Presidenti iranian uron Papën dhe krerët e shteteve me rastin e Krishtlindjeve
(last modified Sun, 24 Dec 2017 19:18:23 GMT )
Dhjetor 24, 2017 20:18 Europe/Tirane
  • Presidenti iranian uron Papën dhe krerët e shteteve me rastin e Krishtlindjeve

Presidenti iranian z. Hasan Ruhani i ka dërguar mesazhe urimi Papa Françeskut dhe udhëheqësve të tjerë botërorë në prag të Krishtlindjeve dhe vitit të ri Gregorian, duke shprehur besimin se gjatë vitit 2018 bota do të shihte çrrënjosjen e diskriminimit dhe varfërisë.

Në mesazhin e tij për Papën të dielën, presidenti iranian shprehu përgëzimet e tij rreth përvjetorit të bekuar të lindjes së profetit të mëshirës, lumturisë, paqes dhe miqësisë, Jezu Krishtit (as). “Në botën e sotme, e cila është e pllakosur me imoralitete, padrejtësi dhe vuajtje, burrështetasit dhe dijetarët fetarë mbajnë mbi supe një detyrë të rëndësishme për të punuar së bashku dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin me qëllim krijimin e një bote të bukur paqeje, qetësie dhe moderimi  larg nga dhuna dhe ekstremizmi”, theksoi Presidenti Ruhani në mesazhin drejtuar Papa Françeskut. Presidenti iranian gjithashtu të dielën përgëzoi udhëheqësit botërorë me rastin e Krishtlindjeve dhe ardhjen e vitit të ri 2018. Ruhani shprehu besimin se në përputhje me mësimet e profetëve hyjnorë dhe duke u mbështetur në bashkëjetesën paqësore, gjatë vitit të ri 2018 do të ndërmerren hapa të mëdhenj për të promovuar paqen, drejtësinë, barazinë dhe moderimin. Ai gjithashtu shpresoi se viti 2018 do të ishte një vit plot me spiritualitet, dinjitet dhe mirëqenie pa asnjë diskriminim dhe dhunë për të gjithë njerëzit në mbarë botën nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta, dialogut dhe ndërveprimit midis ekspertëve dhe studiuesve fetarë si dhe pasuesve të feve hyjnore. Presidenti iranian gjithashtu u lut që Zoti të japë «lumturi dhe prosperitet» mbi të gjitha kombet dhe qeveritë e tyre.

 

Tags