Merkel: Brexit-i pa marrëveshje do të krijonte shembull të keq
(last modified Mon, 30 Nov 2020 18:49:48 GMT )
Nëntor 30, 2020 19:49 Europe/Tirane
  • Merkel: Brexit-i pa marrëveshje do të krijonte shembull të keq

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë të hënën se Britania dhe Bashkimi Evropian do të krijonin shembull të keq nëse dështojnë që të arrijnë marrëveshje për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen, mirëpo ka përsëritur sërish se blloku evropian nuk dëshiron marrëveshje me çdo çmim.

Mbretëria e Bashkuar është larguar nga Bashkimi Evropian më 31 janar, mirëpo ka mbetur pjesë e tregut të bllokut evropian përgjatë periudhës tranzitore 11-mujore, ndërkohë që të dyja palët tentojnë të negociojnë një marrëveshje për tregti të lirë, e cila do të mund të niste së zbatuari më 1 janar. Bisedimet veçse janë zgjatur përtej afatit të fundit, të caktuar për mesin e muajit nëntor, për arritje të marrëveshjes, e cila më pas duhet të miratohet nga ligjvënësit në Britani dhe BE, para fundit të vitit. Britania ka zemëruar Bashkimin Evropian me një projektligj që shkel disa pjesë të marrëveshjes që mundësoi largimin e Britanisë nga blloku evropian në muajin janar. Projektligji në fjalë i jep fuqi Mbretërisë së Bashkuar që të ndryshojë disa pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me tregtinë me Irlandën Veriore. “Shpresoj se do të arrijmë te një marrëveshje kontraktuale”, ka thënë Merkel në një takim virtual me anëtarët e komiteteve të BE-së. “Ne, Britania dhe shtetet anëtare të BE-së, jemi shtete që bazohemi në vlerat e njëjta, andaj nuk do të ishte shembull i mirë për botën, nëse nuk do të arrinim te një marrëveshje”. Megjithatë, ajo ka insistuar se marrëveshja nuk duhet të arrihet me patjetër.

 

Tags