Goditet rrjeti i Ndraghetas në Europë, të përfshirë dhe shqiptarë
(last modified Wed, 05 May 2021 13:06:29 GMT )
May 05, 2021 15:06 Europe/Tirane
  • Goditet rrjeti i Ndraghetas në Europë, të përfshirë dhe shqiptarë

Bashkëpunimi i mafies kalabreze Ndragheta me trafikantët shqiptarë të drogës konfirmohet edhe njëherë nga hetimet e operacionit të ekzekutuar mëngjesin e së mërkurës në Itali dhe Gjermani.

Në kuadër të operacionit të koduar Platinium, janë arrestuar 33 persona nga 65 të vënë në hetim nën akuzat e krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe trafikut të kokainës.

Nga hetimet e zhvilluara u verifikua dhe përfshirja e shqiptarëve me bazë në Holandë dhe Belgjikë. Të përfshirë janë dhe trafikantë nga kolumbia apo Rumania. Por burime informative bëjnë me dije se deri më tani nuk ka asnjë shqiptar të arrestuar.

Kokaina blihej në Brazil, më pas transportohej drejt Belgjikës e Holandës për të kaluar në Itali për llogari të familjeve të Ndraghetës, Agresta e Giorgi.

Nën sekuestro u vunë dhe disa kompani me aktivitetet në tregtimin e automjeteve, pesë biznese në sektorin e ndërtimin, disa bare e restorante, si dhe llogari bankare e postare.

Në operacionin "Platinium" morën pjesë 500 trupa të policisë gjermane e 200 trupa të policisë italiane me ndihmë të repartit ajor të Guardia di Finanza e të repartit të qenve antidrogë.

Tags