Ballafaqimi me separatizmin e Katalunjës
(last modified Mon, 02 Oct 2017 18:02:58 GMT )
Tetor 02, 2017 20:02 Europe/Tirane
  • Ballafaqimi me separatizmin e Katalunjës

Separatistët në Katalonjë festojnë rezultatin e referendumit. Ata kërkojnë shtetin e pavarur duke e futur Spanjën në krizën më të rëndë kushtetuese prej disa dekadash.

48 orë deri tek pavarësia. "Ligji i shkëputjes" i miratuar nga parlamenti katalonjas e parashikon këtë afat. Zëdhënësi i qeverisë rajonale të Katalonjës është shprehur në orët e para të së hënës në Barcelonë, se 90% e votuesve i kanë thënë "Po" shkëputjes. Që të dielën në mbrëmje, kreu i shtetit katalonjas, Carles Puigdemont është shprehur për shkëputjen nga Spanja. "Ne kemi fituar të drejtën që të kemi shtetin tonë të pavarur", tha ai në Barcelonë. Por vetëm 42% e 5,3 milionë njerëzve me të drejtë vote kanë dhënë votën e tyre. Gjithsej janë numëruar 2,26 milionë vota, dhe numri i votave pro kap shifrën e 2,02 milionë vetëve, ka thënë zëdhënësi. Ai kërkoi hapa ligjorë kundër qeverisë në Madrid, që të përgjigjet për dhunën e së dielës. Me gjasë në votime do të kishin marrë pjesë më shumë njerëz, sikur Madridi të mos e kishte kategorizuar referendumin si ilegal. Policia pengoi në mënyrë masive zhvillimin e votimeve. Në të gjithë botën u shpërndanë pamje me policë të armatosur, që rrëmbyen fletëvotimet dhe penguan njerëzit në votime me shkopinj gome dhe plumba plastikë. 840 vetë u plagosën, sipas  të dhënave të qeverisë rajonale. "Nuk ka pasur referendum", u shpreh Rajoy që theksoi se spanjollët janë orientuar gabimisht në një votim të jashtëligjshëm. Komisioni Europian e gjykon si ilegal referendumin për pavarësinë e Katalunjës. Përmes një deklarate për shtyp, Komisioni tha se nuk do të përzihet në këtë çështje të brendshme, ndërkohë që ritheksoi nevojën për bashkim. Sa i përket situatës së dhunshme të krijuar mes policisë dhe votuesve, Komisioni beson se kryeministri spanjoll do të menaxhojë procesin në pajtim me kushtetutën. Komisioni Europian ka konfirmuar se referendumi për pavarësinë e Katalunjës është ilegal në bazë të ligjit spanjoll. Komisioni e ka përshkruar votimin si një çështje të brendshme dhe la të kuptohej se nuk do t’i përgjigjej kërkesave për të ndërhyrë. “Nëse referendumi do të organizohej në linjë me kushtetutën spanjolle, kjo do të thotë se territori do të dilte nga Bashkimi Europian. Përtej aspekteve tërësisht ligjore të kësaj çështjeje, Komisioni beson kjo është një kohë për bashkim dhe stabilitet, jo ndarje dhe fragmentarizim,” shkruhet në një deklaratë për shtyp të Komisionit. Sa i përket brutalitetit të treguar nga policia, Komisioni u shpreh se dhuna nuk mund të jetë kurrë instrument në politikë. “Ne i besojmë udhëheqjes së kryeministrit Mariano Rajoy për të menaxhuar këtë proces të vështirë në pajtim të plotë me kushtetutën spanjolle dhe të drejtat themelore të qytetarëve të saj,” përmbyllet deklarata e Komisionit. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, ka bërë thirrje urgjente për bisedime në mes të Katalonisë dhe Spanjës. Ai ka thënë se është jetike të shmangen ngjarjet që mund të dalin jashtë kontrollit, pas masave të dhunshme që ndërmori policia spanjolle në rajon, gjatë votës për pavarësi. “Imazhet që kanë arritur dje nga Spanja, tregojnë se sa e rëndësishme është ndalimi i eskalimeve”, ka thënë Gabriel në një deklaratë, në të cilën ai nënvizoi thirrjet e Bashkimit Evropian për dialog në mes të Spanjës dhe Katalonisë.

 

Tags