Reagimet e perëndimit dhe Rusisë ndaj zhvillimeve të fundit në Turqi
(last modified Sun, 17 Jul 2016 18:53:16 GMT )
Korrik 17, 2016 20:53 Europe/Tirane
  • Reagimet e perëndimit dhe Rusisë ndaj zhvillimeve të fundit në Turqi

Grusht shteti i pasuksesshëm në Turqi dje, pasojat e tij, me theks të veçantë arrestimet dhe shkarkimet e një numri të madh të zyrtarëve ushtarakë dhe gjyqësor në Turqi, kanë shkaktuar reagimin e autoriteteve të larta perëndimore dhe ruse.

Në këtë drejtim, shefja për politikën e jashtme të BE, Federica Mogherini ka kërkuar vetëpërmbajtje dhe respekt ndaj institucioneve demokratike në Turqi. Presidenti amerikan, Barack Obama apeloi ndaj palëve në konflikt të mënjanojnë dhunën dhe gjakderdhjen. Përveç kësaj ato duhet të respektojnë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në Turqi, ka thënë Obama. Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një deklaratë për zhvillimet e fundit në Turqi. Përmes saj, Presidenti Barack Obama dhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, kanë shprehur mbështetjen për qeverinë turke. “Të gjitha palët duhet të mbështesin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, të tregohen të përmbajtur dhe të shmangin dhunën dhe gjakderdhjen”, thuhet në deklaratë. Presidenti turk Rexhep taip Erdogan duke iu drejtuar presidentit amerikan Barak Obama, ka thënë se Amerika ose duhet t'a ekstradojë Fet’huall Gulenin ose ai vetë duhet të dorëzohet. Gulen viteve të fundit është duke jetuar në Pensilvania të SHBA dhe akuzohet për orkestrimin e grushtit të shtetit në Turqi, ku u vranë mbi 200 persona dhe mijëra të tjerë u plagosën. Mirëpo vetë Gylen në një prononcim për media, e ka mohuar të jetë i përfshirë në këtë grushtet të pasuksesshëm. “Si njeri që ka vuajtur goditjet e disa grushteve ushtarake përgjatë 5 dekadave të fundit, është fyese për mua të akuzohem se kam lidhje me një përpjekje të tillë. Mesazhi im për popullin turk është të mos i shohë asnjëherë pozitivisht ndërhyrje të tilla ushtarake, sepse nuk është kjo mënyra për të ndërtuar demokracinë. Nuk forcohet qeveria republikane në këtë mënyrë. Por them se ekziston një mundësi e vogël, ka një mundësi që grushti i sapopërjetuar të jetë i stisur”, tha Fet'hullah Gulen. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov theksoi nevojën për të evituar gjakderdhjen duke thënë se problemet në Turqi duhet të zgjidhjen në përputhje me kushtetutën. Ndërsa, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska është thellësisht e shqetësuar nga raportimet që vijnë nga Turqia, duke thënë se prioritet ishte sigurimi i institucioneve ruse dhe qytetarëve në Turqi. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon bëri thirrje për qetësi dhe maturi në situatën në Turqi. Edhe shefi i i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Turqia është një aleat i vyer duke kërkuar rivendosjen e rendit dhe qetësisë dhe respektimin e plotë të institucioneve demokratike. Irani u shpreh thellësisht i shqetësuar për situatënnë Turqi, ndërsa shteti i Katarit, një aleat kyç i Turqisë denoncoi dhe dënoi përpjekjen e dështuar për grusht shteti. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault ka thënë se shpreson që demokracia turke do të forcohet pas këtij testi dhe se do të respektohen liritë themelore. Populli turk ka treguar se është “i pjekur dhe i guximshëm”, ka thënë ai.

 

Tags