Gjeorgjia nënshkruan ligjin për agjentët e huaj
Kryetari i parlamentit të Gjeorgjisë ka nënshkruar ligjin për “agjentët e huaj” që ka shkaktuar një krizë politike në vend dhe ka shkaktuar kritika të ashpra nga aleatët e saj perëndimorë.
Mosmarrëveshja rreth ligjit është një provë nëse Gjeorgjia, për tre dekada një prej shteteve më properëndimore të pasardhësve të Bashkimit Sovjetik, do të ruajë orientimin e saj perëndimor apo do të afrohet me Rusinë.
Bëhet e ditur se kryetari i parlamentit Shalva Papuashvili ka nënshkruar ligjin pasi ligjvënësit e qeverisë votuan javën e kaluar për të kapërcyer veton nga presidentja Salome Zourabichvili, e cila e kishte kritikuar atë.
Legjislacioni kërkon që organizatat që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të ndikimit të huaj”, njofton Reuters.
Një grup i organizatave joqeveritare gjeorgjiane kanë njoftuar se përsëri do ta kundërshtojnë ligjin në gjykatën kushtetuese, dhe se po përgatisin një paraqitje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Ligjin e kanë kritikuar edhe SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe.