Thakatul-Islam Kolejni (Memorial për Shejkh Kolejni)
https://parstoday.ir/sq/radio/world-i51074-thakatul_islam_kolejni_(memorial_për_shejkh_kolejni)
Thakatul-Islam Kolejni, autor i librit "Al-Kafij", mendimtar dhe studiues i madh i haditheve profetike në botën islame, i cili ka lindur në periudhën kur ka jetuar Imam Hasan Asgeri (a.s.), në qytetin Rej dhe me veprat e tij, ka dhënë një kontribut të çmuar për botën islame dhe shiizmin.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
May 17, 2017 11:20 Europe/Tirane

Thakatul-Islam Kolejni, autor i librit "Al-Kafij", mendimtar dhe studiues i madh i haditheve profetike në botën islame, i cili ka lindur në periudhën kur ka jetuar Imam Hasan Asgeri (a.s.), në qytetin Rej dhe me veprat e tij, ka dhënë një kontribut të çmuar për botën islame dhe shiizmin.

19 ordibehesht në kalendarin iranian është dita e përkujtimit të këtij dijetari të madh të botës islame. Në vazhdim të këtij programi do të njihemi më shumë me këtë personalitet të madh të botës islame.

Dëgjues të nderuar sot më 19 ordibehesht (9 maj) është dita përkujtimore e Shejkh Kolejnit. Në një prej ditëve të mira të Zotit, në një fshat të qytetit Rej, shtëpia e Jakub Kolejni u ndriçua me lindjen e një foshnje të pastër. Një foshnjë që më vonë e quajtën Shejkh Kolejni. Shejkh Kolejni ka lindur në fshatin Kolejn, një prej fshatrave në rrethinën e Teheranit dhe sot ndodhet 38 km larg qytetit Rej në periudhën në të cilën ka jetuar edhe Imam Hasan Asgeri (a.s.). Për këtë arsye atë e kanë quajtur edhe me epitetin Razi për shkak të prejardhjes nga qyteti Rej.

Babai i tij për shkak të dashurisë që kishte ndaj Profetit të nderuar të Islamit Hazretit Muhamed s.a.v.s., atë e emëroi me emrin Muhamed dhe që nga ajo kohë Muhamed ibën Jakub Kolejni u rrit dhe u edukuar në një familje spirituale dhe fetare. Babai i tij ishte një dijetar me virtyte të larta dhe njihej për asketizëm dhe ishte myfti i njohur në rajonin ku banonte. Nëna e Shejkh Kolejnit gjithashtu ishte një zonjë e nderuar dhe njihej me besimin e pastër dhe me devotshmërinë.

Nën hijen e edukimit të prindërve të tillë me besim dhe devotshmëri, Shejkh Kolejni që nga fëmijëria u mishërua me spiritualitetin dhe u edukua në mënyrë të pastër, prandaj fitoi një pasion të madh për nxënien e diturive të transmetuara nga Ehli Bejti (a.s.).

Shejkh Kolejni

Shejkh Kolejni pasi mori njohurit e para shkencore pranë babait dhe dajës së tij, shkoi në qytetin Rej për të vazhduar shkollimin dhe aty mësoi pranë dijetarit të njohur Abul-Hasan Muhamed bin Asadi Kufi. Pastaj shkoi në qytetin Kum për të studiuar shkencën e hadithit pranë dijetarëve të njohur të asaj kohe në qytetin Kum si Ahmed bin Muhamed bin Isa Ash'ari Kumi, Ahmed bin Idris Ash'ari Kumi dhe Abdullah bin Xha'far Humejri (autor i librit "Kurbul-Asnad". Ai më pas për të vazhduar studimet e tij sidomos në shkencën e hadithit dhe apologjetikës, u nis drejt Irakut dhe në qytetin Kufe mësoi pranë dijetarit të njohur Ibën Ukde Kufi ku mesi përmendësh mbi 100 mijë hadithe dhe pastaj shkoi në Bagdad ku shkroi vepra të rëndësishme për shkollën shiite islame. Ai në realitet për të vazhduar studimet e tij në shkencat islame ka udhëtuar vazhdimisht në qytete të ndryshme si në Mashhad, Damask, Rej, Kum, Kufe dhe Bagdad dhe gjatë këtyre udhëtimeve ka përjetuar shumë batica dhe zbatica si dhe ka zhvilluar shumë polemika me dijetarët e tjerë në fushën e shkencave islame si në shkencën e hadithit, historisë dhe apologjetikës, si dhe njëkohësisht ka përfituar shumë nga dijetarët e tjerë.  

Shejkh Kolejni ka lindur në periudhën në të cilën ka jetuar Imam Hasan Asgeri (a.s.) dhe ka qenë bashkëkohanik me katër përfaqësues të Imam Mahdi (axh.f.) të cilët ishin ndërlidhës të Imam Mahdiut me myslimanët shiitë.

Njerëzit e të gjitha shtresave e lavdëronin Shejkh Kolejnijun për sinqeritet, zotërim të lartë të shkencave islame, sidomos të shkencës së hadithit. Disa mendimtarë kanë shkruar se myslimanët shiitë dhe sunitë shkojnë pranë tij për të marrë fetva, prandaj ai është dijetar i besuar edhe për myslimanët shiitë edhe për myslimanët sunitë. Ai për këtë arsye mori edhe epitetin "Thakatul-Islam". Ai është dijetari i parë islam që është quajtur me këtë epitet dhe me të vërtetë e meriton një epitet të tillë.

Busti i Shejkh Kolejni, vepër e mjeshtërit Muhamed Husejn Khejrabadi që është vendosur në vendlindjen e tij në Kolejn në provincën e Teheranit.

Në vlerësimin e personalitetit të Shejkh Kolejni ndoshta mjafton vetëm kjo që Ibën Ethir i cili është një prej dijetarëve të mëdhenj dhe shumë të rëndësishëm të myslimanëve sunitë, në veprën e tij Xhami'ul-Usul", kur kujton Shejkh Kolejnin thotë: "Shejkh Kolejni Razi ka qenë prijës i medhhebit të Ehli Bejtit dhe ishte dijetar shumë i madh me virtyte të larta".

Ibën Ethir

Ibën Ethiri pas këtyre fjalëve, citon një hadith të transmetuar nga Profeti i nderuar i islamit s.a.v.s. i cili ka thënë: "Në çdo shekull paraqitet një personalitet shumë i dalluar i cili jep shërbime dhe kontribut shumë të çmuar për fenë dhe bëhet një personalitet i një pozite shumë të lartë". Ibën Ethir më pas fillon t'i numëron personalitetet e shquara dhe në krye të shekullit të parë e veçon Muhamed bin Ali Al-Bagher, do të thotë Imam Bagher (a.s.). Në krye të shekullit të dytë hixhri kameri e veçon Imam Ali Riza (a.s.) dhe në krye të shekullit tretë e vlerëson në mënyrë të veçantë Shejkh Muhmed bin Jakub Kolejni dhe atij i jep një rëndësi kaq të madhe.

Shejkh Kolejni ka shkruar shumë vepra . Dijetari i njohur Naxhashi duke shkruar biografinë dhe veprat e Shejkh Kolejni dhe gjithashtu Shejkh Tusi në veprën e tij "Al-Fehrest", numërojnë disa vepra të shkruara nga Shejkh Kolejni. Një ndër veprat më të rëndësishme të Shejkh Kolejni është vepra me titull "Ilme Rrixhal" e cila trajton personalitetet e transmetuesve të haditheve profetike nga pikëpamja e përgjithshme e medhhebit, e bindjes dhe besueshmërisë, sigurisë dhe ruajtjes së haditheve.

Vepra tjetër e rëndësishme e Shejkh Kolejni titullohet "Al-Rredu ala Al-Keramite". Ky libër është një vepër në shkencën e apologjetikës dhe ashtu siç kuptohet nga titulli, është shkruar në refuzimin e mendimeve të gabuara. Me fjalën Keramite quheshin grupet të cilët kishin bindje të gabuara dhe në kundërshtim me islamin. Çështje me rëndësi është kjo që Shejkh Kolejni ka shkruar libër në refuzimin e mendimeve dhe ideve të tyre. Kjo tregon se ai, ashtu sikur dijetarët e tjerë të qytetit Rej, kishte një zotërim të lartë në shkencën e apologjetikës dhe në njohjen e bindjeve fetare.

Një tjetër vepër e Shejkh Kolejni është edhe vepra e titulluar "Ma kile fi eime (a.s) mine al-shi'r", në të cilën ka bërë një përmbledhje të poezive të poetëve të mëdhenj të cilët kanë krijuar në lidhje me imamët ma'sum (a.s.). Vepra "Resail" gjithashtu është një vepër e rëndësishme e Shejkh Kolejni e cila përmban letrat e imamëve ma'sum (a.s.). Në këtë mënyrë mund të konkludohet se Shejkh Kolejni i kishte dhënë rëndësi të veçantë katër fushave: historisë, letërsisë, mendimit dhe hadithit të transmetuar nga shkolla shiite dhe ai në këto fusha ka shkruar vepra të rëndësishme.

Në këtë mes fama më e madhe e Shejkh Kolejnit është krijuar me veprën e tij "Al-Kafij", sepse kjo vepër në mënyrë të vetme, konsiderohet një punë e madhe dhe një burim shumë i rëndësishëm i haditheve. Shejkh Kolejni për të shkruar veprën "Al-Kafij" ka shpenzuar 20 vjet të jetës së tij. Shejkh Kolejni gjatë kësaj periudhe ka hulumtuar, studiuar dhe mbledhur hadithet e transmetuar nga shkolla shiite.

Shejkh Kolejni në parathënien e kësaj vepre të madhe me titull "Al-Kafij" ka shkruar fjalë të cilat e meritojnë të përmendën me këtë rast për tu informuar më mirë me rëndësinë dhe vlerën e punës së tij në këtë vepër. Ai në këtë vepër shkakun e shkrimit të kësaj vepre të madhe e cilëson këtë se një prej dijetarëve shiit i ishte ankuar atij se për shkak të mungesës së një vepre të madhe dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha shkencat fetare, myslimanët shiitë po përballen me vështirësi të mëdha. Shejkh Kolejni në parathënien e veprës së tij shkruan: "Falënderimi i takon Zotit i cili krijoi mundësitë që të shkruhet një vepër të cilën e keni kërkuar. Shpresoj që të jetë e atillë siç e keni kërkuar! Ne nuk kemi kursyer asgjë në këtë drejtim, sepse e dimë që predikimi i fesë dhe udhëzimi i vëllezërve fetarë, është një obligim dhe çështje e domosdoshme. Prandaj nuk kemi kursyer asgjë dhe shpresojmë që të jemi partnerë në sevapet dhe të mirat e atyre të cilët në këtë kohë ose në të ardhmen deri në fund të botës, shfrytëzojnë këtë libër dhe veprojnë sipas udhëzimeve të tij!".

Varri i Shejkh Kolejni

Shejkh Kolejni për të mbledhur hadithe dhe transmetime për hartimin e veprës "Al-Kafij", ka udhëtuar në shumë qytete dhe rajone ku jetonin myslimanët shiitë në botën islame, në mënyrë që duke u takuar me transmetuesit e haditheve dhe thënieve të imamëve ma'sum (a.s.), si dhe me dijetarët dhe transmetuesit e mëdhenj të haditheve dhe me dijetarët e jurisprudencës islame të shkollës shiite, ka mbledhur një sasi të madhe nga hadithet e vlefshme të Profetit të nderuar të islamit s.a.v.s. dhe thënieve të imamëve ma'sum (a.s.) të cilat i ka renditur në veprën "Al-Kafij" duke bërë edhe klasifikimin, vlerësimin dhe seleksionimin e tyre sipas vërtetësisë së zinxhirit të transmetimit. Kështu u krijua vepra "Al-Kafij" .

Me këtë përshkrim ashtu siç thamë, hadithet e librit "Al-Kafij" janë të mbledhura nga gjashtë burimet kryesore sunite të hadithit, por duke e bërë një rishikim në zinxhirin e transmetimit dhe duke sjellë hadithe të transmetuara edhe nga transmetues të tjerë, prandaj kjo vepër konsiderohet një burim më i sigurt për hadithet profetike. Hadithet  në veprën "Al-Kafij" janë të transmetuar në bazë të një zinxhiri që arrin deri tek imamët ma'sum (a.s.).

Vepra "Al-Kafij" ka qenë dhe është aq shumë e rëndësishme dhe me vlerë saqë deri më tani janë shkruar me dhjetëra komentime dhe shpjegime nga dijetarët dhe mendimtarët fetarë. Prej këtyre shpjegimeve mund të përmendet ai i filozofëve si Mirdamad dhe Mola Sadra e deri tek ato të dijetarëve fetar si Alame Maxhlisi, Mola Saleh Mazandarani, Mola Mohsen Fejz Kashani dhe shumë të tjerë. Gjithashtu, deri më tani janë bërë shumë përkthime të kësaj vepre në gjuhë të ndryshme të cilat janë pritur në një nivel të gjerë. Të gjitha këto tregojnë madhërinë e veprës së Shejkh Kolejni. "Al-Kafij" konsiderohet burimi më i rëndësishëm dhe më i madh i shkollës shiite në fushën e haditheve profetike.

Shejkh Kolejni pas një jete të frytshme gjatë së cilës ka dhënë një kontribut shumë të madh dhe të çmuar për shkencat islame, sidomos për shkencën e hadithit dhe zhvillimin dhe përhapjen e shkollës shiite, vdiq në Bagdad në vitin 322 ose 329 hixhri kameri që ka përkuar me fillimin e zhdukjes së madhe të Imam Mahdiut (axh.f). Varri i tij sot ndodhet në bregun lindor të lumit Tigër pranë urës së vjetër të Bagdadit dhe vizitohet nga myslimanët.

Përshëndetjet dhe selamet e Zotit qofshin mbi atë i cili 11 shekuj më parë shumë, vite të jetës së tij ia ka kushtuar mbledhjes së haditheve më të vlefshme profetike duke i ofruar ato në vepra të ndryshme për botën islame!