Demokracia, humbësja e shout Clinton-Trump
(last modified Mon, 10 Oct 2016 18:42:51 GMT )
Tetor 10, 2016 20:42 Europe/Tirane
  • Demokracia, humbësja e shout Clinton-Trump

Në debatin e dytë televiziv në SHBA kishte vetëm një humbës: rendi demokratik i shoqërisë. Kështu shkruante sot rrjeti informativ gjerman DW.

  Të dielën u zhvillua një debat, në të cilin Hillary Clinton dhe Donald Trump luftuan me fjalë dhe ofendime të rënda për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Mbi qindra milionë spektaktorë do të priten. Komentatorë televizivë amerikanë flasin për spektaklin më të madh televiziv në këtë vend. Kandidatët, të cilët kur hynë nuk i dhanë dorën njëri-tjetrit si në debatin e parë, u pyetën për shembullin që ata duhet të jepnin për të rinjtë, një pyetje që nënkuptonte komentet vulgare të bëra nga Trump për gratë 11 vjet më parë dhe që u publikuan të premten. Kandidati republikan u përpoq t’i shmanget pyetjes, duke ndryshuar temë disa herë. “Ja kush është Donald Trump”, tha Clinton. Trump tha: “Nuk jam krenar (për videon). Shihni Bill Clintonin. Të mijat ishin fjalë, të tijat ishin vepra.” “Kam respekt të madh për gratë; askush nuk i respekton gratë më shumë se unë,” tha Trump. Clinton e kritikoi ashpër rivalin. Ajo tha se nuk ishte vetëm videoja e publikuar të premten që ngre pikëpyetje nëse Trump duhet të jetë apo jo president, por edhe komentet e tij lidhur me emigrantët, myslimanët dhe çështje të tjera. Trump tha se këto janë “vetëm fjalë” që i dëgjojmë prej vitesh. Ai e kritikoi Clinton për çështje të tjera si arsimi dhe afrikano-amerikanët përsëri duke u përpjekur t’i shmanget pyetjes së fillimit. Ai tha se komentet e tij të publikuara të premten ishin thjesht biseda spontane, por Bill Clinton, – tha ai, – ka qenë abuzues i grave dhe Clinton i ka sulmuar këto gra. Trump kishte sjellë në sallën e debatit tre nga gratë që e kanë akuzuar Bill Clinton në të kaluarën për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyre. Kur debati u përqendrua tek emailet e Clinton, Trump tha se ai do të emëronte një prokuror të posaçëm për të hetuar rivalen e tij. “Ju do të përfundonit në burg”, tha ai, duke nënkuptuar se ajo kishte shkëmbyer materiale të klasifikuara duke përdorur një server privat, kur ishte sekretare e shtetit. Clinton e quajti “të rrezikshme” retorikën e rivalit Trump për myslimanët. “Vizioni im i Amerikës është një Amerikë ku secili ka një vend”, tha ajo. Megjithatë sipas DË, temat e diskutuara në këtë debat si dhe gjuha e rëndë e përdorur nga dy kandidatët, dëshmoi qartë se demokracia dhe problemet reale të popullit amerikan dhe të popujve të botës, ishin gjëja më e fundit për të cilën mendojnë kandidatën presidencial në SHBA. Kjo sepse shumica e njerëzve nuk do të rrinë para ekraneve për të mësuar se kush i ka konceptet më të mira, për të përballuar problemet masive të vendit. Ata nuk duan të dinë se cilat janë idetë për të ndaluar vrasjet e përditshme në Aleppo, ose për të ndihmuar mijëra refugjatët, që mbyten në Mesdhe, sepse janë në arrati dhe në kërkim të një jete më të mirë. Ata duan të jenë të pranishëm kur Donald Trumpit t'i duhet të justifikohet për deklaratat e tij të turpshme për femrat. Dhe duan të shohin se cilën strategji do të ndjekë ai me Bill Klintonin, bashkëshortin që tradhëtoi martesën, të konkurrentes së tij Hillary Clinton, për ta dëmtuar atë. Pas publikimit të videos Trumpi ndodhet në një krizë, të cilën ai nuk mund ta kapërcejë me argumenta politike. Vetëm me një spektakël të mirë. Njerëzit duan të shikojnë se kush do ta humbasë më parë kontrollin.  Dhe shpresojnë që të shohin ndeshje të mirë në televizor. Atje ka mbërritur fushata elektorale për postin më të rëndësishëm politik. Kjo flet shumë për gjendjen e shoqërisë amerikane. Dhe është edhe një paralajmëruese për zhvillimin në vende të tjera. Le të flasim hapur: çështja e madhe që shtrohet është se ku zhvillohen demokracitë në këtë botë të copëzimit në grupe të mediave sociale dhe të kulturës njëdimensionale të masmedieve. Çfarë ndodh kur qeveritë zgjidhen nga njerëz, që nuk kanë më interes për politikën, por që duan të shohin vetëm spektakël? Çfarë do të thotë kur ata që dëgjohen janë vetëm ata që flasin me zë më të lartë? Kur vetëm teoritë më të thjeshta të kurbaneve mund të jenë të suksesshme si koncepte politike? Dhe kur nuk ka elita, të cilat gjejnë përgjigje për këto çështje ekzistenciale? Njësoj si të tjerë demagogë para tij, Donald Trumpi është vetëm një fenomen i kohës së tij. Dhe ky fenomen nuk do të ketë marrë fund, kur të marrë fund fushata elektorale.

 

Tags