtarake, ai me këtë rast u përpoq të përcaktonte armikun kryesor të Rusisë dhe rrezikun kryesor që sipas doktrinës ruse, kërcënon sot njerëzimin. E nëse BE-ja vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik, Rusia deklaron qëndrimin e saj kundër “presionit politik dhe ekonomik të SHBA dhe aleatëve të saj që çojnë në destabilizim global”. Objektivat e saj “për stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut” do të jenë prioritet. Me ngritjen e rolit gjeopolitik të Rusisë, në planin e brendshëm ai u avancua edhe më tej, duke frymëzuar dhe ngritur në nivele të larta frymën e nacionalizmit tek populli rus dhe duke joshur dhe afruar me këtë rast edhe popujt e tjerë kufitarë rrotull tij.

 

Cështja e krizës siriane është një nga pikat e rëndësishme të doktrinës së re të politikës së jashtme të Rusisë. Rusia me një veprim të papritur, në Shtator 2015, me kërkesë të qeverisë siriane, u implikua ushtarakisht në konfliktin sirian dhe ndërmori sulme ajrore dhe raketore kundër grupeve terroriste në Siri. Ky veprim që nuk ishte parashikuar aspak nga perëndimorët, e ndryshoi balancën në favor të qeverisë siriane dhe të alëatëve të saj. Si rrjedhim, aktualisht përvec rajonit të Evropës Lindore, edhe Siria është kthyer në një fushë rivaliteti në kontradiktat me perëndimit dhe Rusisë. Në lidhje më këtë, në doktrinën e re të politikës së jashtme të Rusisë, Moska thekson se rezervon të drejtën të reagojë reciprokisht ndaj veprimeve armiqësore të perëndimit në Siri.

 

Në doktrinën e re të politikës së jashtme të Rusisë theksohet mbi rolin e OKB dhe mbi evitimin e veprimeve të njëanshme. Në fakt, një nga shkaqet e krizave aktuale në rajonin e LM dhe të Afrikës veriore, ka qenë veprimet e njëanshme të SHBA, të cilat pas ngjarjeve të 11 Shtatorit 2001, me pretekstin e luftës kundër terrorizmit, ndërmorën agresione ushtarake kundër Afganistanit dhe Irakut dhe më pas ndërhynë ushtarakisht edhe në Libi.Këto sulme jo vetëm që nuk mundën të zhdukin terrorizmin, por u bënë shkak për zgjerimin e terrorizmit në mbarë botën e sidomos në rajonin e LM. Grupet e reja terroriste të krijuara vitet e fundit e në vecanti ISIS dhe Al Nusra kanë shkaktuar vdekjen e qindra mijëra njerëzve si dhe shpërnguljen e miliona të tjerëve drejt Europës. Në doktrinën e re të politikës së jashtme të Rusisë vërehet qartë dëshira e Moskës që OKB të ketë rol qendror në zhvillimet ndërkombëtare, sepse injorimi i rolit të OKB sic ishte rasti i agresionit kundër Irakut, Afganistanit dhe Libisë, ka shkaktuar kriza afatgjata me një kosto tepër të lartë për bashkësinë ndërkombëtare dhe për popujt e këtyre vendeve. Duket se Rusia është bërë më e vendosur për të vepruar përballë iniciativave të njëanshme të perëndorëve në rajone të ndryshme të botës.

 

Tags