Thaçi: Konsensusi i arritur siguron lirinë e lëvizjes për qytetarët
(last modified Sat, 24 Feb 2018 19:26:13 GMT )
Shkurt 24, 2018 20:26 Europe/Tirane
  • Thaçi: Konsensusi i arritur siguron lirinë e lëvizjes për qytetarët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet partive politike lidhur me ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Thaçi ka deklaruar se marrëveshja e sotme e partive politike, është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës. “Uroj të gjithë përfaqësuesit e këtyre partive politike për konsensusin e arritur, i cili përfundimisht siguron lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen”, ka thënë Thaçi. Sipas tij, uniteti i tillë i subjekteve politike, duhet të shërbejë si një kornizë afatgjate për gjetjen e zgjidhjeve për temat nacionale. “Ky unitet politik duhet të shërbejë si një kornizë afatgjate për gjetjen e zgjidhjeve për temat nacionale, të cilat kërkojnë vullnet dhe gatishmëri për të tejkaluar interesat e ngushta partiake dhe private”, ka shkruar Thaçi në facebook. Ndërkaq, liderët e partive politike sot pasdite kanë arritur konsensus që ta ratifikojnë Demarkacionin në Kuvend, pasi është një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave. Nga ana e saj, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, uroi partitë politike si dhe liderët e Kosovës për arritjen e marrëveshjes për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Apostolova, përmes një postimi në Twitter, e ka vlerësuar këtë si hap të rëndësishëm në liberalizimin e vizave.

 

Tags