Arti i Ashuras, art simbolik dhe epik  (2)
(last modified Sun, 08 Sep 2019 07:26:34 GMT )
Shtator 08, 2019 09:26 Europe/Tirane
  • Arti i Ashuras, art simbolik dhe epik  (2)

Muharremi duke ardhur dhe Ashura me një qëndrim të fortë, na ftojnë të shohim lavdinë dhe madhështinë e qëndresës dhe lirisë. Muharremi vjen për të na kujtuar se mitet mbeten të gjalla për të simbolizuar epikën dhe epika krijon historinë. Epika nuk është as trillim dhe as tregim, epika është pjesë e jetës sonë individuale, nëse shoqërohet me drejtësi dhe rezistencë ndaj padrejtësisë. Ashtu si Huseini (as) ia mësoi botës.

Artisti dhe piktori bashkëkohor iranian Ahmad Nadalian beson se arti i Ashuras është konkretizuar në dy forma në veprat e artit: arti që përshkruan drejtpërdrejt Ashuran dhe që ka qenë subjekt i interesit më të madh të publikut dhe arti i frymëzuar nga Ashura që ka një origjinë intelektuale dhe ka qenë në fokusin e artistëve të arsimuar në universitete.

Në programin e kaluar, përmendëm se arti vepron si medium në ceremonitë për përkujtimin e Ashuras. Ndonjëherë shihet në shfaqje dhe imagjinatë, nganjëherë në shenjat dhe tehet e tyre, dhe nganjëherë në flamujt dhe shkrimet dhe në ngjyrat e larmishme që të gjitha formojnë një kulturë të thellë dhe të përhapur të artit popullor. Por fusha e artit në Iran është shumë e gjerë dhe ka një prani serioze në pikturë, dramë, artizanat, muzikë, letërsi etj.

Për shembull, në pikturën moderne iraniane dhe në një degë të saj të quajturës "Sakakhane", mund të shihet një ndikim i madh i artit të Ashuras, dhe disa nga shenjat dhe simbolet e lashta dhe të njohura të kësaj ngjarjeje janë riprodhuar në pikturat e artistëve të këtij zhanri. Dallimi i vetëm është se artistët modernë i kushtojnë më shumë vëmendje temës nga këndvështrimi estetik, por artistët e së kaluarës, dhe veçanërisht ata me prirje imagjinare, kanë qenë më të përqendruar në shprehjen e dashurisë dhe përkushtimit ndaj pjesëtarëve të Ehl ul-Bejtit (as).

Përveç artistëve të pikturës, artistë të tjerë bashkëkohorë iranianë, veçanërisht vitet e fundit, në punën e tyre janë përpjekur të përdorin shenjat dhe metodat e bazuara në artin e lidhur me Ashurën. Edhe në artin modern mund të vërejmë se si artistët e rinj shfrytëzojnë  elementë të artit të Ashuras në veprat e tyre artistike.

Pika kryesore në përqasjen e artistëve bashkëkohorë ndaj ngjarjes së Ashuras ishte evolucioni i formave rituale të Ashuras dhe përpjekja për të rifreskuar dhe rikrijuar ngjarjen. Artistët bashkëkohorë ndonjëherë kanë bërë përpjekjet e tyre më të mira për të krahasuar disa ngjarje bashkëkohore me ngjarjen e Ashuras, dhe në këtë mënyrë, ndihmojnë për të kuptuar madhështinë e lëvizjes së Imam Huseinit (as) dhe forcojnë vullnetin për të vazhduar këtë rrugë përgjatë historisë dhe në ndjekjen e lirisë dhe në luftën kundër shtypjes dhe padrejtësisë. Një shembull i mrekullueshëm dhe real i këtij kombinimi dhe e kësaj thyerje të kohës dhe vendit në vizualizimin e ngjarjes së Ashures, është marrja e shembullit të eposit të Qerbelasë nga njerëzit, dhe veçanërisht nga luftëtarët iranianë, gjatë tetë viteve të mbrojtjes së shenjtë dhe mbrojtjes së atdheut të tyre kundër agresionit të regjimit të Sadam Huseinit dhe sulmit të armiqve të kombit iranian. Ky aspekt i mbrojtjes së shenjtë shihet qartë në artin e lidhur me Ashuran dhe në të gjitha degët shembujt e tij janë të shumtë.

Gjatë historisë, dhe veçanërisht në disa shekujt e fundit, shoqëria iraniane duket se ka qenë në gjendje të krijojë një sistem të gjerë të traditave, riteve dhe ceremonive të vogla dhe të mëdha përmes përfshirjes së "kulturës së Ashuras dhe ritualeve të saj" në frymën kolektive dhe në jetën kulturore të njerëzve. Rite që jo vetëm që kanë një qasje fetare, por gjithashtu përmbajnë një seri të traditave artistike, estetike, kulturore dhe shoqërore të shoqërisë iraniane në nivele të ndryshme.

Një nga risitë dhe inovacionet më të rëndësishme të komunitetit të artit iranian në kontekstin e ritualeve të Muharremit është Tazije. Tazije është një sistem fetar-artistik-estetik që ka mbledhur një mori pasurish artistike, performuese, poetike, muzikore dhe aspekte të tjera estetike dhe etike të shoqërisë iraniane ndër shekuj. Për shkak të kësaj densiteti të lartë artistik, performanca e Tazijes ka tërhequr vëmendjen e studiuesve vendas dhe të huaj përgjatë historisë, gjë që ka çuar në ekzistencën e saj të vazhdueshme në arte dhe festivale, dhe kështu në njohjen e saj nga të tjerët.

Ne e dimë se ritualet fetare (me aspektet e tyre artistike, estetike, letrare dhe teatrale) nuk janë thjesht për përfaqësim dhe një përkujtim i së kaluarës. Ritualet në të vërtetë ndikojnë në të menduarit, njohjen dhe prejardhjen e shoqërive të ndryshme, dhe përmes burimeve të tyre artistike, letrare dhe estetike, shoqëria krijon sistemet e veta rituale për rendin, riprodhimin dhe vazhdimësinë, madje edhe evolucionin e saj. Për këtë arsye, gjithmonë ka ekzistuar një sistem i zhvillimeve dhe dinamikave brenda jetës fetare të shoqërisë. Kjo dinamikë ndryshon në varësi të kapitaleve kulturore dhe artistike të secilës klasë: ndonjëherë rinia fetare ka qenë në gjendje të krijojë një stil të ri në nuancat, vjershat dhe këngët e vajtimit, me një tingull të thjeshtë dhe me njohuri të pakta për artin e muzikës. Por nga ana tjetër, njohja me thesaret e muzikës iraniane dhe depërtimet në potencialin e këtij arti ka prodhuar vepra të vlefshme në fushën e muzikës Ashura që mund të diskutohet dhe kuptohet globalisht.

Kështu, përveç aspekteve artistike të vajtimit publik në muajin e Muharremit, në mesin e elitës së komunitetit ka nuanca të thella dhe krijuese të Ashuras, të cilat në ditët e sotme janë aq të larmishme në modelet dhe zhanret e tyre.

Artistët iranianë të dramës e kanë iniciuar shfaqjen Tazije në shekujt e kaluar. Një shfaqje që mbijeton dhe interpretohet në fshatra dhe qytete dhe shpesh në mesin e njerëzve të zakonshëm. Tazije është një shfaqje teatrale simbolike që bazohet në ngjarjet e Muharremit të vitit 61 AH. Por në teatrin modern iranian, vëmendja ndaj Ashures ka krijuar shumë vepra të vlefshme, dhe artistët kanë përdorur format moderne për të shprehur këtë ngjarje epike dhe madhështore.

Opera e Ashuras është një nga veprat e teatrit iranian në fushën e arteve rituale. Regjisori dhe stilisti i operës së Ashuras, Behruz Gharibpur thotë se ajo filloi me qëllimin për të vazhduar rrugën e artistëve të Tazijes dhe për të ecur në rrugën e traditës.

Teksti i operës së Ashuras është "Përsëritja e Tazijes". Opera e Ashuras fillon me poemat e Mohtasham Kashanit: Plaku flokëbardhë që duket sikur është rrëfyesi i ngjarjes. Poema e tij është një manifestim i mitologjisë shi'ite në kuptimin e mirëfilltë të fjalës dhe kujton epikën e madhe të Qerbelasë në mendjet e të gjithë muslimanëve iranianë.

Sërish, ç'është kjo revoltë në botë

ç'është ky pikëllim kjo përlotje e ky vajtim

ç'është kjo tronditje e madhe në zemër të tokës

kur ende nuk dëgjohet Suri nga Arshi hyjnor

nga ku agoi ky mëngjes i errët

nuk e teproj nëse e quaj Kijamet

këtë tronditje madhore të quajtur Muharrem

Në oborrin e Shenjtërisë ku s'ka vend për mërzi

Kokat e gjithë shenjtorëve janë mbështetur në gjunjët e hidhërimit

 Xhinët dhe Engjëjt vajtojnë për njerëzit

Mbajnë zi për birin më të mirë të Ademit

Diell i qiellit dhe i tokës, dritë e përjetshme

I rritur pranë Profetit të Zotit, o Husein

Behruz Gharibpur në Operën Ashura ka risi në formë dhe përmbajtje. Përmbajtja e shfaqjes përbëhet nga simbolet më të pasura të ritualeve fetare iraniane dhe shi'ite. Një kombinim i poezive epike të Tazijes dhe poezisë mistike të Mohtashamit dhe simboleve mitologjike të ngjyrave (e kuqe, jeshile, e bardhë) me simbole të tilla si zogu, kali me krahë dhe engjëjt qiellorë. Por më e rëndësishmja nga të gjitha është performanca shumë artistike e ekipit të operave teatrale që e çojnë audiencën në kohën e shenjtë dhe në thellësinë e kësaj ngjarje rituale dhe fuqizon audiencën me një imagjinatë fetare përmes konceptimit krijues të simboleve mitologjike dhe ideologjike të operës.

Më në fund, duhet shtuar se ritualet fetare, dhe veçanërisht përkujtimi i Ashuras dhe i kryengritjes së Imam Huseinit (as) në shoqërinë iraniane, jo vetëm që janë dinamike, por gjithashtu kanë pasur shumë zhvillime krijuese në proces. Trendet që tregojnë se ritualet janë akoma një mjet kryesor për inovacionin kulturor dhe krijimtarinë në komunitet, nga njëra anë, u japin artistëve mundësinë për të qenë krijues dhe të tregojnë një epikë të vjetër në mënyra të reja. Nga ana tjetër, përmes veprës artistike, dhe përmes ndërveprimit të saj, shoqëria krijon dhe riprodhon forma të reja të botëkuptimeve, moralit, etikës, shijet estetike, subjektivitetin fetar dhe sistemet e kuptimit kulturor dhe shoqëror. Rezultati i këtij procesi në botën e sotme është të marrësh frymë në një jetë të re dhe të gjallërosh rrjedhën e jetës në arteriet e shoqërisë dhe të edukosh brezat për të ndërtuar një të nesërme më të mirë.

Tags