Koment - Intensifikimi i tensioneve mes Turqisë dhe Izraelit
(last modified Mon, 29 Jul 2024 19:03:48 GMT )
Korrik 29, 2024 21:03 Europe/Tirane
  • Koment - Intensifikimi i tensioneve mes Turqisë dhe Izraelit

Deklaratat e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për mundësinë e marrjes së masave kundër Izraelit, të ngjashme me veprimet e ndërmarra në Karabak dhe Libi, shtuan tensionet verbale mes Ankarasë dhe Tel Avivit.

Regjimi sionist ka nisur një luftë kundër Gazës që prej 7 tetorit 2023, e cila deri më tani ka vrarë dhe plagosur më shumë se 130 mijë palestinezë, shumica e të cilëve janë fëmijë dhe gra. Këto sulme kanë shkaktuar gjithashtu edhe zhdukjen e më shumë se 10 mijë njerëzve. Ndërkohë që fuqitë perëndimore ose heshtin përballë krimit gjenocidal të sionistëve në Gaza ose e mbështesin hapur atë, autoritetet e disa vendeve islame ndonjëherë, të paktën në deklaratat e tyre, shprehin mbështetjen për Gazën dhe dënojnë krimin sionist.

Duke iu referuar krimeve të regjimit sionist në Gaza, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të dielën: “Ashtu siç hymë në Karabak, ashtu siç hymë në Libi, ne mund të bëjmë të njëjtën gjë me ta. Nuk ka asgjë që ne nuk mund ta bëjmë. Duhet vetëm të jemi të fortë”.

Ky koment i Erdoganit ka shkaktuar përshkallëzim të tensionit verbal mes zyrtarëve turq dhe izraelitë.

Mediat izraelite i konsideruan këto deklarata si një kërcënim ushtarak.

Ministri i Jashtëm izraelit, Yisrael Katz, i është përgjigjur deklaratave të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Katz ka postuar në llogarinë e tij në rrjetin social X një foto të Erdoganit në krah të Sadamit, diktatorit të Irakut dhe ka shkruar: “Erdogan po ndjek hapat e Sadamit dhe po na kërcënon me sulm ushtarak”. Më tej ai shtoi: "Kujtoni se çfarë ndodhi atje dhe si përfundoi."

Yair Lapid, lideri i opozitës së regjimit sionist, po ashtu deklaroi se presidenti i Turqisë sërish po flet gjepura dhe po krijon polemika dhe se është një rrezik për Lindjen e Mesme.

Lapid shtoi: "Bota, veçanërisht anëtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), duhet të dënojnë me forcë kërcënimet e tmerrshme të Erdoganit kundër Izraelit dhe ta detyrojnë atë të ndalojë së mbështeturi Hamasin."

Në përgjigje të këtij komenti, Ministria e Jashtme e Turqisë e krahasoi kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, me Adolf Hitlerin dhe deklaroi: "Historia ka përfunduar në këtë mënyrë për të gjithë autorët e gjenocidit".

Në vazhdim të kësaj deklarate theksohet: "Ashtu siç dhanë llogari nazistët gjenocidalë (përpara trupit gjykues), do të mbajnë përgjegjësi edhe ata që tentojnë të zhdukin palestinezët. Njerëzimi do të qëndrojë në krah të Palestinës dhe ju nuk mund t'i zhdukni ata."

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit janë tensionuar sërish pas fillimit të luftës në Gaza. Ankaraja dhe Tel Avivi kanë tërhequr ambasadorët e tyre dhe kanë pezulluar marrëdhënet e biznesit dhe fluturimet. Ndërkohë, janë ndërprerë shkëmbimet tregtare me vlerë 8 miliardë dollarë. Pas publikimit të fjalëve të reja të Erdoganit, disa aktivistë politikë turq kërkuan që Ismail Haniyeh, kreu i Zyrës Politike të Hamasit, të ftohet sa më shpejt në Ankara për të mbajtur një fjalim në parlamentin turk si një përgjigje simbolike ndaj Amerikës.

Gjithashtu, me kërkesë të Erdoganit, Parlamenti turk, duke lëshuar një deklaratë me vonesë, dënoi fjalimin e Benjamin Netanyahut në Kongresin Amerikan dhe e konsideroi këtë politikë të SHBA-së si mbështetje për një kriminel vrasës.

Ministri turk i Drejtësisë, Yılmaz Tunç, e cilësoi veprimin e Parlamentit turk në dënimin e ftesës së Netanyahut në Kongresin Amerikan si një veprim historik dhe me fjalë të ekzagjeruara deklaroi se Parlamenti turk me këtë deklaratë i ka dhënë të gjithë botës një leksion për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

 

Tags