Reagimet ndaj dorëheqjes së Kryeministrit britanik
(last modified Fri, 08 Jul 2022 05:04:07 GMT )
Korrik 08, 2022 07:04 Europe/Tirane
  • Reagimet ndaj dorëheqjes së Kryeministrit britanik

Kryeministri britanik Boris Johnson ka njoftuar zyrtarisht dorëheqjen e tij nga posti, pas thirrjeve të kolegëve ministrorë dhe ligjvënësve në Partinë e tij Konservatore në pushtet për një mori çështjesh shumë të diskutueshme, duke përfshirë Brexit, pandeminë e koronavirusit dhe skandalet e njëpasnjëshme.

Johnson e bëri njoftimin të enjten jashtë rezidencës së tij në Downing Street në qendër të Londrës, duke thënë se ai ishte përpjekur të bindte kolegët se ndryshimi i udhëheqësit të qeverisë do të ishte "eksentrik", por ai dështoi dhe se ishte "i trishtuar që po hiqte dorë nga puna më e mirë në botë." Dorëheqja e Johnson erdhi pasi raportet e mëhershme të mediave thanë se ai kishte rënë dakord të jepte dorëheqjen pas një rebelimi në rritje brenda partisë së tij Konservatore për një seri skandalesh dhe pasi dhanë dorëheqjen më shumë se 50 ministra. Vargu i dorëheqjeve erdhi pas muajsh skandalesh dhe gabimesh, duke përfshirë një raport për festat qeveritare që thyen kufizimet e rrepta për COVID-19 dhe dorëheqjen e ligjvënësit konservator Neil Parish në prill, pasi ai u kap duke parë pornografi në telefonin e tij celular në Dhomën e Komunave. Ai u skualifikua nga statusi i deputetit në parlament. Johnson është akuzuar gjithashtu për mosmarrjen e hapave të mjaftueshëm për të trajtuar një krizë të kostos së jetesës, me shumë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar që po luftojnë për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve. Sipas ekonomistëve, Britania tani po shkon drejt një ngadalësimi të mprehtë ose ndoshta një recesioni. Keir Starmer, lideri i Partisë Laburiste të opozitës në Britani, reagoi me shpejtësi ndaj dorëheqjes së kryeministrit. "Është një lajm i mirë për vendin që Boris Johnson ka dhënë dorëheqjen si kryeministër," tha Starmer. "Por kjo duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Ai ishte gjithmonë i papërshtatshëm për detyrën. Ai ka qenë përgjegjës për gënjeshtra, skandale dhe mashtrime në shkallë industriale”. "Çfarë gjendje dëshpëruese. Kaq shumë dëme të panevojshme të shkaktuara," tha Sekretari Britanik i Biznesit Kwasi Kwarteng. Ai shtoi: "Tani kemi nevojë për një Udhëheqës të ri sa më shpejt të jetë e mundur. Dikush që mund të rindërtojë besimin, të shërojë vendin dhe të vendosë një qasje ekonomike të arsyeshme dhe të qëndrueshme për të ndihmuar familjet." "Do të ketë një ndjenjë të gjerë lehtësimi që kaosi i ditëve të fundit do të marrë fund, megjithëse ideja e qëndrimit të Boris Johnson si kryeministër deri në vjeshtë duket larg ideales dhe sigurisht destabilizuese", tha kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: "Ai nuk na pëlqen ne, as ne nuk e duam atë". Vyacheslav Volodin, kryetari i dhomës së ulët të parlamentit rus, tha: "Ai është një nga ideologët kryesorë të luftës kundër Rusisë deri në ukrainasin e fundit. Udhëheqësit evropianë duhet të mendojnë se ku të çon një politikë e tillë." Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha: "Boris Johnson u godit nga një bumerang i nisur nga ai vetë ... bashkëluftëtarët e tij e dorëzuan atë." Ajo shtoi: "Morali i historisë është: mos kërkoni të shkatërroni Rusinë... Rusia nuk mund të shkatërrohet. Mund t'i thyeni dhëmbët mbi të - dhe pastaj t'i gëlltitni".

 

 

Tags