Ramazani, muaji i Zotit (8)
(last modified Wed, 29 May 2019 09:56:08 GMT )
May 29, 2019 11:56 Europe/Tirane
  • Ramazani, muaji i Zotit (8)

Përshëndetje për ju të dashur dëgjues, jemi së bashku me pjesën e fundit të emisioneve prej tre pjesëve me titull "Ramazani në vende të ndryshme të botës", në kuadër të ciklit tonë të emisioneve me titull “Ramazani, muaji i Zotit”.

Në këtë program, do të prezantojmë Ramazanin në vendet si Turqia, Taxhikistani, disa vende arabe dhe Rusia. Qëndroni me ne!

Turqia ka një popullsi prej 82 milionësh, 98% prej të cilave janë myslimanë. Para fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, të gjitha xhamitë përgatiten për muajin e agjërimit. Xhamitë janë të zbukuruara me llambadarë me fraza që lavdërojnë Ramazanin. Xhamitë e mëdha të vendit, si Ajub Sultani, Suleymanije, Me'mar Sinan dhe Sulltan Ahmed (ose Xhamia Blu) zbukurohen për Ramazan. Në mesnatë, disa njerëz dalin në rrugë për të zgjuar muslimanët për ushqim para agimit (Syfyrit) duke recituar poema të veçanta dhe himne fetare. Iftari publik është i zakonshëm në Turqi ashtu si në vendet e tjera muslimane. Ajo që është interesante në këto tavolina është buka e freskët me supë, perime të freskëta dhe ullinjt. Fitër Bajrami festohet për tre ditë dhe njerëzit përgatiten për këtë festë të madhe disa ditë më parë. Një ditë para Bajramit, orët e punës së zyrave dhe organizatave reduktohen në mënyrë që njerëzit të sigurojnë kërkesat për këtë ngjarje. Gjatë lutjes së Bajramit, të gjitha qendrat qeveritare dhe madje edhe muzetë dhe vendet turistike janë të mbyllura. Njerëzit shkojnë në xhami për namaz dhe pastaj shkëmbejnë vizita me të afërmit dhe miqtë e tyre.

Në Taxhikistani, Ramazani njihet si muaji i miqësisë, i dashurisë dhe i ndihmës për të tjerët. Mbi 95% e popullsisë prej 7.5 milionë banorësh janë myslimanë. Muaji i bekuar i Ramazanit është plot ceremoni të veçantë në Taxhikistan. Një nga këto zakone quhet "Rabbe Min". Kjo porosi mbahet pas Iftarit dhe të rinjtë mblidhen në grupe dhe duke shkuar nga një derë në tjetrën, ata e lavdërojnë muajin e bekuar të Ramazanit me poema dhe himne. Njerëzit zakonisht u japin dhurata këtyre të rinjve.

Muslimanët e Taxhikistanit, ashtu si myslimanët e tjerë, falen intenisivisht në Natën e Kadrit dhe kanë besim të fortë se Zoti ua fal mëkatet penduesve në ëkëtë natë, kur Kur’ani i shenjtë u zbulua në zemrën e Profetit Muhamed (s.a.v.s). Taxhikët e festojnë Bajramin me ceremoni të veçanta dhe e konsiderojnë atë një festë kombëtare. Ata dynden në xhami për lutjen e veçantë të kongregacionit. Nëse një djalë lind në këtë ditë, ata e emërojnë atë me emrin Ramazan dhe nëse një vajzë lind në këtë ditë ajo quhet Saumijeh, që Saumi është një fjalë arabe për agjërimin. Kjo tregon statusin e Ramazanit, agjërimin dhe Fitër Bajramin në mesin e taxhikëve.

Ramazani gëzon një status të veçantë në vendet arabe. Një nga zakonet e zakonshme në mesin e arabëve është zgjimi i njerëzve për Syfyr. Ka njerëz të quajtur Musharati. Ata veshin rroba tradicionale dhe lexojnë poezi me zë të lartë. Temat e poezive të tyre janë: "O gjumash! Zgjohuni dhe adhurojeni Zotin, zgjohuni dhe hani Syfyr, sepse  Ramazani ka ardhur për t'ju vizituar".

Libanezët kanë një shumëllojshmëri të pasur ushqimesh gjatë Ramazanit. Mes këtyre ushqimeve mund të përmendim: Tabuleh, Fattush, Batinxhan Motabal, Homus, Kibbeh, Arajes dhe Fatteh. Disa nga këto ushqime, ashtu si Homus dhe Kibbeh, kanë shkuar përtej Libanit dhe janë të njohura në vende të tjera. Ëmbëlsirat libaneze janë gjithashtu shumë popullore në Ramazan. Pasta dhe biskota hahen pas Iftarit. Ato përfshijnë Katajef, Kanafeh dhe Mafroukeh.

Në Arabinë Saudite, në qytetin e shenjtë të Mekës, mijëra muslimanë përgatiten në agim për kryerjen e Umrës (ose pelegrinazhit të vogël). Pas namazit të Ishasë, ata recitojnë lutje në rrethinat e Qabes së shenjtë. Qytetarët e Arabisë Saudite konsumojnë hurmen, kafenë, mishin e grirë dhe peshqit gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Festa e Fitër Bajramit zgjat një javë në Arabinë. Njerëzit e përdorin këtë periudhë kryesisht për udhëtime.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, përgatitjet për Ramazanin fillojnë nga mesi i Sha'banit e tutje. Fëmijët fillojnë të veshin rroba të veçanta si shenjë për të mirëpritur Ramazanin. Lagjet e ndryshme dhe xhamitë janë të zbukuruara me fenerë dhe njerëzit blejnë rroba të reja për të mirëpritur Fitër Bajramin.

Ka më shumë se 20 milionë muslimanë në Rusi. Shumica e këtyre muslimanëve jetojnë në Kaukaz, Tatarstan dhe Bashkortostan. Por ka xhami në pothuajse çdo qytet në Rusi. Iftari publik është i zakonshëm në xhami ku hurmet dhe çaji shërbehen për agjëruesit. Muslimanët e qyteteve të mëdha si Moska dhe Shën Petersburg bashkohen për lutjen e kongregacioneve dhe Iftarin e thjeshtë. Shërbimi i publikut për  Iftar është kaq i zakonshëm në Rusi, ku edhe jo-muslimanët janë të informuar për ardhjen e Ramazanit me këtë traditë. Që nga viti 2006, Moska ka mbajtur një tendë speciale Ramazani si një zakon i bukur. Programet në këto çadra përfshijnë Iftarin, organizimin e recitimit të Kur'anit dhe garat e memorizimit, njohjen e zakoneve dhe traditave të Ramazanit në rajone të ndryshme të Rusisë, konkurrencën midis fëmijëve, ekspozimin e ushqimeve të veçanta të Ramazanit dhe njohjen me Islamin. Fitër Bajrami festohet me lavdi mes muslimanëve rusë. Manti është ushqimi i famshëm për Bajram midis myslimanëve rusëve.

 

 

Tags