Bota edhe pa Amerikën mund të luftojë ndaj ndryshimeve klimatike
(last modified Mon, 04 Dec 2017 08:01:03 GMT )
Dhjetor 04, 2017 09:01 Europe/Tirane

Ky emision analizon negociatat dhe marrëveshjet e sesionit të njëzet e tretë të Konventës së Ndryshimeve Klimatike mbajtur më 6 Nëntor 2017 në Bon, Gjermani. Përfaqësuesit e afro 200 vendeve u mblodhe në Bon të Gjermanisë për Konferencën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara, që zgjati deri më 17 nëntor.

Vuajtja njerëzore e shkaktuar nga intensifikimi i uraganeve, zjarreve pyjore, thatësisë, vërshimeve dhe kërcënimeve për sigurinë e ushqimit, nga ndryshimet klimatike, nënkupton se njerëzimi nuk ka kohë për të humbur. Jemi dëshmitarë të ndryshimeve klimatike gjithnjë e më të theksuara qe po ndodhin në planetin e Tokës. Shkrirja e akullnajave, rritja e thatësisë, tharja e pyjeve, uraganet, vërshimeve dhe katastrofave tjera natyrore gjithnjë e më të shpeshta, janë vetëm disa prej ndryshimeve globale klimatike që tani më janë te dukshme në çdo pjesë të botës. Konferenca e Bonit është përcjellë me shumë paqartësi, e veçanërisht pas shpalljes së planeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqjen e SHBA nga kjo marrëveshje. Kështu, Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm, që nuk është pjesë e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike. Në Paris bashkësia ndërkombëtare ra dakord për uljen nën dy gradë të ngrohjes së Tokës. Por premtimet për mbrojtjen e klimës të vendeve të veçanta nuk mjaftojnë për këtë. SHBA-ja si producenti i dytë i madh i gazrave të efektit serë, nën presidentin Donald Trump  ka deklaruar shkëputjen nga kjo marrëveshje.

 

Kancelarja e Gjermanisë Merkel në Konferencën Botërore për Klimën në Bon, COP23, paraqiti objektivat e Gjermanisë për mbrojtjen e klimës. Në këtë drejtim një rol të rëndësishëm luan reduktimi i përdorimit të qymyrit. Mjetet financiare dhe strategjia afatgjatë e planit gjerman për mbrojtjen e klimës deri më 2050 janë hapi tjetër duhet ndjekur për ta plotësuar këtë plan me "masa konkrete", tha kancelarja. Objektivat gjermane për klimën për vitin 2020 janë "një qëllim ambicioz", për arritjen e të cilit "ende ka shumë për të bërë". Pikërisht ky objektiv nënkupton një sfidë të madhe, tha Merkel. Ajo shtoi: “Deri në vitin 2020 Gjermania do ta ulë me 40 përqind emetimin e gazrave që krijojnë efektin serë. Ne e dimë, që Gjermania si një vend që ende përdor në masë të madhe qymyrin, kryesisht atë linjit, duhet të japë një kontribut të qenësishëm për t'ia arritur këtij qëllimi”. Nga ana e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi që Europa të plotësojë boshllëkun në financimin e punës së këshillit për klimën IPCC, që u krijua pas deklarimit të SHBA-së për t'u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit. Franca do të japë kontributin e vet, tha Macron dhe garantoi, që IPCC-së më 2018 nuk do t'i mungojë asnjë Euro, për të bërë punë efikase. Macron kërkoi gjithashtu të mbështetet mbrojtja e klimës, duke vendosur rregulla për ndotjen nga emetimet në BE dhe një çmim prej 30 Eurosh për çdo ton dioksid-karboni të çliruar në atmosferë. Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare më shumë mbrojtje të klimës edhe pa SHBA-në. Marrëveshja historike e vitit 2015 në Paris duhet të mbetet e pakthyeshme, tha Steinmeier në Konferencën Botërore për Klimën, COP23 në Bon. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u bëri thirrje pjesëmarrësve të Konferencës Botërore për Klimën në Bon që të ndjekin një politikë më ambicioze për klimën. "Ndryshimi i klimës është rreziku përcaktues i kohës sonë", tha Guterres në Bon. "Ne duhet të avancojmë bashkë edhe më tej dhe më shpejt." Apeli i tij vlen për pakësimin e emisioneve të dëmshme për klimën, ashtu edhe për marrjen e masave të nevojshme dhe ndihmat financiare për viktimat më të dobëta të ndryshimit të klimës. Guterres tha në fjalimin e tij, se vitin e kaluar përafërsisht janë shpenzuar 825 miliardë Dollarë për lëndë djegëse fosile. Këto janë "investime jo në dobi të një të ardhmeje të qëndrueshme", tha ai duke shtuar se një rikonstruktim konform normave të ruajtjes së klimës mund t'u japë një shtysë më të fortë ekonomive kombëtare.

 

Qysh në fillim ishte e qartë, se në Bon do të flitej vetëm për detaje mjaft komplekse dhe teknike të Marrëveshjes së Parisit për Klimën të vitit 2015. Bëhet e qartë se pas euforisë së Parisit para dy vjetësh, politika ndërkombëtare për klimën sërish ka arritur në nivelin e mundimeve për detajet. Premtimet e vitit 2015 tani duhet të zbatohen, por kjo është e vështirë. Në aspektin gjeopolitik, kohët gjithsesi nuk janë të përshtatshme për marrëveshje multilaterale: despotët dhe nacionalistët në Europë, në Turqi dhe SHBA nuk kanë receptorë për mbrojtjen e klimës. Por sidoqoftë, sa i përket SHBA-së, tashmë kanë kaluar kohët kur të gjitha shtetet shihnin nga SHBA-ja, nga ulje ngjitjet e saj lidhur me politikën e klimës. Herë bllokadë nën republikanët, herë përparim si nën demokratët. Prej kohësh bazat janë hedhur. Vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion ekonomik, si dhe shtetet e industrializuara bashkëpunojnë, japin para për përshtatjen me ndryshimin e klimës, formulojnë objektiva. Qytetet dhe rajonet,  madje edhe ato në SHBA bënë të qartë në Bon, se nuk do të lejojnë të ndalen prej mohuesit të klimës Donald Trump. Por të gjitha këto janë të pamjaftueshme. Sepse koha nuk pret më, e kjo është e drejtë. Por një tjetër skenë për ta zgjidhur problemin e njerëzimit, ndryshimin e klimës, nuk ka. E prandaj karvani i klimës vazhdon. Qëllimi i konferencës së Bonit ishte vendosja e piketave për masat për ruajtjen e mjedisit. Vendet janë obliguar të zbatojnë masat e parashikuara në Paris, që temperatura të mos rritet më shumë se dy gradë celsius. Por presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar ndërkohë se nuk do ta respektojë këtë marrëveshje. Njerëzit janë të shqetësuar, sepse politikanët kanë dështuar në realizimin e premtimeve për përmirësimin e klimës. Konferenca Botërore për Klimën në Bon zyrtarisht kishte për qëllimi t'i avancojë bisedimet derisa të mundësojë që në konferencën pasuese vitin e ardhshëm në Katovicë të Polonisë të mund të miratohet i ashtuquajturi libri i rregulloreve për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për Klimën si dhe vendime të tjera të rëndësishme. Sidoqoftë, synimet e parashikuara me marrëveshje për mbrojtjen e klimës duhet të kuptohen seriozisht dhe të zbatohen. Ndonëse as qëllimet e parashtruara nuk mjaftojnë. Nëse temperaturat rriten sipas ritmit të tanishëm, e ardhmja e Tokës dhe e njerëzimit do të jetë shkatërrimi.

 

 

Tags