Aliu (a.s.), peshore e drejtësisë
(last modified Sat, 16 May 2020 19:50:37 GMT )
May 16, 2020 21:50 Europe/Tirane
  • Aliu (a.s.), peshore e drejtësisë

Këtë edicion e kem përgatitur special për përvjetorin e martirizimit të prijësit të besimtarëve Imam Aliut (a.s.).

Një ditë Profeti i nderuar i Islamit Hazreti Muhamed s.a.v.s. mbajti një ligjëratë në lidhje me mirësitë dhe karakteristikat superiore të muajit të shenjtë të Ramazanit. Në këtë mes Imam Aliu (a.s.) u ngrit nga vendi dhe pyeti: “O i Dërguari i Zotit, cilat janë veprat më të mira në këtë muaj?”.

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. u përgjigj: “Devotshmëria dhe largimi nga veprat e ndaluara”. Pastaj fillojë të qajë.

Imam Aliu (a.s.) e pyeti Hazretin Muhamed s.a.v.s. për arsyen e qarjes dhe për këtë gjendje e cila kaploi atë në ato moment. Hazreti Muhamed s.a.v.s. tha: “Qarja ime është për shkak të ofendimit dhe padrejtësisë e cila do të bëhet ndaj teje gjatë këtij muaji. Thuajse ty po të shikoj që je duke falur namazin dhe njeriu më fatzi nga të gjitha gjeneratat e kaluara dhe të ardhme i cili është vëllai i vrasësit të devesë së Themudit, të godet ty me shpatë në kokë dhe mjekra jote do të gjakoset nga ajo goditje”.

Imam Aliu (a.s.) pyeti: “Në atë kohë, a do të jetë feja ime e drejtë de e mbrojtur?

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. u përgjigj: “Po, edhe në atë kohë ti do të jesh në fenë e drejtë dhe me besim të shëndosh”.

Në këtë gjendje fytyra e Imam Aliut (a.s.) u mbush me gëzim dhe pasion.

Dita e 19-të e muajit Ramazan në vitin 40 hixhri kameri, njerëzimi u bë dëshmitar i padrejtësisë ndaj robit më të devotshëm të Zotit dhe njeriut më të mirë të kohës pas Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Atë ditë Ibn Molxhem Moradi e goditi me shpatë të helmuar në kokë Imam Aliun (a.s.) dhe e plagosi rënd dhe pas tre dite, më 21 Ramazan të vitit 40 hixhri kameri, kjo plagë shkaktoi martirizimin e Imam Aliut (a.s.), këtij burri të madh të botës së njerëzimit. Ai vetë në lidhje tragjedinë që shkaktoi, thotë:

“Akoma pa aguar dita, Aliu (a.s.) hyri në xhami dhe pasi bëri lutjet dhe duatë pranë Zotit të tij, u ngjit mbi çatinë e xhamisë dhe me zë të lartë, këndoi ezanin. Pastaj me zërin e tij me plotë dashuri, më zgjoi mua për të falur namazin dhe pastaj shkoi në mihrabin e xhamisë për të falur namazin. Ishin çaste të rënda dhe të vështira. Aliu (a.s.) sapo ngriti kokën nga sexhdja, menjëherë vendosa shpatën mbi kokën e tij dhe me të gjithë forcën e godita atë në kokë dhe saktësisht godita në të njëjtin vend në të cilin e kishte goditur atë Amr bin Abdud në luftën e Hendekut. Kjo goditje i shkaktoi një plagë të thellë atij shkoi deri në ballë, mirëpo Aliu (a.s.) vetëm thirri me një zë tingëllues: “Betohem në Zotin e Qabes se u bëra prej shpëtimtarëve””.

Të gjithë historianët besojnë se Imam Aliu (a.s.) në mihrabin në të cilin adhuronte Zotin, u sakrifikua për drejtësinë e tij. Ai nga insistimi i madh në kërkimin e të vërtetës dhe për t’u bazuar në parimet e drejtësisë sociale, pasi duroi 25 vjet heshtje për ta ruajtur pemën e re të Islamit, më në fund nuk gjeti rrugë tjetër përveçse të pranojë përgjegjësinë për ta udhëhequr Shtetin Islam dhe këtë përgjegjësi ia imponoi vetes. Nga pikëpamja e Imam Aliut (a.s.), drejtësia ndodhet në krye të vlerave islame dhe është shtylla më e rëndësishme e politikës. Në ditën e parë kur ai mori udhëheqjen e shtetit të madh Islam, në mënyrë të qartë dhe të sinqertë, politikën vet e shpjegoi në këtë mënyrë: “Motivi im nga udhëheqja e Shtetit Islam është ripërtëritja e fesë dhe zbatimi i drejtësisë në të gjitha shtresat e shoqërisë. Metoda ime e veprimit do të jetë po ajo metodë e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe në këtë çështjeje nuk do të bëjë kompromis me asnjë person”.

Në kohën kur Imam Aliu (a.s.) mori në dorë udhëheqjen e Shtetit Islam, vendosi në zbatim të përpiktë dispozitat hyjnore, luftoi kundër besëtytnive, trajtoi gjendjen e të varfërve dhe njerëzve nevojtarë, realizoi të drejtat e atyre që u ishte bërë e padrejtë dhe ka bërë të gjitha përpjekjet për ndarjen në mënyrë të drejtë të pasurisë së arkës shtetërore. Imam Aliu (a.s.) tha: “Betohem në shpirtin tim, nuk do të bëj asnjë neglizhencë në luftën kundër atyre që kundërshtojnë të vërtetën dhe atyre që janë zhytur në rrugën e humbur... Betohem në Zotin e madhëruar, se do ta çaj në dy pjesë stomakun e rrugës së humbur dhe nga ajo do ta nxjerr të vërtetën dhe të drejtën”. (Nahxhul-Balagha, ligjërata 104).

Imam Aliu (a.s.) jo vetëm që nuk i dha përgjigje pozitive kërkesave për përfitime më të madha të atyre që kanë luajtur rol në përhapjen e Islamit, por nuk pranoi të bëhet kurrfarë dallimi mes atyre dhe njerëzve të thjeshtë të shoqërisë dhe të ardhurat e qytetarëve nga arka shtetërore i ndante në mënyrë të barabartë. Imam Aliu (a.s.) tha: “O njerëz!... Unë jam njëri prej juve, interesi im është interesi juaj dhe dëmi im është dëmi juaj. Unë u çoi juve në rrugën dhe metodën e Profetit tuaj dhe në mesin tuaj do ta zbatoj atë urdhër për të cilin jam urdhëruar. Dijeni se çdo person që ka dhënë ryshfet ndonjë copë tokë dikujt dhe çdo pasuri nga pasura e Zotit që i është falur dikujt, do ta kthej në arkën shtetërore... Me padyshim se në drejtësi ekziston zgjidhje për problemet dhe ai të cilit i ngushtohet rrethi për shkak të drejtësisë, në padrejtësi do t’i ngushtohet më shumë rrethi...”.

Mendimtarët drejtësinë sociale të Imam Aliut (a.s.) nga dy aspekte e konsiderojnë të pashembullt. Nga aspekti i parë, pikëpamja e tij për drejtësinë sociale përputhet plotësisht me besimin e tij. Nga aspekti i dytë, ai ishte prej mendimtarëve të rrallë i cili e zbatoi në praktikë këtë pikëpamje dhe si udhëheqës i një shteti dhe i një shoqërie të gjerë multietnike, i zbatoi në praktikë teoritë e drejtësisë shoqërore dhe sociale të Islamit.

Në kohën kur vëllai i tij Akili kërkoi një pjesë të vogël nga arka shtetërore, Imam Aliu (a.s.) një hekur të nxehur i vendosi mbi dorë atij dhe kështu i kujtoi dënimin që ekziston për ata të cilët keqpërdorin arkën shtetërore. Imam Aliu (a.s.) në postin e gjykatësit të lartë e emëroi Abul-Asvad Dueli i cili ishte një prej shokëve të tij besnikë, mirëpo pas një kohe të shkurt e shkarkoi atë nga posti i gjykatësit. Abul-Asvad Dueli plotësisht i zemëruar, shkoi pranë Imam Aliut (a.s.) dhe i tha: “O Prijësi i Besimtarëve! Çfarë veprimi u bë shkak për shkarkimin tim nga detyra e gjykatësit? Unë nuk kam bërë as ndonjë tradhti në përgjegjësinë time dhe as nuk jam akuzuar për ndonjë tradhti!”. Imam Aliu (a.s.) tha: “Ti po e thua të vërtetën dhe në kryerjen e detyrës dhe përgjegjësisë tënde, ke respektuar kushtin e besnikërisë, mirëpo më kanë ardhur disa raporte mua se kur një paditës dhe një i akuzuar vijnë pranë teje, ti po flasësh me zë më të lartë se sa ata! Kjo mund të bëhet shkak që ata të cilët kanë të drejtë të frikësohen dhe të mos mund të flasin në mënyrë të qetë dhe ta mbrojnë veten”.

Aktualisht letra e Imam Aliut (a.s.) drejtuar Malek Ashtar si një prej dokumenteve më të mira për zbatimin e drejtësisë dhe burim për zhvillimin e drejtësisë gjatë gjithë historisë, ka tërhequr vëmendjen e shumë organizatave ndërkombëtare dhe figurave të ndryshme të mendimit botëror. Kjo letër e cila shumë herë është analizuar e studiuar nga mendimtarët e feve dhe fushave të ndryshme në botë, ka mahnitur edhe ekspertët më të dalluar të çështjeve politike dhe shoqërore të institucioneve të ndryshme, prandaj konsiderohet shembulli më i qartë i drejtësisë dhe ligjit gjithëpërfshirës të të drejtave të njeriut.

Tani si ndodhi që ky i dashur i Zotit dhe ky sundues mendimtar, drejtësidashës dhe kërkues i të vërtetës, u martirizua me shpatën e urrejtjes dhe armiqësisë?

Është e vërtetë që Ibn Molxham Moradi ishte autor i sulmit që martirizoi Imam Aliun (a.s.), mirëpo faktori kryesor për eliminimin e Imam Aliut (a.s.) nga shoqëria në realitet ishte një lloj i të menduarit të gabuar. Një lloj i të menduarit i cili nuk ishte i kufizuar vetëm me periudhën e Imam Aliut (a.s.). Por edhe në kohën e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. mund të vërehen rrënjët e atij mendimi dhe gjithashtu pas periudhës së Imam Aliut (a.s.), në periudha të ndryshme historike për fat të keq ekzistimi i një të menduari të tillë nuk mund të mohohet i cili ka luajtur rol të madh në devijimin e shumë lëvizjeve islame. Një mendim i tillë ekziston edhe në periudhën bashkëkohore.

Ky mendim i thatë dhe injorant nga ekstremizmi shumë i ashpër, nga feja gjithnjë ka paraqitur një imazh shumë të keq dhe të papranuar dhe është bërë shkak për krijimin e shumë krizave. Në këtë mendim, njeriu nuk mund të bëjë dallimin mes mikut dhe armikut, nuk i përcakton prioritetet e shoqërisë islame dhe shumë letë i vendos të tjerëve etiketën e mosbesimit dhe i nxjerr ata jashtë rrethit të Islamit dhe përkushtohet për eliminimin e çdo kujt tjetër që nuk përputhet me këtë mendim. Në fund, ky lloj i mendimit ndryshon ekuacionet politike në favor të armiqve të Islamit.

Prandaj, vrasësi i Imam Aliut (a.s.) është një përfaqësues i vogël i këtij të menduari dhe njëkohësisht është rreziku i madh i cili është bërë shkak për krijimin e një shoqërie të madhe sa vet vrasja e Imam Aliut (a.s.) në mihrabin e adhurimit të Zotit. Ky është pikërisht ai rreziku i madh i cili gjithnjë kërcënon shoqërinë njerëzore. Rreziku i injorancës së individëve të tillë dhe i këtyre grupeve më shumë është nga ky aspekt se krijojnë distancë mes logjikës e arsyes dhe fesë. Ndërkohë që në kulturën e Imam Aliut (a.s.) dituria dhe besimi, logjika dhe feja zhvillohen në harmoni dhe asnjëra prej këtyre në mënyrë të vetme nuk mund ta çojnë njeriun deri te lumturia dhe përkryerja. Duke ndarë secilin prej këtyre faktorëve, injorantët fanatik bëhen vegël në dorën e atyre që bëjnë intriga dhe bëhen pengesë në rrugën e realizimit të qëllimeve të larta islame.

Ibn Abi Al-hadid, dijetari i njohur sunitë, thotë: “Për ta njohur të menduarin e injorancës dhe mendimin e ngurtë, ua tërheq vëmendjen në këtë çështjeje se vrasësit e Hazreti Aliut kur vendosen që ta kryejnë këtë sulm, qëllimisht e kanë zgjedhur natën e 19-të të muajit Ramazan. Ata kanë thënë: “Ne dëshirojmë të bëjmë adhurimin e Zotit dhe pasi që duam ta bëjmë një veprim të mirë, më mirë është që këtë veprim ta bëjmë në njërën prej netëve të dashura që të marrim shpërblim më të madh!!!””. (Përmbledhja e Veprave, V, 12, f. 93)

Ky është pikërisht ai mendim takfirist dhe i grupit terrorist ISIS i cili edhe sot pas shumë shekujve, ka ngritur kokën dhe bota islame po vuan nga ky mendim. Ndoshta mund të thuhet se takfiristët të cilët i kanë rrënjët në sektin e devijuar të vehabizmit, janë forma të reja të atyre Ibn Molxhamave të cilët sot me pretekste të kota, shumicën e myslimanëve të botës si sunitë ashtu edhe shiitë po i quajnë jobesimtarë dhe kanë lyer duart me gjakun e Umetit Islam.

Imam Aliu (a.s.) me të gjitha ato virtyte të larta të pamohueshme gjatë gjithë historisë së njerëzimit, ka arritur të zbulojë skandalet e lëvizjes së hipokrizisë dhe mendimit të ngurtë përgjithmonë në historinë e njerëzimit deri në atë masë sa që edhe tani pas 14 shekujve, myslimanët të kenë në dispozicion një kriter të qartë për ta njohur të vërtetën nga e pavërteta.

Imam Aliu (a.s.) në ditët e fundit të jetës së tij, ka kërkuar nga njerëzit që ta kuptojnë thellësisht natyrën e përkohshme të kësaj bote dhe të zgjedhin një rrugë më të mirë për t’u çliruar nga prangat e jetës materiale. Imam Aliu (a.s.) në një fjali shumë të shkurt dhe me plotë kuptim, jetën e vet e ka konsideruar një mësim shumë të madh dhe ka thënë: “Unë dje isha shok dhe mik i juaj dhe sot jam një mësim për ju dhe nesër do të ndahem nga ju... Nesër kur ta shikoni vendin tim të zbrazët, do ta ndjeni sa çfarë vlere ka bota”. (Nehxhul-Belagha, ligjërata 149).

Imam Aliu (a.s.), myslimani i parë, ndihmës dhe zëvendësues i të Dërguarit të Zotit, shembull i pashembullt i trimërisë, dashurisë dhe miqësisë, kërkues i të vërtetës dhe zbatues i drejtësisë,  më në fund u martirizua. Madhëria e Imam Aliut (a.s.) ishte deri në atë masë sa që Xhibrili në mes të qiellit e tokës thirri me zë të lartë: “Betohem në Zotin se u thye shtylla e udhëzimit dhe ylli i diturisë së profetësisë u fut në errësirë dhe u zhduken shenjat e devotshmërisë dhe u këput hallka e besnikërisë”. (Al-Amal, V, 1, f. 174)

Në fund shprehim ngushëllimet tona me rastin e përvjetorit të Imam Aliut (a.s.), me shpresë që të jemi ndjekës së rrugës së tij.

Tags