May 01, 2024 10:42 Europe/Tirane
  • Guterres bën thirrje për hetime të pavarura për varrezat masive në Gaza

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se është “thellësisht i alarmuar” nga raportet për varreza masive në disa vende në Rripin e rrethuar të Gazës.

"Ka narrativa konkurruese rreth disa prej këtyre varreve masive, duke përfshirë akuza serioze se disa nga të varrosurit janë vrarë në mënyrë të paligjshme," tha Guterres të martën.

Shefi i OKB-së kërkoi një informacion transparent dhe hetim të paanshëm në lidhje me këtë çështje.

“Është e domosdoshme që hetuesve të pavarur ndërkombëtarë, me ekspertizë mjeko-ligjore, t'u lejohet akses i menjëhershëm në vendet e këtyre varreve masive, për të përcaktuar rrethanat e sakta në të cilat qindra palestinezë humbën jetën dhe u varrosën, ose u rivarrosën. Familjet e të vdekurve dhe të zhdukurve kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur. Dhe bota ka të drejtën e llogaridhënies për çdo shkelje të ligjit ndërkombëtar që mund të ketë ndodhur.”

Raportohet se Gjykata Ndërkombëtare Penale po heton ofensivën e egër ushtarake të Izraelit në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe mund të lëshojë urdhër-arreste për Benjamin Netanyahun dhe liderë të tjerë izraelitë.

Qindra trupa u gjetën kohët e fundit në varrezat masive në Kompleksin Mjekësor Naser, Spitalin Shifa dhe disa vende të tjera pas bastisjeve izraelite në ato vende. Raportet thonë se trupat ishin varrosur nën pirgje mbeturinash dhe përfshinin gra dhe të moshuar.

Diku tjetër në komentet e tij, Guterres tha se një sulm ushtarak atje “do të ishte një përshkallëzim i papërballueshëm, duke vrarë mijëra civilë të tjerë dhe duke detyruar qindra mijëra të largohen”. Për më tepër, ai do të kishte një ndikim shkatërrues për palestinezët në Gaza, me pasoja serioze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në të gjithë rajonin më gjerë.

Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe shumë qeveri të tjera e kanë shprehur qartë kundërshtimin e tyre ndaj një operacioni të tillë. Unë u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë ndikim mbi Izraelin që të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për ta parandaluar atë”, tha ai.

Më tej ai tha se më shumë se 1.2 milionë njerëz po kërkonin strehim në Rafah pasi u larguan nga bombardimet izraelite në veri të Gazës.

“Ata kanë shumë pak për të ngrënë, vështirë se kanë qasje në kujdesin mjekësor, pak strehim dhe askund të sigurt për të shkuar. Në Gazën veriore, më të rrezikuarit – nga fëmijët e sëmurë e deri te personat me aftësi të kufizuara – tashmë po vdesin nga uria dhe sëmundjet. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të shmangur një zi buke krejtësisht të parandalueshme, të shkaktuar nga njeriu”, tha Guterres.

Kryeministri izraelit ka ripërsëritur kërcënimin e tij për një pushtim tokësor të qytetit jugor të Gazës, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për të arritur një armëpushim.

Rafah ka pritur rreth një milion e gjysmë palestinezë të shpërngulur që nga fillimi i luftës gjenocidale izraelite.

 

Tags