Nasrallah: Hezbollahu i Libanit nuk do të tolerojë më dronët izraelitë
(last modified Sun, 25 Aug 2019 19:08:45 GMT )
Gusht 25, 2019 21:08 Europe/Tirane
  • Nasrallah: Hezbollahu i Libanit nuk do të tolerojë më dronët izraelitë

Sekretari i përgjithshëm i lëvizjes së rezistencës libaneze Hezbollah deklaroi se luftëtarët e kësaj lëvizjeje do të kundërshtojnë çdo shkelje të mëtejshme të hapësirës ajrore libaneze nga dronët pa pilot, duke paralajmëruar regjimin e Tel Avivit që të ndalë menjëherë shkeljet e tilla.

"Hezbollah do të përpiqet të rrëzojë të gjithë dronët izraelitë, të cilët mund të shkelin hapësirën ajrore të Libanit," tha Sejed Hasan Nasrallah në një fjalim televiziv të transmetuar drejtpërdrejt të dielën në mbrëmje nga kryeqyteti i Libanit, Bejrut. Nasrallah i bëri komentet një ditë pasi dy dronë izraelitë u rrëzuan në një lagje jugore të Bejrutit. "Ajo që ndodhi natën e kaluar ishte një sulm vetëvrasës me dronë në periferinë jugore Zahijeh të Bejrutit. Ky ishte sulmi i parë i Izraelit në Liban që nga lufta e vitit 2006. Droni i parë ishte një aeroplan vëzhgimi i krijuar për të mbledhur dhe transferuar të dhëna për të dytin", tha Nasrallah, duke theksuar se sulmi me dron kishte për qëllim të shkaktonte dëme të rënda mbi popullatën lokale. "Hezbollah do të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përsëritjen e sulmeve të tilla. Nëse nuk i përgjigjemi sulmit sionist ndaj rajonit Zahijeh, Izraeli do të vazhdojë sulmet dhe do të na sulmojë ashtu siç ka goditur pozicionet e forcave të Hashd al-Sha'abi në Irak. Hezbollahu nuk do të lejojë në asnjë mënyrë modelin e agresionit të Izraelit të përsëritet në Liban", theksoi shefi i Hezbollahut. "Epoka e sulmeve pa përgjigje të ushtrisë izraelite ndaj Libanit ka marrë fund. Hezbollah nuk do të tolerojë më që dronët izraelitë të depërtojnë në hapësirën ajrore të Libanit, "tha Nasrallah.

 

Tags