Shtohen zërat në BE që kërkojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë
(last modified Wed, 04 Oct 2023 18:51:21 GMT )
Tetor 04, 2023 20:51 Europe/Tirane
  • Shtohen zërat në BE që kërkojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë

Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar mundësinë e sanksionimit ndaj Serbisë, edhe pse Beogradi përpiqet të “pastrohet” pas sulmit terrorist në veri të Kosovës.

“Ky operacion tregon një ngritje serioze ushtarake dhe përbën një përshkallëzim të madh,” u tha eurodeputetëve në Strasburg komisioneri i BE-së i ngarkuar për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiq. Aktualisht, komisioni i BE-së është duke pritur prova nga hetimet e Policisë së Kosovës, i cili po ndihmohet nga EULEX, që të vërtetohet me prova se kush e urdhëroi sulmin terrorist në veri. Liderët politik të Kosovës thonë se pas kësaj qëndron presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. “Derisa ne po angazhoheshim në Bruksel në atë që quhet një dialog normalizimi, Serbia po përgatitej për një pushtim të vendit tonë”, tha të martën ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. Sipas burimeve diplomatike, Kroacia i është bashkuar publikisht një blloku prej rreth tetë vendeve të BE-së që në heshtje po bënin thirrje për sanksione të BE-së kundër Beogradit. Lenarçiq dënoi sjelljen e Serbisë rreth asaj që BE-ja po e quan një “sulm terrorist”, pavarësisht nëse Vuçiq provoi t’i justifikojë veprimet në veri. “Retorika nga Beogradi në lidhje me 24 shtatorin është shumë shqetësuese, siç ishte edhe mënyra në të cilën u mbajt dita e zisë,” tha Lenarçiq. Kur filluan të shtënat, Vuçiq dërgoi rreth 4,000 ushtarë shtesë në kufirin e Kosovës dhe ministri i tij i mbrojtjes Millosh Vuçeviq tha se ushtria do të hynte në Kosovë nëse ishte e nevojshme. Sulmi “terrorist” në Kosovë ka të ngjarë të jetë një shenjë e keqe për raportin e Serbisë me BE-në në kuadër të zgjerimit. “Përparimi i Serbisë në sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është thelbësor dhe do të vazhdojë të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të pranimit”, tha të martën komisioni i BE-së. Por për shumicën e eurodeputetëve që folën në Strasburg, qasja pasive-agresive ndaj Serbisë nuk ishte më e mjaftueshme. Eurodeputetët në të gjithë rrafshin politik kërkuan sanksione ndaj Serbisë sipas modelit të vendosura ndaj Kosovës në qershor, kur Prishtina u akuzua për ndezjen e tensioneve etnike në zgjedhjet lokale.

 

Tags