Nasrallah: Zhvillimet aktuale sugjerojnë një rënie të afërt të regjimit izraelit
Sekretari i përgjithshëm i lëvizjes së rezistencës libaneze Hezbollah tha se zhvillimet e reja në territoret e pushtuara sugjerojnë se asgjësimi i regjimit izraelit nuk është më një dëshirë, por një realitet që do të realizohet në të ardhmen e afërt.
“Rrjedha e zhvillimeve në Palestinën e pushtuar tregon se sionistët po shkojnë drejt rënies dhe kolapsit. Të gjitha vendimet e marra nga autoritetet izraelite vetëm do të përforcojnë vendosmërinë, besimin dhe këmbënguljen e popullit palestinez për të kryer më shumë operacione hakmarrëse”, tha të hënën Sejed Hasan Nasrallah në një fjalim televiziv gjatë një ceremonie në kryeqytetin libanez Bejrut në përkujtim të veteranëve të Hezbollahut. Ai kritikoi kabinetin e ekstremit të djathtë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për miratimin e një projekt-ligji, i cili pasi të bëhet ligj do të autorizonte ekzekutimin e të burgosurve palestinezë, duke thënë: "Armiku i egër izraelit beson se mund të ndalë palestinezët duke paraqitur kërcënime kundër luftëtarëve të rezistencës palestineze dhe duke vendosur dënime me vdekje për ta.” “Ne shprehim solidaritetin tonë me të burgosurit palestinezë dhe marrim përgjegjësinë tonë në këtë drejtim. E gjithë bota myslimane është e detyruar të mbështesë kombin palestinez përballë regjimit izraelit”, tha Nasrallah. Më tej në fjalën e tij, Nasrallah theksoi se Hezbollahu nuk e pranon vakumin e pushtetit në Liban pasi presidenti Michel Aoun u largua nga pallati presidencial më 30 tetor të vitit të kaluar dhe mbështet fuqishëm zgjedhjen e një kreu të ri të shtetit. “Hezbollahu insiston në kuorumin e dy të tretave që parlamenti të mblidhet dhe të zgjedhë një president të ri. Ne refuzojmë kategorikisht çdo diktat të huaj për të imponuar një president në Liban”, tha ai. Nasrallah shtoi se Hezbollahu do të mbështesë politikanin e krishterë Suleiman Frangieh për të qenë presidenti i vendit.