Vendet e BE-së mbështesin marrëveshjen me Britaninë e Madhe
(last modified Mon, 28 Dec 2020 18:54:13 GMT )
Dhjetor 28, 2020 19:54 Europe/Tirane
  • Vendet e BE-së mbështesin marrëveshjen me Britaninë e Madhe

27 vendet anëtare të BE-së kanë miratuar njëzëri marrëveshjen tregtare pas Brexit-it me Britaninë e Madhe, duke hapur rrugën që ajo të hyjë në fuqi përkohësisht më 1 janar.

Ambasadorët e vendeve anëtare, u takuan në Bruksel më 28 dhjetor për të dhënë pëlqimin për marrëveshjen, e cila përcakton kornizën për tregtinë mes Britanisë së Madhe dhe BE-së, sapo Londra të largohet nga tregu i vetëm i BE-së dhe bashkimi doganor në fund të vitit. Presidenca gjermane e BE-së tha se marrëveshja do të miratohet me shkrim nga të 27 qeveritë e BE-së, më 29 dhjetor, një ditë para votimit nga ana e ligjvënësve britanikë. Parlamenti Evropian do të ketë kohë deri në fund të shkurtit për të votuar dokumentin.  Marrëveshja u arrit më 24 dhjetor, pas nëntë muajsh negociata të vështira midis Londrës dhe Brukselit, duke lënë shumë pak kohë që ajo të ratifikohet deri më 31 janar.Kryeministri britanik, Boris Johnson, e mirëpriti miratimin e marrëveshjes përmes një telefonate me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel. Rregullat e konkurrencës së ndershme dhe të drejtat e peshkimit kishin qenë pengesa kryesore për të arritur një marrëveshje tregtare gjatë nëntë muajve bisedimesh të trazuara. Marrëveshja shmang vendosjen e tarifave, kuotave dhe pengesave të tjera tregtare që do t’u kushtonin të dy palëve miliarda në tregti dhe qindra mijëra vende pune.

 

Tags