Covid-19 dhe politika globale 
https://parstoday.ir/sq/radio/world-i96510-covid_19_dhe_politika_globale
Epidemia e koronavirusit të ri (Codiv-19), që u shfaq në janar në rajonin Wuhan të Kinës dhe brenda një kohe relativisht të shkurtër prej 3 muajsh u përhap në të gjithë botën, duket se e ka tronditur thellësisht sistemin global.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Prill 25, 2020 15:22 Europe/Tirane
  • Covid-19 dhe politika globale 

Epidemia e koronavirusit të ri (Codiv-19), që u shfaq në janar në rajonin Wuhan të Kinës dhe brenda një kohe relativisht të shkurtër prej 3 muajsh u përhap në të gjithë botën, duket se e ka tronditur thellësisht sistemin global.

Gjatë dekadës së fundit politika botërore është bërë skenë e zhvillimeve me përmasa globale. Pas sulmeve të 11 Shtatorit sistemit global iu desh të përballej me një krizë sigurie, por më vonë kjo krizë u thellua edhe më shumë dhe mori përmasa globale me lindjen dhe përhapjen e ISIS-it. Kurse në vitin 2008 e gjithë bota u përball me një krizë financiare globale. Por më vonë megjithëse kishin kaluar 10 vite nga kjo krizë, sistemi global në vend të përmirësimit përjetoi një trend të keq, treguesit ekonomikë nisën të kthehen sërish në kahun e kundërt. Pasi edhe luftërat tregtare të viteve të fundit mes ShBA-së dhe Kinës nuk kanë kërcënuar vetëm sistemin ekonomik në shkallë globale, por i kanë rritur edhe më shumë pritjet për lindjen e një krize të re globale.

Krizat politike në nivel global, rritja e të djathtës ekstreme, mosfunksionimi i institucioneve ndërkombëtare dhe probleme të thella siç është ai i krizës siriane bënë që të vihet në pikëpyetje edhe e ardhmja e sistemit global. Por askush nuk i kishte komentuar këto probleme në formën që sistemin global po e pret një e ardhme pesimiste dhe e paqartë. Kurse epidemia e koronavirusit na lë të kuptojmë se na pret një krizë shumë herë më e thellë se sa ajo që pritej e dukej dhe e ardhmja e sistemit global sapo vjen e po bëhet gjithnjë e më e paqartë. Ndërsa marrëveshja e janarit shënoi një armëpushim të brishtë në luftën tregtare SHBA-Kinë, rreziqet e të prodhuarit në Kinë mbeten; të dy palët, si demokratët edhe republikanët e shohin gjithnjë e më shumë Kinën si një rival strategjik afatgjatë që duhet të frenohet. Dhe pa u ndërprerë mirë lufta tregtare, erdhi koronavirusi. Mbyllja për një kohë të gjatë e shumë fabrikave kineze i ka ulur eksportet me 17 përqind në dy muajt e parë të vitit në krahasim me një vit më parë, dhe ka dëmtuar prodhimin e makinave evropiane, iPhone-ve dhe mallrave të tjera të konsumit. Inercia është diçka e fuqishme. Dhe përparësitë e të prodhuarit në Kinë janë ende shumë, të tilla si shkalla e gjerë dhe logjistika efikase. Por kriza e koronavirusit mund të shënojë një pikë kthese, që do t’i bëjë shumë biznese të rimodelojnë zinxhirët e tyre të furnizimit dhe të investojnë në modele më të qëndrueshme dhe shpesh më lokale të prodhimit. Ndërsa liderët me prirje ndërkombëtare kanë ngritur zërin për nevojën për bashkëpunim ndërkufitar përballë një kërcënimi të paparë të përbashkët, veprimet e tyre shpesh ua kanë demaskua retorikën. Shumë qeveri dukshëm liberale kanë vendosur në udhëtime dhe tregti kufizime më drakoniane se sa Trump guxoi të impononte në kulmin e konfliktit të tij me Kinën vitin e kaluar.

Ndalime të tilla në dukje parandaluese mund ose nuk mund të përbëjnë garanci për shëndetin publik, ato ofrojnë një legjitimitet më të madh për ata që e shohin mbylljen e kufirit si zgjidhje për çdo të sëmurë. Edhe brenda tregut të përbashkët europian pa pengesa, Franca dhe Gjermania kanë ndaluar eksportimin e maskave të fytyrës; një gjë jo e vogël kjo po të kemi parasysh qëndrimin liberal për politikat ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj BE-së të Presidentit Emmanuel Macron dhe kancelares Angela Merkel. Akoma më tronditës është fakti se asnjë nga 26 qeveritë e tjera të BE-së nuk i është përgjigjur thirrjes urgjente të Italisë për ndihmë mjekësore – gjë që Kina e ka bërë. Duhet pranuar se kriza e koronavirusit ka ekspozuar edhe pavërtetësinë e pohimeve të nacionalistëve se politikat e tyre proteksioniste dhe antiemigracion i bëjnë njerëzit më të sigurt. Edhe pse koalicioni nacionalist që drejton qeverinë rajonale të Lombardisë drejtohet nga Lega e Mateo Salvinit, partia e ekstremit të djathtë, ajo nuk ka qenë e suksesshme në mbrojtjen e rajonit nga koronavirusi. As Trump, pavarësisht dëshirës së madhe për t’u shkëputur nga Kina, nuk ka qenë në gjendje të parandalojë arritjen e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, vetë Trump mund të paguajë çmimin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit për pasigurinë e tij dhe menaxhimin jo të mirë të një krize të shëndetit publik. Administrata e Trump jo vetëm që dështoi në mënyrë të mjerueshme për të njohur natyrën vdekjeprurëse të virusit, por u kap plotësisht e papërgatitur për të menaxhuar një pandemi të një shkalle të tillë. Sot, kur mbi 40,000 amerikanë tashmë kanë vdekur nga virusi dhe 784,000 janë infektuar, Trump dëshiron të rihapë ekonominë brenda disa javësh. Pavarësisht rrezikut të madh që e përfshin, për shkak të faktit që një ekonomi e fortë është thelbësore për rizgjedhjen e tij, ai nuk ka shanse të rizgjidhet në një recension të thellë, me popullsi në depresion dhe potencialisht me 30 milionë njerëz të papunë.

Spikeri

Në përgjithësi, kriza e koronavirusit është një dhuratë politike për nacionalistët dhe proteksionistët. Ajo ka rritur perceptimet se të huajt janë kërcënim. Kjo do të thotë se vendet në krizë nuk mund të mbështeten gjithmonë te fqinjët e tyre dhe aleatët e ngushtë për ndihmë. Në një shkallë më të gjerë, kjo krizë mund të forcojë ata që besojnë në qeverisje të fortë, duke i dhënë përparësi nevojave shoqërore mbi lirinë individuale, dhe veprimit kombëtar mbi bashkëpunimin ndërkombëtar. Si rezultat, kriza e koronavirusit kërcënon të krijojë një botë më pak të globalizuar. Pasi të zvogëlohet pandemia dhe paniku, ata që besojnë se hapja ndaj njerëzve dhe produkteve nga e gjithë bota është përgjithësisht një gjë e mirë, do të duhet ta servirin këtë bindje në mënyra të reja dhe që ngjisin më shumë. Udhëheqësit po e përballin këtë krizë kryesisht mbi baza kombëtare, por impakti i virusit mbi shpërbërjen e shoqërive, nuk njeh kufij. Ndërkohë që sulmi ndaj shëndetit të njeriut shpresojmë se do të jetë i përkohshëm, trazirat politike dhe ekonomike që ai ka startuar mund të zgjasin me breza. Asnjë vend nuk mund të kapërcejë këtë situatë të shkaktuar prej virusit, thjesht me përpjekje kombëtare. Adresimi i nevojave të momentit duhet të shoqërohet përfundimisht me një vizion dhe program global bashkëpunues. Ndonëse pandemia është një fenomen global dhe po përjetohet në mënyrë të ngjashme në shumë vende të ndryshme, ndikimi i sëmundjes formësohet në masë të madhe nga vendimet e marra nga secila qeveri veç e veç. Pikëpamjet e ndryshme për atë se kur duhet të veprohet dhe sa larg të shkohet ende nënkupton që asnjë vend nuk është duke e pasur përvojën e njëjtë me një vend tjetër. Në fund të tërë kësaj, mund të shohim se kush ka pasur të drejtë dhe çfarë ishte e gabuar.

Kufijtë tani po kthehen në një hakmarrje të nxitur nga koronavirusi. Kur të kalojë pandemia, pengesat më ekstreme për të udhëtuar do të hiqen. Por, nuk ka të ngjarë që do të ketë restaurim të plotë të botës së globalizuar, siç ekzistonte para virusit Covid-19. Shteti komb po rikthehet, i nxitur nga kjo krizë e jashtëzakonshme. Rreziku është se ringjallja e shtetit-komb do të rrëshqasë në nacionalizëm të pakontrolluar, duke çuar në rënie të tregtisë globale dhe në braktisjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Skenarë e mundshëm përfshijnë rënien e BE-së dhe shkatërrimin e marrëdhënieve ShBA-Kinë që mund të kulmojë me luftë. Antagonizmat që janë hapur nga pandemia midis ShBA-së dhe Kinës janë më të dukshme. Vendimi i Donald Trump-it për ta etiketuar Covid-19 si “virusin e Kinës”, është tipik për stilin politik të fajësimit nga presidenti amerikan. Por, është gjithashtu një reagim ndaj përpjekjeve të zyrtarëve kinezë për të sugjeruar që virusi mund ta ketë origjinën nga Amerika. Por, teksa anti-globalistët ka të ngjarë të kenë erërat politike në favor të tyre, pas përfundimit të pandemisë ata në fakt nuk do të kenë zgjidhje më të mira. Përkundrazi, një pandemi që është një problem thelbësor global, kërkon përfundimisht një formë të koordinimit ndërkombëtar. Ringjallja e ekonomisë botërore gjithashtu do të jetë shumë më e vështirë nëse vendet lëvizin drejt autarkisë. Në nivel kombëtar, askush nuk i pranon rrëmbyesit që marrin gjithë pakot me letër tualeti dhe gjithë kutitë e qumështit nga raftet e supermarketeve. Por, çfarë ndodh kur vendet e tëra sillen kështu? Duhet të përgatitemi për ta parë.