Pozita e Tajvanit dhe grindjet rajonale mes SHBA dhe Kinës
Grindjet dhe polemikat mes Amerikës dhe Kinës nuk janë të reja, dhe Uashingtoni gjithmonë është përpjekur të vendosë Pekinin nën presione të ndryshme për shkak të shqetësimeve rreth fuqizimit të Kinës dhe sfidimit të hegjemonisë së Shteteve të Bashkuara. Në këtë emision do të flasim mbi pozitën e Tajvanit dhe mosmarrëveshjet Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore, të cilat SHBA po i përdor si mjet presioni ndaj Kinës.
Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përdorur çështjen e Tajvanit dhe të drejtat e njeriut për të ushtruar presion mbi Kinën dhe për të krijuar probleme ligjore, rajonale dhe ndërkombëtare për Pekinin. Përveç kësaj, aktualisht SHBA po përdor mosmarrëveshjet e Kinës me Japoninë në Detin e Kinës Lindore, si dhe mosmarrëveshjet e Pekinit me disa vende në rajonin e Azisë Juglindore, së bashku me krizën në gadishullin Korean kundër qeverisë kineze. Tajvani ndodhet në perëndim të Oqeanit Paqësor, dhe u nda nga Kina në vitin 1949. Ishulli i Tajvanit ndodhet në bregun lindor të Kinës, në verilindje të Japonisë dhe në jug të Filipineve. Para vitit 1971, vendet perëndimore e njihnin Tajvanin si Tajvani kinez dhe ky vend ishte anëtar i OKB-së. Por, që nga ai vit, Shtetet e Bashkuara e njohën Kinën komuniste si Republika Popullore e Kinës, dhe vendi i Tajvanit në Kombet e Bashkuara i kaloi qeverisë së Pekinit. Megjithatë, Tajvani si ishulli më i madh në Kinë vazhdon të ketë marrëdhënie të forta me vendet perëndimore, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Uashingtoni po e përdor Tajvanin si një mjet për ushtruar presion ndaj Pekinit. Kjo ndodh ndërsa Shtetet e Bashkuara, në vitin 1979, nënshkruan një marrëveshje me Kinën duke e njohur zyrtarisht parimin e Kinës së vetme dhe pranoi që Tajvanit është pjesë e territorit të Kinës së vetme.
Ndonëse marrëveshja, megjithëse në formë të zbehtë, u respektua nga ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara, por Presidenti aktual i SHBA Donald Trump, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, duke hedhur akuza të ndryshme ekonomike, politike dhe të sigurisë ndaj Kinës, e kërcënoi Pekinin se Uashingtoni nuk do të respektojë më parimin e Kinës së vetme. Çështja e Tajvanit ka rritur shumë presionin mbi Kinën, sidomos kur presidenti Trump në një bisedë me kryetaren e qeverisë së Tajvanit Tsa Ing Van, pranoi nënshkrimin e një marrëveshjeje prej 1.8 miliardë dollarësh për shitjen e armëve amerikane Tajvanit dhe kjo irritoi pa masë Qeverinë e Pekinit. Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara, me mbështetjen e pavarësisë së Tajvanit, injorojnë marrëveshjen me qeverinë kineze për mbështetjen e parimit të Kinës së vetme. Pika interesante është se këshilltarët e Donald Trump, së fundmi e cilësuan Tajvanin si aleat kyç të SHBA dhe insistuan se protestat e Kinës në këtë drejtim nuk janë të rëndësishme për ta. Kjo madje do të thotë se qeveria e Trump nuk është besnike ndaj marrëveshjeve dhe angazhimeve të mëparshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Tajvanit dhe kjo mund të ketë pasoja të rrezikshme nga këndvështrimi i qeverisë së Pekinit. Kjo për arsye se Kina ka deklaruar vazhdimisht se ka potencialet dhe fuqinë për të mbrojtur pavarësinë e saj dhe sovranitetin kombëtar. Profesor Jeffrey Carolyss i Universitetit të Bostonit thotë:
"Shfaqja e Kinës si një fuqi do të jetë një kërcënim i madh për hegjemoninë e Amerikës në të ardhmen"
Çështja tjetër që Uashingtoni e shfrytëzon si mjet presioni ndaj qeverisë kineze është mosmarrëveshja e Kinës me Japoninë në Detin e Kinës Lindore. Mosmarrëveshjet e të dy palëve në këtë rajon kanë të bëjnë me pronësinë e disa ishujve si dhe me burimet e përbashkëta të gazit. Pekini dhe Tokio kanë mosmarrëveshje rreth arkipelagut në Detin e Kinës Lindore, i cili quhet "Senkaku" në Japoni dhe "Diajutai" në Kinë. Ndonëse ishujt janë në dispozicion të Japonisë, qeveria kineze vazhdon t'i pretendojë ata dhe nuk pajtohet me keqinterpretimin e fakteve historike, që sipas zyrtarëve kinezë, është bërë kohët e fundit në librat shkollorë të shkollave japoneze. Këta ishuj prej kohësh janë pretenduar nga të dyja vendet. Uashingtoni, si aleat i Japonisë, ka dalë kundër vendimit të Pekinit për të shtrirë hapësirën ajrore ushtarake mbi ishujt e administruar nga Tokio. Motivi është prishja e kufijve ajrorë mbi ujërat e ishujve Senkaku, të administruara nga Japonia por të pretenduara nga Pekini dhe Taipei, që pasohet me vendimin për të shtrirë mbi to “hapësirën mbrojtëse ajrore kineze”. Pekini gjithashtu ka kërcënuar se do të “veprojë” nëse avionë jo kinezë do të fluturojnë mbi ishujt e pabanuar. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Tokios, i cili ka folur për një “zgjedhje të papranueshme” të Kinës, e cila mund të ndezë situata të paparashikueshme. Vendimi i SHBA për të mbështetur aleatin japonez lë të kuptohet rëndësia e madhe e këtyre tensioneve. Historia e ishujve të kontestuar nis një shekull më parë, kur Japonia fitoi luftën me Kinën, në fund të viteve 1800 dhe i imponoi kësaj një traktat në të cilin njihej pavarësia e Koresë (që më parë ishte nën ndikimin e perandorit kinez) dhe lëshimi i Tajvanit bashkë me të gjithë ishujt e tij. Por Kina fitoi Luftën e Dytë Botërore dhe rimori kontrollin e ishujve që i përkisnin Tajvanit. Japonia refuzoi të drejtat kineze mbi ishujt, duke pohuar se deri në fund të viteve 1800 këto territore nuk ishin të askujt dhe më pas hynë nën zotërimin japonez. Ndërsa Kina thotë se Diajutai njiheshin që nga koha e dinastisë Ming (midis shekujve XIV – XVII) dhe se u bënë pjesë e tokës kineze në fund të 1600-ës, njëkohësisht me Tajvanin. Përveç kësaj, Kina dhe Japonia kundërshtojnë zhvillimin e fushës së gazit Chongking Ju në Detin e Kinës Lindore edhe pse në vitin 2008 dy vendet nënshkruan një marrëveshje për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por ato ende nuk janë dakord për zhvillimin e fushës së gazit. Duke shfrytëzuar këto mosmarrëveshje dhe duke mbështetur qeverinë japoneze, aleatin e saj në Azinë Lindore, Amerika jo vetëm që ushqen ndarjen Pekini-Tokio, por gjithashtu po e kthen Detin e Kinës Lindore në një zonë ushtarake.
Mark Zodac, një analist amerikan i çështjeve të sigurisë, thotë:
"Pekini dhe Uashingtoni kanë mosmarrëveshje për çështje të tilla si të drejtat e njeriut, sulmet kibernetike dhe konfliktet territoriale midis Kinës dhe fqinjëve, prandaj është e nevojshme që të dy vendet të gjejnë mënyra për të punuar së bashku për të zgjidhur këto mosmarrëveshje".
Çështja e tretë e tensioneve Pekin-Uashington është shfrytëzimi nga SHBA i mosmarrëveshjeve të Kinës me vendet e brigjeve jugore të Detit të Kinës Jugore. Kjo zonë ujore është pjesë e Oqeanit Paqësor me tre milionë e gjysmë kilometra katrorë dhe shtrohet nga Singapori, deri në Ngushticën e Tajvanit. Kina ka mosmarrëveshje me Filipinet, Vietnamin, Malajzinë, Indonezinë, Brunein dhe ishullin e Tajvanit për të përcaktuar kufijtë dhe juridiksionin detar si dhe pronësinë e disa ishujve. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, me pretekstin e mbrojtjes së parimit të lirisë së lundrimit, jo vetëm që e thelluan krizën në Detin e Kinës Jugore, por gjithashtu inkurajuan disa vende, duke përfshirë Filipinet, që të ankohen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për të zgjidhur mosmarrëveshjet territoriale me Kinën.
"Jia Xia Jang", hulumtues në Institutin për Studime Ndërkombëtare të Shanghait thotë:
"Shtetet e Bashkuara kanë qenë në gjendje të ndajnë Kinën me Filipinet dhe Japoninë, duke e bërë ndarjen ndërmjet vendeve të rajonit shumë të rrezikshme, dhe kjo është një ndarje artificiale e bazuar në interesa".
Jia Chanro Wang, profesor i Universitetit Popullor të Pekinit thekson:
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend i huaj që përpiqet që duke nxitur mosmarrëveshjet mes vendeve të rajonit, të forcojë pozitat në Detin e Jugut. Po ashtu, Amerika me pretekstin e lirisë së lundrimit, dërgon flotën e saj ushtarake në ishujt që i përkasin Kinës ".
Sidoqoftë, Qeveria kineze përdor gjithashtu instrumente diplomatike, bilaterale dhe multilaterale për të luftuar presionin e Amerikës. Në rastin e Tajvanit, qeveria kineze gjithmonë ka kërkuar një marrëveshje dypalëshe midis Pekinit dhe Uashingtonit për të identifikuar Kinën si një shtet i vetëm dhe për të adresuar preokupimet e saj. Pekini vazhdimisht e paralajmëron qeverinë amerikane se nuk i mirëpret tensionet dhe është gati të flasë me zyrtarët e Uashingtonit në të gjitha nivelet. Në vitin 2003, Kina krijoi diplomacinë e saj të "sigurisë së re", bazuar në katër parime të "barazisë", "bashkëpunimit", "interesave reciproke" dhe "mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit". Në këtë drejtim, Kina përpiqet të arrijë një mbështetje reciproke nëpërmjet bashkëpunimit shumëpalësh dhe ndërtimit të besimit si boshti kryesor i politikës së saj rajonale për konsolidimin e sigurisë dhe stabilitetit.