Shqetësime për rritjen e krimit dhe trazirave në Angli
Komandantët e forcave të policisë britanike kanë përgatitur plane emergjente për zbatimin e rendit dhe ligjit për shkak të shqetësimit të rritjes së krimit dhe trazirave urbane para ardhjes së dimrit të ashpër dhe intensifikimit të presioneve ekonomike.
Sipas gazetës angleze Sunday Times, në të njëjtën kohë që planifikon të përballet me pasojat e mundshme të rënies së miliona familjeve në moçalin e vështirësive financiare, policia britanike po përgatitet për kushtet kur më shumë fëmijë të bashkohen me bandat e trafikut dhe shpërndarjes së drogës. Dokumenti i planifikimit strategjik i komandantëve të policisë britanike, që u hartua në verë dhe u botua së fundmi në media, tregon shqetësimet mbi rritjen e llojeve të ndryshme të krimeve si vjedhja e mallrave nga dyqanet, vjedhjet e makinave, mashtrimet dhe shantazhet online, krimet që lidhen me mashtrimet financiare dhe që rrjedhin nga vështirësitë ekonomike dhe paqëndrueshmëria financiare. Më shumë se 1,700,000 familje në Mbretërinë e Bashkuar po planifikojnë të bojkotojnë kompanitë e energjisë në muajt e ardhshëm dhe të refuzojnë të paguajnë faturat e tyre pas një rritje prej 80% të çmimeve. Një oficer policie i tha gazetës The Times se qytetarët e varfër mund të përdorin vjedhjen e mallrave bazë për të mbijetuar. Greva e punëtorëve të Postës Mbretërore (Royal Mail), e cila pas grevës së Sindikatës së Punëtorëve të Komunikacionit (CWU) është greva më e madhe që nga viti 2009, do të vazhdojë javën e ardhshme më 8 dhe 9 shtator. Javën e kaluar, më shumë se 115,000 punonjës të postës Royal Mail hynë në një grevë katër-ditore. Grevat e punëtorëve janë zhvilluar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në vazhdën e rritjes së inflacionit në vend dhe krizës ekonomike. Thuhet se punonjësit e sektorëve të tjerë të industrive britanike, duke përfshirë punonjësit e porteve dhe aeroporteve, si dhe juristë, mësues, infermierë dhe zjarrfikës, po planifikojnë të bëjnë grevë ose të ndërmarrin aksione sindikale këtë vit. Situata kritike e ekonomisë në Angli është e tillë që kryeministri britanik Boris Johnson së fundmi duke folur për shkallën e lartë të inflacionit dhe rritjen e shpejtë të kostove të jetesës dhe çmimeve të energjisë në këtë vend, tha: Muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë dhe ndoshta shumë të vështirë. Faturat e energjisë “do të sjellin lotë”. Lufta në Ukrainë ka rritur kostot e energjisë në vendet evropiane dhe ka bërë që këto vende të marrin masa për përdorimin më rigoroz të burimeve energjetike.