Sekreti i qëndrueshmërisë së Ashurasë (8)
(last modified Sun, 30 Aug 2020 10:21:16 GMT )
Gusht 30, 2020 12:21 Europe/Tirane
  • Sekreti i qëndrueshmërisë së Ashurasë (8)

Në këtë edicion do të flasim rreth krijimit të dinjitetit dhe luftës kundër poshtërimit të kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.) si një tjetër sekret e qëndrueshmërisë së kryengritjes së Ashurasë.  

Miq të nderuar në edicionet e kaluara kemi folur rreth parimit të lirisë dhe të të qenit i lirë, do të thotë lirimit nga të gjitha varësit ndaj bukurive dhe atraksioneve të pushtetit dhe pasurisë dhe simboleve të tjera të jetës së kësaj bote që është një prej sekreteve të qëndrueshmërisë dhe pavdekshmërisë së Ashurasë.

Kur’ani i shenjtë në përshkrimin e faktorëve të cilët e çojnë njeriun drejt varësive dhe e pengojnë luftën në rrugën e Zotit dhe lirinë e tij, thotë: “Thuaj (o i Dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikësoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu të sjellë dënimin e Tij. All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit që nuk i nënshtrohen urdhrave të Zotit”. (Teobe: 24) 

Imam Husejni (a.s.) dhe shokët e tij besnikë me shkëputjen nga të gjitha këto varësi e manifestuan lirinë në mënyrë më konkrete dhe më të qartë të mundshme. Ata duke ia kthyer shpinën të gjitha këtyre pengesave parandaluese, me barrë të lehtë dhe me krahë të lehtë pavarësisht të gjitha kërcënimeve dhe pabarazive dhe paburrërive dhe pa brengën edhe më të vogël dhe me plotë trimëri dhe guxim luftuan në rrugën e Zotit në mënyrë burrërore kundër forcave djallëzore të pushtetit të Jezidit dhe qëndruan deri në pikën e fundit të gjakut të vet dhe me lirinë dhe virtytet e larta njerëzore të veta u bënë inspirim për të gjithë njerëzit liridashës të botës përgjatë gjithë historisë. Ky moral i pashembullt dhe heroik, te ata krijoi këtë motiv të lartë që kurrë të mos pranojnë të poshtërohen dhe të mbrojnë vlerën e dinjitetit dhe fisnikërive hyjnore dhe njerëzore të veta. Me fjalë të tjera, mbrojtja e dinjitetit dhe lufta kundër poshtërimit janë dy karakteristika të rëndësishme, të dalluara dhe që luajtën rol të rëndësishëm dhe i dhanë ngjyrën e pavdekshmërisë epopesë husejnite.

Zanafilla dhe burimi i moralit për krijimin e dinjitetit dhe për të mos pranuar poshtërimin, janë bindjet e thella dhe të pastra në besimin në një Zot. Me fjalë të tjera, Kur’ani i shenjtë në përshkrimin e atyre të cilët kanë besim të vërtetë dhe janë të dashur të Zotit dhe të atyre të cilët gjithashtu kanë dashuri ndaj Zotit, qëndrimet e tyre i pasqyron në këtë mënyrë: “Ata përball besimtarëve janë të përulur dhe përball jobesimtarëve mbajnë qëndrim me dinjitet, fuqi dhe forcë”. (Maide: 54).

Karakteristik tjetër e rëndësishme e këtij grupi është kjo që ata vazhdimisht luftojnë në rrugën e Zotit dhe nuk frikësohen aspak nga qortimi i qortuesve të cilët jo vetëm që vetë ata nuk kanë moral për të luftuar në rrugën e Zotit, por edhe i qortojnë këta besimtarë të cilët sido që të jetë vazhdojnë rrugën e vet hyjnore”.  

Imam Husejni (a.s.) i cili ishte një prej njerëzve më të dashur pranë Fronit Hyjnor, në kohën kur e bëri të qartë vendimin e tij përfundimtar për të luftuar kundër njerëzve ambiciozë për pushtet dhe kundër kundërshtarëve emevit të Islamit pasi që e shikonte në rrezik vetë jetën dhe qëndrueshmërinë e Islamit; miqtë dhe armiqtë secili prej tyre në një farë mënyre patën kërkuar nga Imam Husejni (a.s.) që të heqë dorë nga qëndrimi i tij i bazuar në dinjitet. Do të thotë se ata jo vetëm që nuk ishin të gatshëm t’i bashkohen dhe ta shoqërojnë atë dhe t’i përgjigjen thirrjes së tij për të kërkuar drejtësi, por në mënyrë të hapur dhe të fshehur, e qortonin atë që të bëjë bej’at me Jezidin dhe të mos e vë në rrezik jetën e vet dhe jetën e shokëve të tij besnikë dhe të heqë dorë nga lufta në rrugën e Zotit. Imam Husejni (a.s.) nuk lejoi që këto këshilla dhe sugjerime që në mënyrë sipërfaqësore kërkonin të mirën e tij, të ushtrojnë as edhe ndikimin më të vogël mbi atë dhe në përgjigje të Ghejs ibn Ash’ath i cili ishte një prej krerëve të Kufes dhe një prej autorëve të letrës së dërguar për Imam Husejnin (a.s.), në kohën kur tha: “Ne nuk e dimë se çfarë po flet ti?! Më mirë është që të heqësh dorë nga qëndrimet e tua kundër Jezidit”; (Imam Husejni) në mënyrë të prerë dhe të qartë tha: “Betohem në Zotin, ashtu si njerëzit që pranojnë poshtërimin, unë nuk do të shtrij dorën e poshtërimit drejt jush dhe ashtu sikur skllevërit, nuk pranoj të futëm nën padrejtësinë dhe dhunën tuaj”. Pastaj Imam Husejni (a.s.) vazhdoi: “O robërit e Zotit! Unë strehohem te Zoti im dhe i juaj përball sulmit tuaj me gur! Unë strehohem te Zoti im dhe i juaj përball çdo arroganti i cili nuk beson në ditën e shpërblimit dhe të llogarisë!”. (Lem’at el-Husejn; 51-52).

Këta hipokritë të shtirur si myslimanë të cilët i kishte verbuar tërësisht bukuria e pushtetit dhe pasurisë dhe përkundër paraqitjes që bënin, ata nuk kishin kurrfarë besimi te Zoti dhe në ditën e Kiametit, me vështrime sipërfaqësore dhe me analiza të gabuara, mendonin se nën hegjemoninë e pushteteve tiranë dhe të dhunshme të historisë, mund të fitojnë dinjitet.

Zoti i madhëruar duke mohuar këtë lloj vështrimi, ka thënë: “Dinjiteti dhe madhëria i takon vetëm Zotit, Profetit, dhe besimtarëve të vërtetë. Mirëpo hipokritët që shtiren si myslimanë dhe paraqiten si miq, nuk kanë forcën për ta perceptuar dhe kuptuar atë”. (Munafikun: 8).

Megjithatë, këta të devijuar dhe të shtrembëruar dhe të pasionuar pas të mirave të kësaj bote dhe që kanë pranuar poshtërimin, akoma vazhdojnë të bëjnë përpjekje të largojnë njerëzit nga fronti i besimtarëve dhe i udhëheqësve të vërtetë dhe me dinjitet në mënyrë që ndoshta sipas mendimit të tyre të kotë, mund të arrijnë në dinjitet dhe madhëri nën dritën e të mirave sipërfaqësore të pasurisë dhe pushtetit. Kur’ani i shenjtë përsëri duke hedhur poshtë këtë pikëpamje të devijuar, thotë: “Ata të cilët largohen nga (fronti) i besimtarëve dhe jobesimtarët i zgjedhin për miq dhe përgjegjës së tyre, a mendojnë se mund të arrijnë në madhëri e dinjitet nën dritën e (sundimit) të tyre? Atëherë këta (duhet ta dinë se) të gjithë madhëri dhe dinjiteti i takon Zotit”. (Nisa: 139).

Imam Husejni (a.s.) pikërisht me këtë pikëpamje të tij monoteiste ka qëndruar përball të gjitha kërcënimeve dhe dy rrugëve të dinjitetit dhe madhërisë së përhershme dhe poshtërimit dhe martirizimit duke bërë thirrje: “Dijeni se këto njerëz me virtyte të ulëta më kanë vendosur mua para dy rrugëve, shpatës ose pranimit të poshtërimit dhe në familjen tonë është shumë e largët që ta pranojmë poshtërimin. Për arsye se Zoti dhe i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të jenë shumë të pakënaqur që ne ta pranojmë poshtërimin. Prehri i pastër i nënave (në të cilat jemi rritur) dhe njerëzit me personalitet të pastër dhe shpirtrat e ndershëm dhe fisnik nuk e shikojnë të mirë që ne të preferojmë më shumë t’i nënshtrohemi njerëzve të ulët se sa të martirizohemi”. (Tarikhe Tabarij 5/423-424)

Disa fraza të rëndësishme në këtë mesazh heroik të Imam Husejnit (a.s.) tërheqin vëmendjen më shumë. Një prej tyre është kjo që në rrethanat normale të flitet për dinjitet dhe poshtërim, nuk është punë shumë e vështirë, mirëpo nëse njeriu ndodhet para dy rrugëve, vdekjes dhe jetës dhe atëherë fuqishëm dhe me trimëri të qëndrojë përball pushtetarëve tiranë dhe të mos pranojë poshtërimin para tyre dhe të flasë për dinjitetin dhe fisnikërinë e vet dhe të flasë me buzëqeshje për vdekjen dhe martirizimin dhe ta preferojë më tepër vdekjen e ndershme më shumë se sa jetën me poshtërim; në këtë mënyrë është për tu lavdëruar dhe për tu vlerësuar lartë. Imam Husejni (a.s.) në një thënie tjetër, ka thënë: “Vdekja me nder dhe dinjitet është më e mirë se sa jeta me poshtërim”. (Lemeat el-Husejn /42)

Një frazë tjetër e dalluar e këtij mesazhi të Imam Husejnit (a.s.) është kjo që ai ka thënë: “Pranimi i poshtërimit nuk është veprim i pëlqyeshëm për Zotin, Profetin dhe besimtarët”. Prandaj nuk ka mundësi që në Islamin burimor të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe në kulturën e tij me dinjitet, besimtarët myslimanë të besojnë në këto parime dhe baza të vërteta dhe përsëri kur të ndodhin para dy rrugëve vdekjes dhe jetës, të pranojnë poshtërimin dhe kompromisin me tiranët dhe pushtetet e dhunshme. Kjo është për arsye se thelbi dhe shpirti i kulturës së besimit në një Zot është ky që të gjithë njerëzit duhet ta lirojnë veten nga prangat dhe varësit ë dhe nga nënshtrimi ndaj të gjitha fuqive dhe pushteteve despotike dhe ta shpëtojnë vetën nga çfarëdo lloj poshtërimi dhe të arrijnë në dinjitetin hyjnor.

Imam Aliu (a.s.) në një udhëzim inspirues thotë: “(O Zot!) Mua më mjafton kjo krenari e dinjitetit që të jem rob i yti”. (Khisal 2/420).

Fraza e fundit e mesazhit të Imam Husejnit (a.s.) tregon rolin e institucionit të familjes në edukimin dhe arsimim dhe në krijimin e moralit me dinjitet dhe në kundërshtimin e poshtërimit. Me padyshim se origjina familjare dhe zotimi praktik i tyre ndaj vlerave dhe kundërshtimi i anti-vlerave, luan rol themelor në formimin e personalitetit të fëmijëve. Pikërisht për këtë arsye, Imam Husejni (a.s.) përveç bindjeve burimeve fetare, thotë: “Prehri i pastër dhe i ndershëm në të cilin jam rritur dhe edukuar unë, nuk më lejon mua që të pranojë poshtërimin dhe t’i nënshtrohem njerëzve me virtyte të ulëta”. Mirëpo njerëzit shkurtpamës dhe me shikim sipërfaqësor për të jetuar disa ditë më shumë ose për të pasur më shumë mirëqenie dhe pasuri, janë në gjendje të pranojnë çfarëdo lloj poshtërimi. Sidomos ata të cilët ndodhen në krye të pushtetit ose ata të cilët janë zhytur në pasuri dhe në jetën luksoze ose popujt të cilët janë mësuar me jetë të qetë, pranojnë poshtërime edhe të përkohshme për të arritur në kënaqësitë e rrejshme ose të mirat materiale të kësaj bote të përkohshme.

Imam Aliu (a.s.) e ka luftuar shumë ashpër këtë pikëpamje dhe ka thënë: “Pranimi i poshtërimit edhe për një orë me qëllim që njeriu deri në fund të jetës të jetojë në luks dhe në mirëqenie të plotë, është një veprim i dëmshëm dhe i turpshëm”. (Mizan el-Hikme, v.4; Ghurur el-Hikem /5880).

Njerëz të tillë pavarësisht se kanë parë dhe përjetuar shkatërrimin e fuqive dhe pushteteve njëri pas tjetrit, mirëpo për shkak se bukuritë e pushtetit dhe pasurisë kanë verbuar sytë e vigjilencës së tyre, besojnë se pushtetarët ambicioz u japin atyre dinjitet ose i fusin në thellësinë e poshtërimit. Kur’ani i shenjtë i ka rënë vizë të kuqe kësaj bindje kundër besimit në një Zot dhe thotë: “(O Profet! Thuaj: “O All-llah, sundues i çdo gjëje në botën e ekzistencës, Ti je ai që i jep pushtetin atij që do, Ti je ai që i heq prej dore pushtetin atij që do dhe e përul atë që do dhe e lartëson atë që do. Çdo e mirë është në dorën Tënde, me të vërtetë, Ti ke mundësi për çdo gjë!”

Shembull i qartë i kësaj thënie është sundimi trashëgimtar dhe turpërues i Jezid bin Muavije që zgjati më pak se 4 vite dhe Zoti i madhëruar i dha fund jetës së tij të pistë dhe djallëzore dhe me kryengritjen e Mukhtar Thekafij, iu dha fund jetës së gati të gjithë të eturve për pushtet të cilët iu nënshtruan pushtetit të Jezidit për ambiciet e tyre dhe përveç skandalit dhe turpërimit, nuk u mbeti asgjë atyre. Mirëpo luftëtarët heroik dhe me dinjitet të Imam Husejnit (a.s.) që kundërshtonin poshtërimin edhe pasi kanë kaluar shumë shekuj me radhë, vazhdojnë të shkëlqejnë në faqet e historisë dhe janë inspirues për të gjithë liridashësit e botës dhe dashuria dhe respekti ndaj tyre në bazë të vullnetit dhe përcaktimit hyjnor ndaj Imam Husejnit (a.s.) dhe bashkëluftëtarëve të tij, po shtohet për çdo ditë e më tepër. Dhe Kur’ani i shenjtë këtë realitet të pamohueshëm e përshkruan në këtë mënyrë: “Me të vërtetë ata të cilët kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira dhe të merituara, Zoti i madhëruar së shpejti dashurinë dhe respektin ndaj tyre do ta vendos në zemra”. (Merjem: 96).

Tags