Shqetësimi i popullit indonezian nga përhapja e ideve ekstremiste vehabiste
(last modified Sun, 08 Oct 2017 08:31:34 GMT )
Tetor 08, 2017 10:31 Europe/Tirane

Me përshëndetje për ju, të dashur dëgjues, jemi së bashku në pjesën e fundit të programit mbi zhvillimet në Indonezi dhe Malajzi. Në këtë emision do të flasim mbi shqetësimet e popullit indonezian në lidhje me promovimin e ekstremizmit dhe vehabizmit.

 

 

Në vitet e fundit, ekstremizmi dhe dukuria shkatërruese e terrorizmit janë bërë një nga pikat më të rëndësishme që shfrytëzohen si mjete në duart e armiqve të unitetit islam në pjesë të ndryshme të botës. Burimi kryesor i ekstremizmit  është vehabizmi që  përdor mjete dhe metoda të ndryshme për zgjerimin e ideve ekstremiste  . Një nga partitë që përpiqet për të imituar metodat e Vëllazërisë Myslimane në Indonezi, por që në aspektin e të menduarit është afër vehabizmit , është partia e "Mirëqenies dhe Drejtësisë". Kjo parti përdor aktivitetet e bamirësisë për të zgjeruar ndikimin e saj në shtresat e mesme dhe të ulëta të shoqërisë indoneziane, veçanërisht në fshatra dhe qytete të vogla. Funksionimi në celula i kësaj partie e ka bërë të vështirë identifikimin e anëtarëve të saj në komunitetin indonezian. Sheikh Ebu Muslime Khulai, ekspert i Çështjeve Fetare në Indonezi thotë: "Sot vehabistët po përpiqen të shtrembërojnë tekstet e sunitëve në Indonezi, në mënyrë që vehabistët të ripublikojnë 32 librat më të mëdhenj të dijetarëve suni dhe të eliminojnë çështjet që nuk janë në interesin e tyre".

 

Nxënësit dhe studentët si dhe punonjësit e qeverisë janë grupi më i madh shoqëror në Indonezi, i shënjestruar nga fushata propagandistike vehabiste. Një nga mjetet kryesore të vehabistëve është përdorimi i namazeve në xhemat, veçanërisht në institucionet dhe qendrat arsimore. Përveç kësaj, misionarët vehabistë duke mbajtur fjalime gjatë namazeve në xhemat përpiqen të përcjellin ndjenjat e tyre fetare në dobi të interesave të tyre. Ekstremistët në Indonezi, në baza javore publikojnë buletine dhe transmetojnë lutjet e së premtes. Në këto buletine, ata nxisin urrejtjen dhe sektarizmin, që është themeli i të menduarit devijues të Vehabizmit. Partia e "Mirëqenies dhe Drejtësisë" të Indonezisë ka një ushtri virtuale që në rrjetet sociale promovon çështje të paligjshme dhe të dhunshme. Përveç kësaj, lëvizja Muhamediane është gjithashtu e lidhur ngushtë me bindjet fetare të rrymës selefiste, por kjo nuk nënkupton ndjekjen e ideve të vehabistëve. Megjithatë, vehabistët përpiqen ta integrojnë Indonezinë në një valë radikale dhe ekstremiste duke e shtyrë shoqërinë drejt sektarizmit dhe ndarjes etnike dhe fetare. Në fakt, misionarët vehabistë dhe grupet e afërta me ta shfrytëzojnë gjithmonë ndjenjat e popullit indonezian besimin e tyre, për shkak se indonezianët kanë besim të plotë tek misionarët fetarë.

 

Një nga mjetet kryesore të përdorura nga vehabistët në Indonezi për të promovuar idetë e tyre devijuese është përdorimi i radios. Numri aktual i pajisjeve të transmetimit të radios në pronësi të tyre në Indonezi nuk dihet, por vlerësohet të ketë arritur në më shumë se 100 radio stacione. Komuniteti selefist në faqen e tij të internetit ka prezantuar 25 radio stacione që transmetojnë programet e tyre koherente dhe të mirëllogaritura për kërcënimin e sigurisë kombëtare indoneziane. Arjang Otriza Jakin, studiues në Universitetin Islamik të Xhakartës, thekson: "Selefistët indonezianë përdorin rrjetet e radios për të promovuar idetë e tyre në vend të përdorimit të fushatave shtëpi më shtëpi". Gazeta Xhakarta Post e Indonezisë kohët e fundit citoi zyrtarët e sigurisë të Singaporit duke thënë se radio Hong FM , e transmetuar nga qyteti Batem i Indonezisë, është fajësuar për bashkimin e disa anëtarëve në grupin terrorist ISIS.

 

Natyrisht, sa i përket kulturës fetare, indonezianët janë më pranë kulturës persiane, sesa asaj në Arabinë Saudite. Kjo sepse ata i respektojnë të vdekurit e tyre. Ata mbajnë ceremoninë e të tretave për një person të vdekur dhe shkojnë vizitojnë vendet e varrimit. Në muajin e Muharremit, muaji i martirizimit të Imam Huseinit (as), Imami i tretë i myslimanëve shi’itë, indonezianët nuk organizojnë ceremoni martese duke respektuar muajin Muharrem. Kjo ka bërë që në vitet e fundit vehabistët të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një atmosferë anti-shi’ite në Indonezi. Ebu Jusef, një prej  liderëve të komunitetit shi’it në Londër, thotë: "Në vitet e fundit, vehabistët kanë përdorur hapësirën kibernetike si rrjetet YouTube, Twitter dhe Facebook për të promovuar sektarizmin dhe për të shpërndarë mesazhe urrejtëse anti-shi’ite".

Kohët e fundit, një grup i ashtuquajtur "Aleanca Kombëtare Anti-Shiite", u formua në rajonin Bandung, në perëndim të ishullit Java,  në Indonezi, dhe ka zhvilluar takime me dijetarë anti-shi’itë nga mbarë vendi, të cilat për fat të keq u neglizhuan nga Këshilli i Ulemave Indonezianë. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe të lirive civile në vend i kanë kritikuar këto veprime që nxisin urrejtjen fetare dhe përçarjen. Hamed Fuad Fanani, një ekspert kulturor dhe edukativ në Indonezi, duke shkruar në sajtin  kulturor Shia, thekson: "Aktivitetet e të ashtuquajturës Aleanca Kombëtare Anti-shiite po përhapin urrejtje në mesin e indonezianëve dhe për këtë arsye ne i dënojmë ato ".

 

Përpjekjet për të luftuar anti-shi’izmin , natyrisht, nuk kufizohen vetëm në Indonezi, por edhe në Malajzi, vehabistët gjithashtu duke ndërhyrë nëpër institucionet shtetërore, po përpiqen të legalizojnë kufizimet anti-shi’ite, duke përfshirë mohimin e organizimit të ceremonisë së zisë për Prijësin e Dëshmorëve, Imam Huseinin (as). Sidoqoftë, organizatat Nahzat al-ulema, Lëvizja Muhamediane dhe Partia e Mirëqenies dhe Drejtësisë përfitojnë më shumë nga aktivitetet bamirëse për të promovuar qëllimet dhe programet e tyre. Megjithatë, heshtja e organizatës Nahzat al-ulema në vitet e fundit ndaj aktiviteteve propagandistike dhe fetare të rrymave selefiste ka rritur dukshëm ndikimin e selefistëve në Indonezi. Si rrjedhim, kjo organizatë ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur mbi qëllimet dhe prapavijat e aktiviteteve të fshehta kulturore dhe fetare  të selefistëve dhe të grupeve të afërta me vehabizmin në Indonezi.

 

Tags