800,000 koreano-veriorë vullnetarë për luftë kundër SHBA-së
(last modified 2023-03-18T06:16:06+00:00 )
Mars 18, 2023 07:16 Europe/Tirane
  • 800,000 koreano-veriorë vullnetarë për luftë kundër SHBA-së

Gazeta shtetërore e Koresë së Veriut njoftoi se qindra mijëra qytetarë të vendit kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të luftuar në një luftë të mundshme kundër Shteteve të Bashkuara.

Vetëm të premten, rreth 800,000 punëtorë dhe studentë të Koresë së Veriut dolën vullnetarë për t'u regjistruar në ushtrinë e vendit për të luftuar në një luftë të tillë, raportoi të shtunën gazeta Rodong Sinmun. Raporti thoshte se "pararoja e të rinjve u ngrit menjëherë për t'u bashkuar me luftën për të mbrojtur atdheun dhe për të shkatërruar armikun", të përmendur në artikull si "Imperialistët e SHBA-së dhe tradhtarët kukulla, të cilët po përpiqen të shkatërrojnë pavarësinë tonë dhe të drejtën për të jetuar dhe zhvilluar”. "Provokimet" nga Uashingtoni dhe Seuli "po kalojnë një vijë që nuk mund të tolerohet më" dhe Koreja e Veriut kërkon të demonstrojë se mund të "kapërcejë" aftësitë ushtarake të armikut, shtoi gazeta Rodong Sinmun. SHBA dhe Koreja e Jugut kanë nisur një sërë manovrash luftarake që nga fillimi i vitit, pavarësisht paralajmërimeve të rrepta të Veriut. Aleatët nisën të hënën stërvitjen më të fundit ushtarake, të quajtur "Mburoja e Lirisë 23". Stërvitjet 11-ditore po mbahen në një shkallë të paparë që nga viti 2017. Pheniani i sheh manovrat e luftës si prova të mundshme për pushtimin e territorit të tij. Si hakmarrje, Koreja e Veriut ka shtuar lëshimet e saj të raketave, të cilat i ka përdorur si mjet për të paralajmëruar aleatët kundër provokimeve të mëtejshme në Gadishullin Korean. Së fundmi, Pheniani gjuajti të premten raketën e tij më të madhe balistike ndërkontinentale (ICBM) në detin që shtrihet midis Koresë së Veriut dhe Japonisë.

 

Tags