Hillary Clinton përsëri nën hetime për E-mailet e saj
(last modified Mon, 31 Oct 2016 07:52:05 GMT )
Tetor 31, 2016 08:52 Europe/Tirane
  • Hillary Clinton përsëri nën hetime për E-mailet e saj

Skuadra e Hillary Clinton ka sfiduar FBI-në mbi vendimin për të kërkuar një hetim të ri mbi email-et e kandidates demokrate.

Drejtori i FBI, James Comey, informoi Kongresin për këtë lëvizje me anë të një letre të premten, vetëm 11 ditë para zgjedhjeve. Zonja Clinton e konsideroi këtë akt si të paprecedent dhe thellësisht shqetësues, ndërkohë që nga kampi republikan, Donald Trump ka përgëzuar zyrën e FBI për këtë vendim. Në letrën e tij drejtuar Kongresit, Comey thotë se FBI ka mësuar për ekzistencën e email-eve të reja që mund të kenë lidhje me hetimin e mëparshëm, të hapur ndaj kandidates demokrate, për përdorimin e një serveri privat kur ajo shërbente si sekretare e shtetit në administratën Obama. Comey e ka mbrojtur këtë vendim, duke këmbëngulur se mospublikimi i çështjes rrezikon të keqkuptohet, nisur nga fakti se FBI nuk e di rëndësinë e email-eve të gjetur rishtazi. FBI-ja u këshillua nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, që të mos informonte Kongresin për hetimin e ri të postës elektronike të Hillary Clintonit. Zyrtarë të këtij departamenti thanë se, kjo lëvizje bie ndesh me rregullat, që shmangin ndërhyrjet në zgjedhje. Sipas Departamentit të Drejtësisë, drejtori i FBI-së James Comey veproi në mënyrë të pavarur, kur përmes një letre informoi Kongresin për zhvillimet e reja. Vet Comey, në komentet e tij të mëparshme mbrojti vendimin e marrë dhe tha se, nëse hetimi nuk bëhej publik kjo mund të krijonte keqkuptim, pasi FBI-ja nuk ka ende dijeni për përmbatjen e “e-mail”-eve të zbuluara së fundmi. Sidoqoftë, Comey gjendet tashmë nën presion të madh, pasi jo vetëm Clinton, por një sërë demokratësh, mes të cilëve senatorë veteranë, i kanë shkruar atij dhe prokurores së Përgjithshme, Loreta Lynch, që të japin më shumë detaje për hetimin deri të hënën.

 

Tags