Qeveria e Kosovës reciprocitetin me Serbinë, reagime të ndryshme
(last modified Sat, 06 Jun 2020 10:39:55 GMT )
Qershor 06, 2020 12:39 Europe/Tirane
  • Qeveria e Kosovës reciprocitetin me Serbinë, reagime të ndryshme

Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars të Qeverisë së kaluar për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.

Kundër këtij vendimi kanë votuar ministrat e AAK-së.

Kryeministri Avdullah Hoti pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se nga sot kanë hequr të gjitha pengesat për dialog me Serbinë dhe për një kohë të arsyeshme dhe presin që edhe Serbia të heq pengesat për dialog.

“Kemi marrë vendim të rëndësishëm sot duke i hequr pengesat e dialogut, ne presim që të njëjtën gjë të shohim edhe nga pala Serbe dhe t’i japim frymë dialogut”, tha Hoti.

Hoti theksoi se për të gjitha këto veprime janë dakorduar me miqtë ndërkombëtarë.

“Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtar qe presioni i tyre të jetë karshi Serbisë që ata të heqin pengesat për dialog, nga sot ne kemi tërhequr të gjitha pengesat”, tha Hoti.

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – që qeveria e udhëhequr nga ai kishte vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë në prill të këtij viti – tha se me vendimin e fundit të qeverisë, për të shfuqizuar këto masa, Kosova ka marrë fajin për mungesën e deritanishme të dialogut.

Kurti tha se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës i ka bërë “shërbim të mirë Serbisë”, duke shtuar se tani Kosova do të hyjë në dialog si fajtore për vonesën e rifillimit të këtij procesi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, e cila ka kundërshtuar edhe krijimin e Qeverisë Hoti, ka reaguar pas vendimit të sotëm për heqje të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

"Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës",- ka shkruar Osmani.

Hoti sot ka shfuqizuar vendimet e Qeverisë së kaluar që drejtohej nga Albin Kurti. Heqja e masave të reciprocitetit ka qenë edhe kërkesë e SHBA’së.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, partia e së cilit udhëheqë me qeverinë, tha se heqja e reciprocitetit ndaj Serbisë, i hap rrugë rinisjes së dialogut me Serbinë.

Përmes një postimi në Facebook, ai e cilësoi si “vendim të guximshëm” heqjen e reciprocitetit dhe tha se pret nga Serbia që të dëshmojë se është e interesuar për dialog dhe të ndërmarrë masa për të krijuar kushte, që bisedimet të rikthehen.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Thaçi tha se tani presioni ndërkombëtar duhet drejtuar kah Serbia, që siç u shpreh ai “pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”.

Ish-zëvendëskryeministri në qeverinë Kurti, Haki Abazi ka komentuar vendimin e fundit për heqjen e reciprocitetit me Serbinë nga kryeministri Avdullah Hoti.

Abazi e ka quajtur qeverinë Hoti, qeveri “ilegale antikushtetuese” të presidentit Thaçi.

Ai ka thënë se qeveria po e luftojnë pandeminë duke hequr reciprocitetin ndaj Serbisë.

“Po e ”luftojnë” pandeminë duke e hequr reciprocitetin ndaj Serbisë. Të njejtit kanë aprovuar asociacionin antikushtetues, kanë festuar me shampanjë “liberalizimin e vizave”, kanë nënshkruar demarkacionin… kanë vjedhur shtetin, kanë paguar për ndarjen, dhe e kanë lënë vendin në baltën e turpit. Ndarja e vendit është misioni i këtij grupi ilegal antikushtetues”, ka thënë Abazi.

Visar Ymeri ka reaguar pas vendimit për heqjen e reciprocitetit nga ana e Qeverisë Hoti.

Ymeri ka thënë se do të ishte e udhës që Serbia të hiqte e para reciprocitetin.

“Kryeministri Hoti, pas anulimit të vendimit për masa reciproke në tregti, paska deklaruar se presin që edhe Serbia të heq pengesat ndaj dialogut. Do të kishte qenë më e udhës t’i hiqte Serbia e para, meqë më historikun e gjatë të negociatave me të, është pikërisht ajo që nuk ka zbatuar shumë prej marrëveshjeve të nënshkruara e të dakorduara. Shi për shkak të këtij historiku është Serbia ajo së cilës është vështirë t’i besohet”, ka thënë Ymeri.

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksander Vucic, e ka cilësuar si të mirë vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për heqje të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Një vendim i mirë nga Prishtina për të hequr barrierat në tregti”, ka thënë kreu i shtetit serb.

Pas heqjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nga Qeveria e Kosovës, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se Kosova do të duhej më parë të hiqte pengesat tregtare me Serbinë, duke shtuar se dëmi i shkaktuar nga bllokada dyvjeçare është i madh “dhe i pafalshëm”.

Gjuriq u bëri thirrje biznesmenëve nga të dy palët që të përdorin mundësinë për t'u lidhur më mirë dhe për të krijuar mundësi të reja për njerëzit e të gjitha kombësive dhe theksoi se forcimi i bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës është një përbërës i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, dhe se forcimi i mëtutjeshëm i ekonomisë serbe do të forcojë pozicionin e shtetit serb.

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka reaguar pas vendimit të fundit të Qeverisë Hoti për heqje të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, raporton Express.

“Mirëpres vendimin e sotëm të qeverisë në Kosovë për të hequr masat e fundit të reciprocitetit. Heqja e shpejtë e pengesave për të rinisur dialogun e drejtuar nga BE’ja tregon përkushtimin e Kosovës për t’u kthyer në tavolinën e negociatave pa vonesa”, ka shkruar Lajcak.

Tags