A është Kina superfuqia e re botërore?
(last modified Sun, 19 Nov 2017 07:40:15 GMT )
Nëntor 19, 2017 08:40 Europe/Tirane

Në vazhdën e serisë së diskutimeve dhe zhvillimeve të Kinës në rajonin e Azisë Lindore, ne në këtë emision do të shqyrtojmë komponentët e fuqisë së Kinës. Cilatdo qofshin elementët e fuqisë së epokës së re, Kina i ka të gjitha ato, të cilat i japin një pozicion potencial Kinës, vendi që po bëhet fuqi globale.

Nuk ekziston konsensus midis Kinës dhe SHBA nëse Kina po bëhet një fuqi globale. Kina beson se ajo është ende një vend i botës së tretë, me ekonominë në zhvillim dhe nuk përbën asnjë kërcënim për asnjë vend. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një pikëpamje të ndryshme, duke besuar se Kina ka marrë një vrull të madh për t'u bërë një fuqi globale në të ardhmen e afërt dhe së shpejti do të sfidojë hegjemoninë globale amerikane. Shumë amerikanë besojnë gjithashtu se përveç komponentëve tradicional të fuqisë, Kina posedon edhe një komponent modern të fuqisë që mund ta kthejë vendin në një superfuqi dhe një lojtar efektiv global.

Popullsia është një nga komponentët tradicionalë të fuqisë që Kina ka me popullsinë e saj prej rreth 1.4 miliardë njerëz. Ky është vendi më i populluar në botë me një popullsi efikase. Meqenëse, cilësia e popullsisë është një nga përcaktuesit kryesorë të fuqisë së vendit, Kina në vitet e fundit, ka qenë e suksesshme në ngritjen e nivelit të arsimimit, aftësive, profesionalizmit dhe shëndetit publik dhe ky faktor ka kontribuar kryesisht në krijimin e një shoqërie të shëndetshme dhe të aftë.

 

Me një histori nga më të vjetrat në botë, si një nga perandoritë me te vjetra, me murin më të gjatë e më të gjerë dhe më të vizituarin nga turistët në botë, me një sistem (komunist) nga më të kritikuarin nga bota perëndimore, me një popullsi me te madhen ne bote (1,4 miliardë) Kina pritet në fakt te behet superfuqia e re dhe më e madhe e shekullit të 21-të. Ne 10 -15 vjetet e fundit Kina ka patur një rritje marramendëse ekonomike 9-10% në vit dhe pritet që këtë vit t’ia kalojë edhe Britanisë dhe të zërë vendin e 4-t në ekonomitë më të zhvilluara në botë.

 

Është e rëndësishme të kujtojmë se historia e Kinës pa një periudhë të gjatë të poshtërimit nga fuqitë perëndimore dhe tani Kina është e gatshme ta kapërcejë atë dhe të bëhet një komb i madh dhe i fortë. Kjo është një çështje shumë emocionale për kinezët dhe në këtë mënyrë, përtëritja e Kinës mbetet një pjesë kyçe e presidencës së Xi Jinping. Presidenti kinez Xi Jinping ka bërë të ditur planet për ta kthyer vendin e tij në kombin më të fortë në botë deri në vitin 2050.

 

Tani për tani, edhe pse Kina nuk është aq e pasur sa kombet amerikane apo evropiane, ajo mund të shihet si një fuqi e madhe politike dhe ekonomike. Në këtë drejtim, presidenti kinez Xi Jinping vendos një fokus të veçantë në ideologjinë, e cila përfshin socializmin dhe elemente të caktuara të kapitalizmit. Ky kombinim unik ka rezultuar i suksesshëm për popullin kinez, i cili beson fuqimisht se është Partia Komuniste e Kinës, e cila siguron transformimin e mrekullueshëm të vendit, të cilin ata besojnë se do të vazhdojë.

Kina Ka thithur investimet më të mëdha (mbi 500miliardë $) ne vitet e fundit, me një fuqi të lirë punëtore, me një siguri për investime, dhe natyrisht me tregun më të gjerë në Azi dhe në bote. Qytetet e saj që dita-ditës shndërrohen në mënyrë marramendëse, me gradaçela e me infrastrukturë moderne (Shanghai, apo Beijing) nuk ju lënë gjë mangut Nju Jorkut apo Tokios. I ashtuquajturi dragoi i Azisë ku shtresa e mesme e popullsisë mund të perballojnë luksozitete te ndryshme si shtëpi apo dhe makina, është me të vërtete një shtet në zhvillim për tu marrë shembull.

 

Aktualisht, Kina është shumë pranë kalimit të prodhimit shkencor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pritet që kontributi që Kina do të japë në inovacione, shpikje dhe gjetje të reja shkencore do të jetë më i madh se i çdo vendi tjetër në botë duke nisur që prej vitit 2018. Ky ishte përfundimi i një studimi të ri madhor të kryer nga Akademia Britanike e Shkencave, e bindur se vendi që shpiku kompastin, barutin, letrën dhe shtypshkronjën e parë do të rikthehet të dominojë shkencën e dekadave të ardhshme. Të dhënat bazohen mbi bazën e artikujve shkencorë të publikuar në revistat e njohura shkencore të botës. Në vitin 1996, i pari i kësaj analize, nga shkencëtarët amerikanë u publikuan 292 513 artikujt, më shumë së dhjetë herë se Kina. Në vitin 2008, publikimet amerikane ishin rritur në mbi 316 mijë, ndërsa ato kineze në mbi 184 mijë. Nëse do të ruhet ritmi aktual në përparimin shkencor të Kinës, brenda dy vitesh shkencëtarët kinezë do të jenë ata me kontributin më të madh në teknologjinë dhe inovacionet botërore.

 

Një komponent i rëndësishëm i fuqisë është potenciali ushtarak. Pekini nuk e ndjen veten inferior ushtarakisht. Kina, me mbi 2,2 milionë ushtarë, ka ushtrinë më të madhe në botë, ka aviacionin ushtarak më të madh në Azi dhe posedon raketa interkontinentale me pajisje atomike, që mund të arrijnë edhe SHBA-të. Sipas statistikave, Kina është renditur e treta në fuqinë ushtarake të botës, me një forcë të kombinuar prej dy milionë e 285,000 ushtarakë aktivë dhe 800,000 forca rezerviste aktive. Forcat tokësore  kineze posedojnë rreth 7.500 tanke, 5.000 autoblinda, 3.000 automjete rimorkimi të pjesëve artilerike, 2.500 topa të lëvizshëm, 2.600 sisteme të mbrojtjes raketore, 1050 njësi mortajash, 1.300 njësi anti-tank, 750 sisteme të mbrojtjes ajrore dhe 6.000 automjete logjistike. Forca Ajrore Kineze ka rreth 4,200 aeroplanë luftarakë, 1,400 helikopterë dhe 502 aeroporte operacionale. Flota kineze gjithashtu ka rreth 600 luftanije, tetë porte, 60 nëndetëse, 1.000 patrulla ushtarake detare, 60 fregata, 30 shkatërrues dhe 600 skafe ushtarake, dhe gjithashtu janë të pajisura me një aeroplanmbajtëse. Unxhi O’hara, një ekspert ushtarak në Japoni, thotë: "Ndërtimi i aeroplanmbajtëses së parë në Kinë është një simbol i rritjes së Kinës në fusha të ndryshme ushtarake dhe teknologjike. Forca ushtarake e Kinës ka bërë përparim të madh që nga fillimi i reformave në aspektin e aftësive dhe koordinimit të potencialeve luftarake. Forca e armëve, aftësia për të luftuar, organizimi dhe koordinimi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Republikës Popullore të Kinës, veçanërisht pas paradës së shtatorit 2015, është rritur ndjeshëm.” Pekini nuk synon vetëm mbrojtjen e vendit, por ka si qëllim ruajtjen ofensive të sferave të interesit. Ndaj Pekini në radhë të parë do të investojë për armët ofensive, në mënyrë që të mund t’i fitojë shpejt konfliktet rajonale.

 

Sidoqoftë, disa mendimtarë e konsiderojnë gjithashtu komponentin e teknologjisë inteligjente si teknologjitë e reja të informacionit që janë zgjeruar ndërkombëtarisht që nga vitet 1990, si një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e fuqisë kombëtare dhe ndërkombëtare të vendeve. Edhe Kina e ka kuptuar këtë dhe në dekadat e fundit, ka kryer përpjekje të gjera në këtë sektor. Ajo ka filluar të zhvillojë teknologji inteligjente, dhe ka arritur shumë suksese në këtë fushë. Prandaj, mund të thuhet se Kina ka arritur të ketë komponentët tradicionalë dhe komponentët modernë të fuqisë duke luajtur një rol kyç në bashkësinë ndërkombëtare, dhe duke u afirmuar si një fuqi e rëndësishme ndërkombëtare që përbën një kërcënim serioz për hegjemoninë amerikane. Megjithatë, Kina ka disa dobësi në fushën e fuqisë, të cilat do t’i diskutojmë në pjesën e dytë të këtij programi.

 

 

Tags