Evropa në rrugën e pavarësisë strategjike (1)
Bashkimi Europian, si një nga unionet më të mëdha rajonale në botë, është formuar në bazë të konvergjencës së vendeve evropiane në aspekte të ndryshme politike, ekonomike, monetare, kufitare, të politikës së jashtme dhe sigurisë së 28 vendeve evropiane. Megjithatë, me largimin e Britanisë nga BE në vitin 2019, ky entitet evropian do të ketë 27 anëtarë.
Në kryeqytetet evropiane po rishikohen parashikimet mbi mundësinë që Presidenti Trump të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë. Para zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kongresin amerikan, në Evropë ishte krijuar bindja e përgjithshme se Trump do të qëndronte vetëm një mandat në Shtëpinë e Bardhë, por me forcimin e kontrollit republikan në Senat po bëhen kalkulime të reja. Si rezultat, disa figura të larta në Evropë po shprehen se nuk mund të presin edhe dy vjet të tjera deri në rikthimin tek marrëdhëniet më tradicionale me një Uashington pro-relatave atlantike, por duhet të shqyrtojnë mënyra më të mira për të vepruar me një udhëheqës amerikan që e shikon politikën e jashtme si një marrëdhënie konkurrence me fitues dhe humbës dhe nuk ushqen sentimentalizëm për lidhjet tradicionale me aleatët evropianë.
Në radhët e politikanëve evropianë po shfaqet një dallim i qartë mes atyre që besojnë se duhet t’u kushtohet vëmendje më e madhe interesave amerikane në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet e tendosura transatlantike, si dhe udhëheqësve e politikanëve që kërkojnë të përqafohet një strategji më agresive -- “Evropa në Plan të Parë”-- duke argumentuar se përpjekja për ta afruar Presidentin Trump me pikëpamjet e tyre u provua, por ka dështuar. Disa politikanë dhe analistë evropianë thonë se Presidenti Trump mund të bëhet edhe më i vështirë në marrëdhëniet me to gjatë dy vjetëve të ardhshëm. Ata parashikojnë se ai do u mëshojë më me forcë politikave që tronditën marrëdhëniet transatlantike gjatë dy viteve të para në Shtëpinë e Bardhë, si tërheqja e Amerikës nga marrëveshja me Iranin, si dha nga traktati i Parisit për klimën; apo duke sulmuar aleatë si Gjermania për sufiçitin tregtar si dhe duke kritikuar vendet anëtare të NATO-s që nuk shpenzojnë më shumë për mbrojtjen kolektive perëndimore. Zgjedhjet për Kongresin amerikan treguan se ky revolucion në politikën e jashtme që solli Presidenca Trump do të bëhet edhe më i thellë. Ai ka gjasa më shumë se kurrë më parë që të fitojë një mandat të dytë, sidomos nëse demokratët janë të përçarë. Këto zgjedhje i treguan botës se strategjia “Amerika në Plan të Parë” do të vazhdojë, se nuk është një trill i përkohshëm që do të rregullohet e do të kthehemi në status kuonë e para 2016-tës.
“Amerika në Plan të Parë” mbetet një sfidë e sikletshme për udhëheqësit evropianë dhe ka nxitur disa të bëjnë thirrje për një strategji balancuese “Evropa në Plan të Parë”. Por përçarjet mes evropianëve e kanë bërë të pamundur një konsensus në mbështetje të kësaj strategjie. Zyrtarët britanikë e gjermanë fajësonë Presidentin francez Emmanuel Macron se u tregua pamatur, duke argumentuar se deklaratat e tij për një ushtri evropiane dhe për nevojën që Evropa të çlirohet nga varësia ushtarake tek Amerika, ishin të papeshuara për një moment të tillë kur janë thelluar divergjencat transatlantike. Si Britania, ashtu edhe Gjermania e shohin me shumë skepticizëm idenë e presidentit francez për një ushtri evropiane. Skeptikët thonë se një ushtri e tillë nuk do të arrijë kurrë të zëvendësojë rolin që luan ushtria amerikane. Sidoqoftë, shtetet e BE ranë dakord për herë të parë për një bashkëpunim të përhershëm ushtarak. Në të do të marrin pjesë, krahas Gjermanisë, 24 shtete të tjera të BE. Bashkëpunimi do të çojë në plan afatmesëm në krijimin e një Bashkimi evropian të Mbrojtjes. Një nga synimet në këtë kuadër është që BE të bëhet më i zhdërvjellët dhe më i pavarur nga SHBA. Bashkëpunimi i përhershëm i strukturuar, i cili u vendos formalisht në një takim të ministrave të Jashtëm të BE do të nisë me 17 projekte konkrete. Nën udhëheqjen gjermane do të ngrihet një komandë sanitare, kryqëzime logjistike si dhe një qendër trajnimi për pedagogët ushtarakë. Veç kësaj janë parashikuar për shembull edhe një mbikëqyrje më e mirë e detit dhe zhvillimi i prototipave të automjeteve për këmbësorinë. Do të merren masa që në të ardhmen BE të dërgojë në raste krizash më shpejt trupa. Për këtë është e interesuar para së gjithash Franca.
Guri i themelit për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes u hodh në një takim të përbashkët të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE. Në atë kohë, shtetet e interesuara e informuan zyrtarisht BE-në se duan të themelojnë një institucion i quajtur PESCO ose "Bashkëpunimi i përhershëm i strukturuar". Në këtë bashkëpunim nuk marrin pjesë Danimarka, Britania e Madhe dhe Malta. Danimarka nuk merr pjesë tradicionalisht në politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes të BE, kurse Britania e Madhe do të dalë më 2019 nga BE. Malta me sa duket nuk donte t'i plotësonte kriteret e anëtarësimit, që parashikojnë ndër të tjera një rritje të rregullt të shpenzimeve të mbrojtjes. Mundësia e krijimit të një bashkëpunimi të përhershëm të strukturuar midis shteteve të BE u krijua në 2009 me marrëveshjen e Lisbonës të BE. Britania e Madhe e pati bllokuar prej kohësh këtë bashkëpunim. Britania, fuqia më e madhe ushtarake në Evropë, e cila ka vendosur të largohet nga BE, ka kundërshtuar çdo iniciativë që mund të çojë në krijimin e një ushtrie evropiane. Përballë daljes nga BE, Londra tani nuk ka më argumenta kundër këtij bashkëpunimi. Bashkimi Evropian ka nisur një pakt të madh ushtarak, duke u përpjekur të koordinojë politikat dhe projektet midis shteteve anëtare përballë kërcënimeve të supozuara nga lindja e kontinentit. Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE, tha se shtetet gjithashtu do të miratojnë Fondin Evropian të Mbrojtjes (EDF), një projekt me një buxhet vjetor prej 1.5 miliardë euro. Skemat janë pjesë e përpjekjeve të BE për të koordinuar më mirë projektet dhe politikat ushtarake midis anëtarëve dhe për të rritur aftësitë ushtarake të bllokut përballë kërcënimeve të supozuara nga Rusia në lindje. Shefi i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker tha se miratimi i iniciativës si një komponent kryesor i Traktatit të Lisbonës 2007, i cili mbështetet në BE-në moderne, ishte tepër i vonuar.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në lidhje me propozimin e projektit të mbrojtjes së përbashkët të Evropës i paraqitur nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka vlerësuar se një projekt i tillë përputhet me politikën e mbrojtjes së shteteve të NATO-s. Por, sipas tij çdo përpjekje e BE-së që ka bërë ose do të bëjë, nuk duhet të jetë vështirësi për NATO-n, por plotësuese. Stoltenberg, në lidhje me mendimin e "ushtrisë së përbashkët në Evropë" të sjellë në rendin e ditës nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka deklaruar se marrja e vendimeve mbi projektin e përbashkët evropian të mbrojtjes është në interes të BE-së. Sipas tij çdo investim i madh në fushën e mbrojtjes është një gëzim. “Kjo forcon edhe NATO-n edhe BE-në. Një projekt i tillë përputhet me politikën tonë mbrojtëse. Por, çdo përpjekje e BE-së që ka bërë ose do të bëjë, nuk duhet të jetë vështirësi për NATO-n, por plotësuese. Fuqia e dyfishtë na shqetëson. Burimet e mbrojtjes duhet të përdoren në mënyrën më të mirë", deklaroi shefi i NATO-s. Kancelarja gjermane, Angela Merkel në një fjalim për të ardhmen e Europës u shpreh pro idesë së krijimit të ushtrisë europiane. Pas presidentit francez, Emmanuel Macron që u shpreh fillimisht për krijimin e një ushtrie europiane, duke korrur kritika të forta nga presidenti amerikan, Donald Trump, edhe kancelarja Merkel u pozicionua në favor të një ushtrie të vërtetë europiane . Ajo u shpreh pro krijimit të ushtrisë europiane. Në Parlamentin Europian në Strasburg, ajo e mbështeti idenë e presidentit francez. “Ne duhet të punojmë për vizionin që një ditë të kemi edhe një ushtri të vërtetë europiane.” Kancelarja gjermane, theksoi po ashtu, se një BE digjitale do të bëhet, vetëm, nëse përpjekjet globale dështojnë.
Ndërkohë, opinioni i liderit rus, Vladimir Putin është se ideja e Presidentit francez, Emmanuel Macron për një ushtri evropiane, ka sens dhe është pjesë e një procesi pozitiv. Sipas Putinit, kjo ushtri do të mund të forconte natyrën shumëpolare të botës. Sipas Macron, një ushtri evropiane do të zmbrapste kërcënimet nga SHBA, Kina dhe Rusia. Evropa, sipas Macron, duhet të mbrojë veten, ndërkohë që nuk mund të mbështeten më tek Shtetet e Bashkuara. Presidenti i SHBA, Donald Trump ka shprehur frustrim ndaj idesë së një force evropiane që mund të ketë si qëllim mbrojtjen e Evropës edhe përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Trump ka thënë se propozimi i Macronit, është një fyerje për SHBA-në. Presidentët amerikanë dhe rusë, panë tek ky diskutim mundësinë për t’i kujtuar të gjithëve mosbesimin e Trumpit ndaj aleancave, dhe dëshirën e Putinit për të shkëputur Europën nga SHBA. Fakti që udhëheqësit evokojnë konceptin e një ushtrie evropiane, është gjithashtu simptomë e një evolucioni strategjik. Përballë kërcënimit rus në lindje, dhe kërcënimit terrorist në jug, në një kontekst në të cilin SHBA-ja synon të zvogëlojë angazhimin e saj ushtarak dhe të fokusohet tek Kina, evropianët e kuptojnë tani se kanë nevojë më shumë se kurrë për njëri-tjetrin. E megjithatë, integrimi në fushën e mbrojtjes, përbën një pengesë të madhe. Ndërsa shtetet lindore dhe veriore përqendrohen kryesisht tek kërcënimi rus, vendet e Evropës Jugore, përfshirë Francën, po shohin më tepër drejt Mesdheut dhe Afrikës. Kjo dilemë lindje-jug, e ka dëmtuar më shumë se një herë kohezionin e BE-së, ashtu si në vitin 2014 kur vendet e Evropës Lindore, evokuan krizën e Ukrainës, për të refuzuar dërgimin e trupave në misionin e EUFOR që kërkoi Franca në Republikën e Afrikës Qendrore. Megjithatë, disa shembuj të kohëve të fundit, tregojnë se kjo dilemë gjeostrategjike potencialisht mund të kapërcehet. Pak njerëz komentuan një element kyç të deklaratës së presidentit Makron: ai nuk e justifikonte idenë e një ushtrie evropiane nga nevoja për të ndërhyrë në Afrikë, çka do të ishte qasja tradicionale e Francës.
Ndërsa këto iniciativa nuk kanë krijuar një ushtri evropiane, ato kanë dëshmuar se është e mundur të ecet drejt përvojave gjithnjë e më të përhapura, dhe perceptimeve të kërcënimeve midis ushtrive të ndryshme evropiane. Ekspertët shpesh e konsiderojnë konceptin e një ushtrie evropiane si jorealiste. Por udhëheqësit politikë, do të vazhdojnë të përdorin këtë koncept, pasi kjo bart një avantazh të madh: nxit imagjinatën e qytetarëve. Për shkak të rëndësisë simbolike dhe psikologjike, askush nuk është indiferent ndaj kësaj ideje, dhe që nuk dështon asnjëherë në nxitjen e debatit publik. Çfarëdolloj opsioni, që mund të zgjedhin evropianët për të ardhmen e mbrojtjes së tyre, mbështetja popullore do të jetë një faktor vendimtar në atë vendim. Ndoshta kjo është natyra e vërtetë e “ushtrisë evropiane”. Më shumë se sa një ëndërr, një slogan apo një horizont afatgjatë, ajo është një ftesë për të debatuar në mënyrë demokratike, mbi të ardhmen e sigurisë.