Takimi i Astanasë përpjekje për të të zgjidhur krizën në Siri
(last modified Tue, 14 Mar 2017 06:17:53 GMT )
Mars 14, 2017 07:17 Europe/Tirane

Delegacioni iranian i kryesuar nga Husein Xhaberi Ansari, zv/ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit për çështjet arabe dhe afrikane, sot në mëngjes është nisur drejt Kazakistanit për të marrë pjesë në konferencën Astana-3 kushtuar zgjidhjes së krizës së Sirisë.

Takimi ndërkombëtar Astana-3 do të organizohet më datë 14 dhe 15 mars me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë siriane, kundërshtarëve të qeverisë së Damaskut dhe 3 vende garantuese të armëpushimit në Siri, përkatësisht Irani, Rusia dhe Turqia. Sipas një njoftimi të ministrisë së jashtme të Kazakistanit, takimi i ardhshëm mes përfaqësuesve të qeverisë siriane dhe opozitarëve do të organizohet në datat 14 dhe 15 mars. Përgjatë vitit 2017, rreth çështjes së Sirisë janë organizuar 2 takime në Astana të Kazakistanit dhe Gjenevë të Zvicrës. Mirëpo, që të dy takimet kushtuar krizës në Siri, janë organizuar me vonesë dhe jo në afatin e caktuar. Mesa duket edhe takimi Astana-3 do të mbahet me disa ditë vonesë. Në takimin e Astanasë pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesi i OKB për çështjen e Sirisë, Stefan De Mistura, përfaqësuesi i Amerikës dhe përfaqësuesi i Jordanisë. Takimi i parë i Astanasë kushtuar zgjidhjes së krizës siriane, është organizuar më datat 23 dhe 24 Janar me iniciativën e Iranit, Rusisë dhe Turqisë dhe me pjesëmarrjen përfaqësuesve të qeverisë dhe të opozitës siriane të cilët për herë të parë janë ulur përballë njëri-tjetrit për të diskutuar rreth qëndrueshmërisë së armëpushimit. Armëpushimi në Siri u shpall më 29 dhjetor të vitit të kaluar menjëherë pas çlirimit të qytetit Alepo. Kundërshtarët e qeverisë siriane pretendojnë se rrethimi i tyre në disa zona të Sirisë dhe  detyrimi i tyre për tu larguar nga këto zona është shkelje e armëpushimit nga ana e qeverisë siriane. Për këtë arsye ata kërkojnë të kryhen bisedime mbi efikasitetin e armëpushimit përpara se sa të mbahet takimi Astana-3 kushtuar zgjidhjes së krizës siriane. Në kushtet aktuale, kundërshtarët ndodhen në një pozitë të dobësuar në Siri dhe përpiqen të caktojnë kushte të cilat nuk përputhen me zhvillimet aktuale në këtë vend. Me të tilla kushte ata mundohen të ulin sadopak superioritetin e qeverisë siriane në zhvillimet e vendit. Vlen të theksohet se kriza në Siri ka nisur prej vitit 2011 me sulmet e grupeve terroriste të cilët mbështeten nga Arabia Saudite, Amerika dhe aleatët e saj si Turqia të cilat kanë si objektiv të vetëm rrëzimin e presidentit Bashar Asad nga pushteti. Tani ka ardhur koha që të shtohen përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund krizës siriane dhe në këtë kuadër duhet shikuar se deri ku do të arrijnë përpjekjet në takimet Astana-3 dhe Gjeneva-4.

 


 

Tags