Trump dhe strategjia e tij e shokut dhe frikës
https://parstoday.ir/sq/radio/world-i61792-trump_dhe_strategjia_e_tij_e_shokut_dhe_frikës
Trump që nga koha e ardhjes në pushtet, që në fillim në politikat e brendshme dhe të jashtme të tij ka ndjekur strategjinë e frikës dhe shokut. Në këtë emision do të njihemi me programet dhe strategjinë e ndjekur nga Trump në sektorin vendas.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Tetor 23, 2017 11:58 Europe/Tirane

Trump që nga koha e ardhjes në pushtet, që në fillim në politikat e brendshme dhe të jashtme të tij ka ndjekur strategjinë e frikës dhe shokut. Në këtë emision do të njihemi me programet dhe strategjinë e ndjekur nga Trump në sektorin vendas.

Në politikat vendase Trump ka ndjekur 3 strategji kryesore.

  1. Ndryshime në politikat e emigracionit
  2. Ndryshimi i strukturës së siguracioneve shëndetësore (Obamacare)
  3. Politika e përgjithshme në fushën e energjisë

Përveç kësaj Donald Trump ka zbatuar edhe disa politika në sektorin e ekonomisë të cilat kanë shokuar shoqërinë amerikane, kjo për arsye se amerikanët nuk e prisnin marrjen e të tilla vendimeve nga shteti. Një prej këtyre vendimeve është ulja e taksave për sektorin privat në Amerikë, nga 35% në 15%. Sipas një artikulli të shkruar nga Nju Jork Times, plani i Donald Trump për uljen e taksave është një ndihmesë e madhe për shtresën e të pasurve në Amerikë.

Strategjia më e rëndësishme dhe më e diskutuar brenda në Amerikë, që ka ngjallur protesta të gjera kundër shtetit, është plani i Trump kundër emigracionit. Trump me urdhrat e tij kundër emigracioni ka ngjallur polemika të shumta në Amerikë. ai gjatë fushatës elektorale kishte premtuar se do të ndryshonte rrënjësisht ligjet e emigracionit në Amerikë. Në atë kohë Trump kishte deklaruar se numri i emigrantëve ilegalë që jetojnë në Amerikë është 30-34 milion persona dhe jo 10-12 milion persona që është deklaruar zyrtarisht nga shteti.

Mirëpo janë të shumtë ato organe qeveritare në Amerikë, të cilët shprehen se deklaratat e Trump nuk janë të bazuara në fakte dhe dokumente. Qendra hulumtuese Pio në muajin mars të vitit 2015 ka raportuar se numri i emigrantëve ilegalë që jetojnë në Amerikë nga 12.2 milion që ka qenë në vitin 2007 është ulur në 11.2 milion në vitin 2012. Sipas raportit të kësaj qendre, numri i emigrantëve që kërkojnë punë në Amerikë në periudhën e viteve 2007-2012 ka qenë 5% të numrit total të punëkërkuesve në këtë vend. Një prej vendimeve më të diskutuara të Trump në këtë sektor ishte nxjerrja e urdhrit për anulimin e vizave dhe të kartave jeshile për shtetasit e 7 vendeve të botës dhe pengimi i futjes së tyre në Amerikë.

Ligji për ndalimin e futjes së myslimanëve në Amerikë, u përball me kritika të shumta brenda dhe jashtë Amerikës. Trump gjatë fushatës elektorale të vitit 2016 kishte deklaruar se do të ndalonte futjen e myslimanëve në Amerikë. Më 25 qershor Donald Trump firmosi urdhrin nr.13768 që ndalonte futjen e emigrantëve të disa vendeve në Amerikë. Më 27 korrik presidenti amerikan nxori urdhrin e dytë nr.13769 të titulluar “ mbrojtja e kombit nga sulmet terroriste të shtetasve të huaj”. Me anë të këtij urdhri ai ndaloi futjen në Amerikë të shtetasve nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni për një afat ditor prej 90 ditësh. Mirëpo urdhrat e lëshuara nga presidenti amerikan janë sfiduar nga gjykata federale. Strategjia e ndjekur nga presidenti amerikan është kritikuar ashpër nga shumë qeveri, shoqëri ndërkombëtare, organe të të drejtave të njeriut dhe qarqe mediatike.

Çështja e energjisë dhe e ambientit është një tjetër strategji shumë polemike e presidentit Trump. Ai në fushatën elektorale kishte premtuar se në rast se do të fitonte zgjedhjet dhe do të zgjidhej president, do të shpërbente dhe nxirrte jashtë funksionit agjencinë e ambientit në Amerikë. Presidenti amerikan në muajin mars, pasi erdhi në pushtet anuloi ligjet e nxjerra nga Barack Obama për energji të pastër. Me këtë vendim Donald Trump i dha shtysë rritjes së prodhimit të naftës dhe gazit, prodhimit të qymyrgurit dhe prodhimit të energjisë me lëndë të parë burimet fosilike. Kjo politikë e presidentit Donald Trump, u përball me kritikat e ashpra të aktivistëve për mbrojtjen e ambientit dhe natyrës.

Strategjia e politikës së Trump në arenën ndërkombëtare gjithashtu është bazuar në kornizat e strategjisë së shokut dhe frikës. Kjo strategji është ndjekur në fushën e ekonomisë botërore, sigurisë, organet ndërkombëtare, marrëveshjet ndërkombëtare dhe kundrejt qeverive të ndryshme. Në fushën e ekonomisë botërore, presidenti amerikan ndoqi strategjinë e mbështetjes financiare për prodhuesit dhe kjo ngjalli shqetësime për partnerët ekonomikë të Amerikës dhe shumë organizma ndërkombëtare si FMN dhe BB. William Roberts, ekspert amerikan thotë: Trump u kushtohet interesave të Amerikës më shumë se krerët e tjerë amerikanë dhe ai në vend të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtare thekson mbështetjen e ekonomisë kombëtare. Mirëpo kjo politikë është kritikuar ashpër si brenda ashtu edhe nga shumë vende të tjera të botës, pasi kjo politikë në fushën e ekonomisë, e kthen qeverinë amerikane në një qeveri të pabesueshme.

David Viktor, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin e Kalifornisë thotë: Ne në epokën moderne nuk kemi vënë re asnjë personalitet republikan që të jetë kaq shumë izolues dhe anti-bashkëpunim saç është presidenti Donald Trump. Ky profesor amerikan flet për fundin e lidershipit të Amerikës në botë për shkak të presidentit Donald Trump dhe thotë: Nuk ka dyshim se presidenca e Trump do të rezultojë me largimin e Amerikës nga roli drejtues botëror dhe organformues.

Largimi i Amerikës nga traktati i klimës dhe ambientit të Parisit, gjithashtu është pjesë e strategjisë shumë të përfolur të Donald Trump. Në fillim të qershorit 2017 Donald Trump deklaroi largimin e Amerikës nga traktati i Parisit, që sipas tij vendoste kufizime të ashpra ekonomike për shtetasit amerikanë dhe nuk përmirëson kushtet e ambientit. Evropa ishte kritikuesja më e madhe e këtij vendimi të presidentit amerikan. Përgjegjësi i Komisionit evropian për energjinë dhe ambientin në Evropë, vendimin e Amerikës për të dalë nga traktati i ambientit dhe klimës së Parisit e ka quajtur një tragjedi të hidhur për bashkësinë ndërkombëtare. Emanuel Macron president i Francës gjithashtu vendimin e Donald Trump e quajti gabim të madh të Amerikës rreth fatit të rruzullit tokësor. Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë, gjithashtu ka shprehur keqardhjen për këtë vendim të Amerikës. Vendimin e presidentit amerikan Donald Trump e ka kritikuar edhe Theresa May, kryeministre e Anglisë.

Strategjia e Amerikës kundrejt Iranit gjithashtu është një strategji shumë e përfolur. Trump me pretekstin se marrëveshja bërthamore e Iranit nuk plotëson interesat e Amerikës, ka pretenduar se Irani nuk ka zbatuar marrëveshjen bërthamore. Qeveritë evropiane janë kritikët dhe kundërshtarët më të fuqishëm të këtij qëndrimi dhe strategjie të Donald Trump. Evropianët pas deklaratës së Donald Trump, nxorën një peticion ku u theksua zbatimi i marrëveshjes bërthamore. Sulmimi i gardës revolucionare Sepah, e cila në bazë të nenit 150,151 dhe 152 të kushtetutës së Iranit është strukturë për mbrojtjen e interesave të Republikës Islamike të Iranit, gjithashtu është pjesë e strategjisë së Trump kundër Iranit. Me të tillë strategji Trump ka krahasuar Sepahun me terrorizmin aktual në rajon dhe ndaj këtij organi zyrtar ka vendosur sanksione.

Në çështjen e Koresë së Veriut, Donald Trump gjithashtu ka ndjekur strategjinë e frikës dhe të shokut. Me anë të kësaj çështjeje, Trump mundohet të përhapë frikë dhe panik si brenda ashtu edhe jashtë Amerikës, pikërisht siç ka përhapur panik grupi terrorist ISIS në rajon. Me të tillë strategji Donald Trump mundohet t’i imponojë idetë e tij shoqërisë amerikane dhe bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë mes lind pyetja se Donald Trump me të tilla veprime mundohet të garantojë interesat personale dhe tregtare të tij apo interesat kombëtare të Amerikës?