Brexit dhe situata e saj
(last modified Fri, 27 Nov 2020 08:29:22 GMT )
Nëntor 27, 2020 09:29 Europe/Tirane
  • Brexit dhe situata e saj

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi të mërkurën se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare, pasi blloku prej 27 anëtarësh do të përpiqet të arrijë një marrëveshje me Britaninë në lidhje me largimin e saj nga BE-ja.

Duke folur në Parlamentin Evropian, Von der Leyen tha se ndasitë e thella mund të çojnë në një divorc të ashpër me Britaninë pas 31 dhjetorit, një skenar për të cilin Unioni është i përgatitur. “Ditët e ardhshme do jenë vendimtare. BE është i përgatitur për një skenar pa marrëveshje, por sigurisht po përgatitemi edhe për një tjetër me akord. Unë kam besim të plotë tek aftësitë e kryenegociatorit evropian Michel Barnier. Por një gjë është e qartë, cilido qoftë rezultati duhet të ketë një dallim të pastër mes të qenurit anëtar me të drejta të plota i Unionit dhe të qenurit vetëm një partner”, theksoi Von der Leyen. Nga ana tjetër, kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi se Mbretëria e Bashkuar nuk do të kërkojë më shumë kohë për të negociuar marrëveshjen tregtare post-Brexit me Bashkimin Evropian. Duke folur në një lidhje virtuale me Dhomën e Përfaqësuesve, Johnson sqaroi se Londra nuk do të kërkojë një zgjatje të periudhës së tranzicionit, që do të thotë se vendi do të largohet nga BE më 31 dhjetor. “Ne nuk do ta zgjasim periudhën e tranzicionit, por duam të bëjmë angazhime praktike për të ndihmuar bizneset në Irlandën e Veriut. Për shembull kemi rënë dakord për një periudhë stabilizimi njëvjeçare, në mënyrë që të mos ketë kaos në tregtimin e medikamenteve. Gjithashtu, ne i kemi dhënë jetë një plani mbështetës prej 200 milionë paundë që do të ndihmojë bizneset e agrikulturës dhe ata të fushave të tjera”, tha Johnson. Britania dhe BE-ja janë në përpjekjet e fundit për të rënë dakord mbi kushtet për ruajtjen e tregtisë dypalëshe pa tarifa apo kuota duke filluar nga viti 2021, kur periudha e tranzicionit të Londrës nga Unioni supozohet të përfundojë.

Tags