Sejed Hasan Nasrallah: Jemi në gatishmëri të lartë
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Sejed Hasan Nasrallah mbajti një fjalim të hënën më 9 maj si pjesë e fushatave zgjedhore të organizuara në dy qytetet jugore të Libanit, Tire dhe Nabatieh dhe duke u bërë thirrje libanezëve të tregojnë një prani masive në qendrat e votimit në zgjedhjet legjislative të 15 majit, njoftoi se luftëtarët e Hezbollahut do të qëndrojnë në gatishmëri të lartë për të përballur çdo veprim të regjimit izraelit.
"Libanezët janë të vetëdijshëm për partitë që duan që Rezistenca të çarmatoset," tha Sejed Hasan Nasrallah. Ai shtoi: “Disa grupe politike u fokusuan tek armët e Rezistencës në fushatën e tyre elektorale, sikur shqetësimet e njerëzve të ishin të parëndësishme për to. Megjithatë, libanezët duhet të dinë se cilat parti duan që Rezistenca të çarmatoset, dhe kjo në iluzionin e mundësisë për të hequr qafe Hezbollahun. Këto parti gjithmonë kanë lënë pas dore vuajtjet e popullit libanez". “E kush do ta mbronte popullin nëse Rezistenca do të dorëzonte armët?“, theksoi Nasrallah duke shtuar: “Nëse pyetni ata që duan çarmatimin e Rezistencës, se cila është alternativa e tyre, ata nuk mund të përgjigjen; por ne kemi zhvilluar një strategji mbrojtjeje…” "Vetëm prania e Rezistencës e ka bërë regjimin sionist të mos guxojë as të mendojë për një bombardim të Libanit," tha Nasrallah, duke shtuar: “Rezistenca është në gatishmëri dhe në përgatitje maksimale”. Duke iu drejtuar regjimit sionist, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut tha: “Ne nuk do të hezitojmë për asnjë moment për t'u hakmarrë ndaj ndonjë marrëzie të vogël nga ana juaj kundër Libanit. Ne nuk kemi frikë nga prania juaj, ushtria apo stërvitjet tuaja ushtarake. Ne kemi bindjen e patundur se ju jeni më të dobët se "rrjeta e merimangës".