Kundërshtarët e racizmit përballë nacionalizmit përjashtues në Amerikë
Veprimi i disa sportistëve amerikanë për t'u gjunjëzuar gjatë këndimit të himnit kombëtar të SHBA është kthyer në një çështje tepër e diskutueshme në vend.
Në një nga veprimet më të fundit të këtij lloji, një numër i futbollistëve të ekipit të Indiana Coltes, në një kohë kur i pranishëm ishte edhe nënpresidenti amerikan Mike Pence, kur ishte duke u kënduar himni kombëtar i SHBA u ulën në gjunjë, duke protestuar kështu ndaj pabarazive shoqërore në këtë vend. Ky veprim u bë shkak që pas këndimit të himnit kombëtar, nënpresidenti amerikan Mike Pence të largohet nga stadiumi, si një protestë kundër sjelljes së këtij grupi sportistësh. Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, pas largimit nga stadiumi, në disa postime, shkroi: "Unë u largova nga stadiumi, sepse unë dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mund të tolerojmë fyerjen ndaj ushtarëve tanë, flamurit dhe himnit kombëtar”. Pence shtoi:” Megjithëse të gjithë mund të shprehin me lehtësi mendimet e tyre, nuk mendoj se kërkesa jonë nga lojtarët e NFL ( Liga e futbollit amerikan) që të jenë të respektueshëm ndaj flamurit dhe himnit kombëtar është shumë e tepërt”. Natyrisht, sportistët që janë gjunjëzuar në kohën e himnit kombëtar amerikan, kanë insistuar në mënyrë të përsëritur në disa fusha sportive se nuk duan të fyejnë flamurin dhe himnin e vendit të tyre dhe kjo është vetëm një protestë ndaj pabarazive shoqërore. Megjithatë, çështja, e cila fillimisht konsiderohej të jetë e papërfillshme, tani është bërë një polemikë midis përkrahësve të politikës multietnike dhe përkrahësve të nacionalizmit amerikan.
Çështja e gjunjëzimit të sportistëve amerikanë gjatë këndimit të himnit kombëtar, megjithëse u bë e diskutueshme në kohën e presidencës së Donald Trump, por ky veprim daton disa vite më parë dhe gjatë qeverisë së mëparshme të SHBA. Për herë të parë, Colin Kaepernick, një lojtar zezak i ekipit të futbollit San Francisco 49ers, vitin e kaluar, në shenjë proteste ndaj diskriminimit racial ndaj njerëzve me ngjyrë dhe sjelljes së dhunshme të punonjësve të policisë amerikane me qytetarët afro-amerikanë, gjatë lojrave të Ligës NFL u ul në tokë dhe nuk u ngrit kur ishte duke u kënduar himni kombëtar. Ai është një figurë e shquar në Lëvizjen e Drejtësisë, "Jeta e zezakëve vlen", dhe i kërkon policisë dhe gjykatave të marrin përgjegjësinë për jetën e zezakëve dhe të mos lejojnë që njerëzit me ngjyrë të vriten pa asnjë shkak nga policët e bardhë. Lëvizja filloi kur një numër i rinjsh zezakë, të tillë si Michael Brown në Ferguson, u qëlluan dhe u vranë pa arsye. Pas këtyre veprimeve, mijëra njerëz protestuan në rrugë dhe këndonin slogane kundër pabarazive racore dhe racizmit në Amerikë. Colin Kaepernick, në kuadër të këtyre protestave gjithashtu ulej në gjunjë përballë flamurit amerikan kur këndohej himni kombëtar, duke u dhënë një forme të re përpjekjeve për një shoqëri multietnike në Amerikë.
Racizmi mbetet një plagë në shoqërinë amerikane dhe një studim i fundit i CNN-it tregon se shumica e njerëzve mendojnë se marrëdhëniet mes zezakëve dhe të bardhëve në SHBA janë përkeqësuar. Rezultatet e anketës tregojnë se diskriminimi ndaj njerëzve me ngjyrë është një problem shumë serioz dhe shqetësimet, në lidhje me paragjykimet ndaj tyre në sistemin e drejtësisë janë shumë të mëdha. 54% thonë se marrëdhëniet mes njerëzve janë përkeqësuar, një rritje tepër e madhe krahasuar me një vit më parë. 52% besojnë se sistemi i drejtësisë në Shtetet e Bashkuara favorizon të bardhët ndaj njerëzve me ngjyrë. Lëvizja "Jeta e zezakëve vlen", ka lindur qëllimisht pas disa incidenteve në vitet e fundit, ku njerëzit me ngjyrë, të paarmatosur, janë vrarë nga policia, çka ka sjellë shpërthimin e protestave, në mbarë Shtetet e Bashkuara, disa prej të cilave tepër të dhunshme. Sipas një sondazhi të ri të institutit Gallup, më shumë se 6 në 10 njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se është rritur racizmi kundër afrikano-amerikanëve në Amerikë. Sipas Institutit Gallup, në sondazhin e publikuar kohët e fundit, bëhet e ditur se 61 % e të rriturve amerikanë mendojnë se racizmi është përhapur dukshëm në këtë vend, që është dukshëm më i lartë se rezultati i sondazhit të zhvilluar nga po i njëjti Institut në vitet 2008 dhe 2009. Qytetarët amerikanë besojnë se pas vrasjes së disa zezakëve nga ana e policisë amerikane, racizmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rritur dukshëm.
Supremacia e Bardhë e Amerikës ka një jetëgjatësi po aq sa historia amerikane. Të bardhët që lëvizën nga Evropa dhe u vendosën në Amerikë nuk u kanë dhënë asnjë vlerë banorëve autoktonë dhe veçanërisht afrikano-amerikanëve, të cilët nuk kishin as vlerën e një kafshe. Ato u shitën si skllevër në tregje dhe ishin pjesë e pronarit të tyre të bardhë. Edhe lufta veri-jug në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë nuk i dha fund racizmit në Shtetet e Bashkuara. Një aktivist amerikan i të drejtave civile thotë se aktualisht ka më shumë se 1,600 grupe ekstremiste në këtë vend. Analistët besojnë se presidenti amerikan Donald Trump, u ka dhënë guxim të bardhëve nacionalistë amerikanë, megjithëse mbrojtja e këtyre ideologjive raciste nuk është as e re dhe as e pashembullt. Ajo që është e re, është sigurimi i kushteve që ata të shprehin ideologjinë e tyre të superioritetit racor pa ndonjë maskë apo frikë. Për ata, nuk është e turpshme tu vihen pseudonime të tilla si neonazistë dhe racistë dhe tani ata ndihen edhe njëherë pjesë e perspektivës politike dominuese të Shteteve të Bashkuara. Vitet e fundit, punonjësit e policisë kanë shtënë me armë ndaj rinjve zezakë dhe nxjerrja e verdikteve që falin policët shkelës të ligjit dhe vrasës të zezakëve kanë treguar një imazh të ndryshëm të racizmit dhe diskriminimit racial në Shtetet e Bashkuara. Nëse, në të kaluarën, njerëzit e zakonshëm diskriminonin bashkëqytetarët e tyre me ngjyrë dhe ushtronin dhunë fizike ndaj tyre, këtë herë janë agjentët e rendit dhe të drejtësisë ata që janë ndotur me ide dhe mendime të diskriminimit racor. Statistikat tregojnë se në Amerikën e sotme dhe në prag të hyrjes në dekadën e tretë të shekullit XXI, të rinjtë zezakë janë 9 herë më shumë të ekspozuar ndaj shtënave të panevojshme me armë të policisë në krahasim me të rinjtë e bardhë. Me fjalë të tjera, të qenit zezak në Amerikë është e mjaftueshme për t'u vrarë në rrugët e vendit.
Ajo që kërcënon më shumë se çdo gjë tjetër aspiratën për një shoqëri multietnike në SHBA është prania e një personi në Shtëpinë e Bardhë, i cili ka një zemër që përputhet me idenë e superioritetit të bardhë. Donald Trump ka shkuar në Shtëpinë e Bardhë me ndihmën e këtyre grupeve supremaciste dhe tani ai bën çdo përpjekje për të zvogëluar presionin e opinionit publik ndaj lëvizjeve të ekstremit të djathtë. Për shembull, presidenti i Shteteve të Bashkuara i dënoi grupet raciste dhe anti-raciste në reagimin e parë të tij ndaj ngjarjeve të përgjakshme në qytetin Charlottesville. Pastaj, disa ditë më vonë, ai aprovoi arsyetimin e krahut të djathtë për trazirat në Charlottesville dhe tha se George Washington dhe Thomas Jefferson ashtu si Gjenerali Lee, ishin përkrahës të skllavërisë. Vazhdimi i kësaj qasjeje, rrit probabilitetin e vazhdimit të tensioneve raciste dhe antagonizmave sociale në Amerikë.