Umul-Benin, nëna e martirëve të Qerbelasë
(last modified Fri, 09 Mar 2018 08:36:50 GMT )
Mars 09, 2018 09:36 Europe/Tirane

Koha kurrë nuk është në harmoni me kujtimet e mbuluara nga pluhuri. Janë shumë emra të cilët kanë humbu nën këtë qiell të gjerë, mirëpo një emër i qëndrueshëm me të gjitha vuajtjet dhe dhimbjet palë-palë, vazhdon të qëndrojë në kupë të qiellit. Ajo është Umul-Benin, bashkëshortja e Imam Aliut (a.s.) dhe nëna e Abasit.

Data 13 e muajit xhemadi thani sipas kalendarit hixhri kameri, na kujton vdekjen e pikëlluar të një bashkëshorte besnike dhe të një nëne të dashur, të cilën virtytet e larta morale, përkryerja njerëzore, forca e besimit, durimi, vigjilenca dhe oratoria e lartë, e bërën shëmbëlltyrë dhe model të gruas myslimane.    

Emri i kësaj zonje të nderuar është Fatime dhe epiteti i saj është Umul-Benin (nëna e djemve). Babai i saj quhej Khizam dhe nëna e saj Themame. Supozohet se ajo kishte lindur në vitin e pestë pas hixhretit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. nga Meka në Medine. Familja e saj njihej në trimëri, fisnikëri, moral, letërsi dhe në aspektin e pozitës shoqërore dhe konsiderohej një prej familjeve me ndikim më të madh pas fisit Kurejsh. Sejed Mohsen Amin, letrar dhe biograf i shek. 13 hixhri kameri, thotë: "Umul-Benin (s.a.) ishte edhe një poete me oratori të lartë dhe vinte nga një familje e njohur për trimëri, burrëri dhe bujari". Ajo ishte nga një familje për të cilën Akil ibën Abu Tablib, njohës i mirë i origjinës së fiseve arabe, i kishte thënë Imam Aliut (a.s.): "Në mesin e arabëve, nuk mund të gjesh më trima dhe më burra se sa baba prijësit e kësaj familje".

Pas martirizimit të Hazretit Fatime (s.a.), Ali bin Abu Talib (a.s.) kishte kërkuar nga vëllai i tij Akili i cili ishte një prej njohësve më të mëdhenj të origjinës së familjeve arabe, të gjejë një bashkëshorte nga një familje e njohur për trimëri dhe bujari. Akili i kishte propozuar atij Fatime Kelabije që familja dhe fisi i saj Beni Kelab ishte e njohur në trimëri dhe bujari. Imam Ali (a.s.) e pëlqeu këtë propozim dhe e çojë Akilin pranë babait të Umul-Benin për të kërkuar dorën e saj. Khizam i cili ishte shumë mikpritës, e mirëpriti me ngrohtësi dhe me respekt të veçantë Akilin dhe në shenjë respekti ndaj tij theri një kafshë. Tradita e arabëve ishte në këtë mënyrë që ata deri në tre ditë bënin mikpritje për mysafirin ose mikun dhe në ditën e tretë e pyesnin atë se për çfarë kishte ardhur ose çfarë kërkese kishte. Familja e Umul-Benin e cila jetonte jashtë qytetin e Medinës, në këtë rast respektoi këtë traditë arabe dhe ditën e katërt me edukatë dhe respekt, e pyeti atë se për çfarë kishte ardhur. Akil u përgjigj: "Kam ardhur për të kërkuar dorën e vajzës tuaj Fatimes për Ali bin Abu Talib". Khizami i cili kurrë nuk kishte paramenduar se do t'i bëhej një kërkesë e tillë, u befasua. Me sinqeritet dhe respekt të plotë tha: "Është gjë shumë e mirë që një kërkesë e tillë më vjen nga një familje kaq e nderuar dhe e respektuar! Mirëpo o Akil, një femër nga një fis beduin nuk e meriton të bëhet bashkëshorte e Ali bin Abu Talib!". Akili pasi dëgjoi këto fjalë, tha: "Aliu është i informuar për atë çfarë po thua ti, por megjithëkëtë ka shpreh dëshirën që të kërkojë dorën e vajzës tënde". Babai i Umul-Benin i cili nuk dinte se çfarë të thoshte, kërkoi pak kohë nga Akili në mënyrë që të shkojë dhe të pyes nënën e vajzës, do të thotë, Thamame bin Suhejl dhe gjithashtu të kërkojë edhe mendimin e vajzës, duke thënë: "Grat janë të njohura më tepër me dëshirat dhe moralin e vajzave të tyre dhe më mirë e dinë sa çfarë dëshirojnë ato".

Kur babai i Umul-Benin shkoi te gruaja e tij që të pyes në lidhje me propozimin për martesën e vajzës së tyre me Aliun (a.s.) dhe i tha asaj: "A mendon se vajza jonë e meriton të bëhet bashkëshorte e Ali bin Abu Talib? Dije se shtëpia e tij është shtëpi e shpalljes dhe profetësisë dhe shtëpi e diturisë, urtësisë dhe edukatës. Prandaj, nëse mendon se vajza jone e meriton një martesë të tillë, e pranojmë këtë propozim, por nëse nuk e meriton, atëherë e refuzojmë këtë propozim". Bashkëshortja e tij e cila kishte një dashuri dhe respekt të madh për familjen e Profetit Muhamed s.a.v.s., pa menduar tha: "O Khizam! Betohem në Zotin se unë e kamë edukuar shumë mirë atë dhe e lus Zotin fuqiplotë që atë ta bëjë të lumtur dhe ajo të jetë e merituar për t'i shërbyer Ali bin Abu Talib si bashkëshorte, prandaj martoje atë me Aliun!".

Ditën e parë kur Fatime Kelabije hyri në shtëpinë e Ali bin Abu Talib (a.s.), Hasani dhe Hyseni (a.s.) që të dy ishin të sëmurë dhe ishin të shtrirë në shtrat. Ajo posa hyri në shtëpi, shkoi pranë atyre dy të dashurve dhe si një nën e dashur dhe me plotë mëshirë, u përkujdes ndaj tyre. Ajo në ditët e para të martesës me Imam Aliun (a.s.), i propozoi atij që në vend të emrit "Fatime", ta thërras atë me epitetin "Umul-Benin" në mënyrë që fëmijët e Hazretit Fatime (s.a.) të mos shqetësohen nga përmendja e emrit të vërtetë të saj nga ana e Imam Aliut (a.s.) dhe të pikëllohen për nënën e tyre. Umul-Benin mundohej të mbushte zbrazëtirën e Hazretit Fatime Zahra (s.a.) për fëmijët e saj, e cila kishte vdekur në moshë të re dhe kishte lënë fëmijët me një pikëllim të madh. Fëmijët e Hazretit Fatime Zahra (s.a.) në qenien e kësaj zonje besimtare dhe të devotshme, shikonin nënën e tyre dhe më pak ndjenin vuajtjen e humbjes së nënës së tyre.

Umul-Benin gjithmonë fëmijëve të vajzës së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. u jepte përparësi ndaj fëmijëve të saj dhe tregonte dashuri të madhe për ata. Ajo këtë dashuri e konsideronte një çështje obligative sepse Zoti i madhëruar në librin e Tij, të gjithë i ka urdhëruar që të kenë dashuri ndaj fëmijëve të Hazretit Fatime Zahra (s.a.)

Ajeti 23 i sures Shura

Zejnudin Ameli, dijetar dhe jurist islam i shekullit 10 hixhri kameri, në lidhje me këtë zonjë me virtyte të larta ka thonë: "Umul-Benin ishte një zonjë me njohuri dhe virtyte të larta. Ai kishte një dashuri dhe respekt të sinqertë ndaj familjes së Profetësisë dhe e ka përkushtuar vetën plotësisht për t'i shërbyer kësaj familje. Edhe familja e Profetësisë kishin një respekt të veçantë për atë dhe e nderonin pamasë atë". Natyrisht se dashuria e padyshimtë e Umul-Benin ndaj pasardhësve të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., nuk ka mbetur pa përgjigje dhe Ehli Bejti (a.s.), që të gjithë kanë treguar një respekt dhe nderim të madh ndaj saj dhe kanë falënderuar shumë atë.

Fryt i jetës së përbashkët të Umul-Benin me Imam Aliun (a.s.), ishin katër djem. Emrat e fëmijëve të saj ishin si në vijim: Abul-Fazl Al-Abas (Kamere Beni Hashim), Abdullah, Xhafer dhe Othman të cilët të gjithë u martirizuan në Qerbela në luftën përkrah Imam Husejnit (a.s.) dhe loza e tyre vazhdoi me Ubejdullah, djalin e Abul-Fazl Abas (a.s.). Me martirizimin e katër djemve të Umul-Benin në Qerbela, ajo u bë nënë e martirëve dhe përveç se ishte bashkëshorte e martirit, tani u bë edhe nënë e martirëve.

Përshëndetje për ty oj Umul-Benin

Kur Umul-Benin e pa Beshirin, korrierin e Imam Saxhad (a.s.) i cili kishte ardhur në Medine për të informuar njerëzit për ngjarjen e Qerbelasë dhe kthimin e karvanit të Imam Husejnit (a.s.) në Medine, e pyeti atë: "O Bashir! Çfarë lajmesh ke për Husejnin (a.s.)?" Bashiri tha: "E lus Zotin që të japë durim ty, Abasi yt është vrarë!" Umul-Benin tha: "Më lajmëro mua për Husejnin (a.s.)!" Bashir e lajmëroi atë për martirizimin e fëmijëve të tjerë të saj, mirëpo Umul-Benin vazhdimisht pyeste për Imam Husejnin (a.s.) dhe me durim dhe vigjilencë tha: "O Bashir! Më lajmëro mua për Abu Abdullah Al-Husejn, fëmijët e mijë dhe gjithçka që ekziston nën këtë qiell, le të sakrifikohet për Husejnin". Kur Bashiri e lajmëroi atë për martirizimin e Imam Husejnit (a.s.), ajo bërtiti me zë të lartë dhe tha: "O Bashir! Më këpute damarin e zemrës!" Pastaj filloi të vajtojë me zë të lartë

Oj Umul-Benin

Sipas Alame Mamkani, dijetar i madh e shkencës për studimin e personaliteteve, mendon se kjo dashuri e madhe e Umul-Benin ndaj fëmijëve të Hazretit Fatime Zahra (s.a.), është rezultat i pozitës së saj të lartë në besim dhe njohjes së madhe të saj ndaj pozitës së Imametit, prandaj ajo e konsideron më të lehtë martirizimin e katër djemve të saj në rrugën e mbrojtjes ndaj Imam Husejnit (a.s.).

Një tjetër karakteristikë e lartë e Umul-Benin, është oratoria e saj e cila është manifestuar në poezitë e bukura të saj. Në familjen Beni Kelab kanë qenë poetë të dalluar që arabët gjithmonë mbështeteshin te poezitë e tyre. Umul-Benin ishte rritur dhe edukuar në një familje të tillë dhe me poezinë dhe letërsinë dhe oratorinë arabe ishte e njohur shumë mirë. Një prej poezive të pavdekshme të Umul-Benin e cila është lavdëruar dhe vlerësuar lartë nga letrarët dhe poetët e mëdhenj arabë, është ajo të cilën e ka krijuar martirizimit të djalit të saj që njihej si "babai i virtyteve dhe mirësive". Një varg i kësaj poezie thotë:

Mos më thirrni mua Umul-Benin se po më kujtohen luanët trima

Unë kisha djem që thirresha në emër të tyre, por sot nuk kamë djem.

Kisha katër djem si skifterët e gjuetisë dhe u martirizuan të gjithë

Historianët shkruajnë: "Umul-Benin ka vajtuar me dhimbje aq të madhe për martirizimin e djemve të saj dhe sidomos për martirizimin e Imam Husejnit (a.s.), sa që edhe Marvan bin Hakem që njihej për armiqësi ndaj Ehli Bejtit, qante kur dëgjonte elegjitë e vajtimit të saj".

Ajo me elegjitë dhe vajtimin e saj, ka transmetuar për gjeneratat e ardhshme padrejtësinë dhe dhunën që është ushtruar ndaj Imam Husejnit (a.s.) dhe besnikëve të tij. Umul-Benin së bashku me nipin e saj Ubejdullah bin Abas e cili së bashku me nënën e tij ishte i pranishëm në Qerbela dhe ishte një argument i gjallë për të treguar ngjarjet e Ashuras, për çdo ditë shkonte në varrezat Baki'e dhe vajtonte atje. Ajo me këto poezi, ka ritreguar edhe epopenë dhe heroizmin e Qerbelasë, edhe nëpërmjet elegjive dhe vajtimit ka informuar njerëzit për krimet e pushtetit Emevit.

Varri i Umul-Benin

Më në fund, Umul-Benin, ajo zonjë e nderuar, pas një jete të gjatë me plotë përpjekje, durim dhe qëndresë pas dhurimit të katër djemve të saj në rrugën e Husejn bin Ali (a.s.), me zemër të mbushur me dashuri ndaj Ehli Bejtit (a.s.), vdiq më 13 xhamadi thani të vitit 64 hixhri kameri. Trupi i saj u varros në varrezat Baki'e. Përshëndetja dhe paqja qoftë mbi atë!.

Tags